Nga Drilona Shehaj Abazaj, psikologe
Ka individë që hyjnë në jetën profesionale dhe emocionale si udhëtarë që kërkojnë dritë. Në fillim duken të etur për të mësuar, për të marrë drejtim, për të gjetur mbështetje. Duken si toka që pret shiun pas një thatësire të gjatë, dhe ti me përkushtimin tënd bëhesh burim. U jep kohë, dije, energji dhe pjesë nga përvoja jote njerëzore, duke besuar se çdo investim do të kthehet në rritje në bashkëpunim në respekt reciprok.
Ai merr mëson rritet, përfiton nga çdo përpjekje profesionale dhe emocionale që i ofrohet, por rrallë ndërton ndjenjën e mirënjohjes. Për të rrugëtimi i përbashkët nuk është një proçes ku ndërtohen ura nga të dyja anët, por një rrugë ku ai kalon mbi përkushtimin e tjetrit duke harruar kush e ndërtoi atë shteg.
Kontributin, sakrificat, udhëzimet dhe mbështetja fillojnë të zbehen në sytë e tij, deri sa transformohen në diçka që ai e konsideron të zakonshme madje të detyrueshme. Ai lulëzon mbi kujdesin që merr por nuk mbjell asnjë farë mirënjohjeje.
Tipari më i ftohtë i këtij personaliteti shfaqet në momentet kur përballë tij vendoset ndershmëria emocionale. Kur lodhja, frustrimi apo pesha e përgjegjësive shprehen hapur ai nuk përgjigjet me empati. Përkundrazi ai reagon me APATI, shpërfillje dhe me arrogancë. Emocionet e tjetrit minimizohen, relativizohen ose përçmohen, sikur të mos kenë asnjë vlerë.

Ironia më e thellë qëndron në faktin se ai mund të arrijë deri aty sa të citojë frazat e tua profesionale dhe të të nënvlerësojë rrugën apo dijen që dikur e ka prekur dhe e ka mësuar vetëm falë atij që sot e shpërfill. Është si të harrosh dorën që të mësoi të shkruash dhe më pas të pretendosh se fjalët u krijuan vetë.
Në thelb egoizmi i këtij personaliteti është një mburojë. Ai shpesh lind nga frika e të ndjerit i refuzuar, nga paaftësia për të përballuar kritikën dhe nga nevoja për të ruajtur një imazh të fortë dhe të paprekshëm. Për të mbrojtur këtë ego, ai zgjedh rrugën më të lehtë… zëvendësimin e njerëzve.
Ai i ndërpret marrëdhëniet me lehtësi, duke kërkuar figura të reja që mund të ushqejnë nevojat e tij momentale.
Lidhjet për të bëhen të përkohshme të kushtëzuara nga interesi dhe jo nga vlerat njerëzore. Ai largohet pa reflektim dhe pa përgjegjësi emocionale, duke lënë pas ndjesinë e përdorimit zhgënjimit dhe zbrazëtisë.
Ky personalitet mund të mbledhë shumë përvoja dhe shumë njerëz rreth vetes por rrallë ndërton marrëdhënie të qëndrueshme. Ai merr dritë nga shumë burime por nuk mëson kurrë të ndriçojë vetë. Sepse drita e vërtetë nuk lind nga marrja por nga aftësia për të njohur për të vlerësuar dhe për të respektuar rrugën që është bërë për ty.
Marrëdhëniet profesionale dhe njerëzore ndërtohen mbi respekt ndjeshmëri dhe mirënjohje. Kur këto mungojnë çdo bashkëpunim bëhet i brishtë, çdo sukses mbetet i zbrazët dhe çdo rrugëtim është i destinuar të përsërisë të njëjtin cikël humbjesh.
Sepse në fund nuk mbetet në kujtesë ai që mori më shumë por ai që dinte të vlerësonte, të ruante dhe të nderonte lidhjet njerëzore. Mirënjohja është rrënja që mban çdo marrëdhënie gjallë. Dhe aty ku rrënjët mungojnë edhe pemët më madhështore rrëzohen me stuhinë e parë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

