Mirëqenie

December 12, 2016 | 12:49

Disa hapa të thjeshtë për të rigjetur mirëqenien e dëshiruar

Rruga drejt mirëqenies psikike dhe fizike nuk është gjithmonë e mundimshme, e gjatë dhe e vështirë. Ndonjëherë, në fakt, mjaftojnë vetëm disa ndryshime të thjeshta në stilin e jetës për të marrë menjëherë përfitime të dukshme dhe për t’u ndier mirë me veten.

1

Hani lehtë, shëndetshëm me ushqimet e stinës

Të paktën për një muaj mundohuni të hiqni nga dieta e përditshme qumështin dhe bulmetrat, si dhe shmangni ushqimet
e thata. Nëse nuk mund të bëni dot pa to, të paktën hani mish jo më tepër se një herë në javë. Konsumoni gjithmonë perime të gjalla para vakteve dhe në fund ato të pjekura. Gjithashtu hani mëngjes të pasur me bazë frutash, drithërash integrale, arra apo bajame, qumësht soje. Evitoni sheqerin e bardhë dhe zëvendësojeni me sheqer kaf ose mjaltë, si dhe mos harroni asnjëherë vaktet e ndërmjetme paradite dhe pasdite me bazë frutash. Do t’i shihni ndryshimet menjëherë.

Jetoni çastin

Mundohuni të shijoni çdo moment, çdo gjë të bukur gjatë ditës, pa mendime mbytëse se çfarë duhet të bëni apo çfarë duhet të blini. Kur të uleni për të ngrënë, mos bëni asgjë tjetër. Mbani sa më larg celularin, gazetat apo televizorin dhe përqendrohuni vetëm tek ushqimi që jeni duke konsumuar. Përtypuni ngadalë, në mënyrë që të favorizoni tretjen
dhe shijoni çdo kafshatë ushqimi.

Dilni nga shtëpia

Mbi të gjitha, tani që kanë filluar ditët e bukura me diell dhe dritë, shëtisni, edhe pak minuta. Uluni diku dhe pini një kafe,
admironi pamjen e qytetit, pemët apo rrugicën poshtë shtëpisë. Janë gjeste të vogla, të cilat të qetësojnë dhe u japin një
tjetër dimension shqetësimeve të ditës. Çfarëdolloj shqetësimi, sado i vogël të jetë, bëhet edhe më i madh nëse rrini mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Dilni dhe hyni në kontakt me botën dhe me dritën e diellit, pasi dhuron energjinë dhe pozitivitetin e duhur për t’u përballur me të papriturat e ditës.

Gjysmë ore relaks para se të flini

Zakoni i vajtjes në shtrat menjëherë sapo keni përfunduar të gjitha detyrimet e ditës, nuk është aspak i shëndetshëm. Në fakt, në këtë mënyrë, truri nuk ka kohë “të heqë spinën” dhe të përgatitet për pushimin e natës, por vazhdon të përpunojë mendimet. Për rrjedhojë, nuk bëni gjumë të rehatshëm apo mund të keni pagjumësi për shkak të punës së vazhdueshme të mendjes. Gjeni pak kohë për të lexuar një libër, bëni një dush për t’u qetësuar, pak meditim apo edhe më thjesht akoma rrini në qetësi, pasi ju ndihmon të hidhni pas krahëve të gjitha shqetësimet dhe punët e ditës së kaluar apo të atyre me të cilat do të përballeni ditën tjetër. Kjo gjë ju lejon të flini të çlodhur, për të arritur mirëqenien e mendjes, ndjenjave dhe trupit. Mëngjesin tjetër do të keni ndjesinë se jeni çlodhur realisht dhe, për rrjedhojë, do të jeni plot energji dhe humor të mirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top