Këshilla & Arsye

July 22, 2020 | 8:12

Disa këshilla që ju ndihmojnë të bëni një ekspozim të sigurt në diell

Një ngjyrë e bukur është sinonim i shëndetit të mirë dhe na jep një pamje të këndshme, megjithatë ekspozimi i tepërt dhe i pambrojtur ndaj diellit mund të jetë shumë i rrezikshëm. Sipas statistikave, tumoret e lëkurës janë vazhdimisht në rritje: qëndrimi shumë gjatë në diell dhe pa masa mbrojtëse mund të shkaktojë shumë patologji serioze. Pra, le të shohim se çfarë duhet të dini për një rrezitje të shëndetshme.

Kanceri i lëkurës: kanceret e lëkurës janë gjithnjë e më të shpeshta, veçanërisht tek meshkujt. Midis kancereve të lëkurës, melanomat janë padyshim më të përgjegjshmet për vdekshmërinë, pasi ato përfaqësojnë shkakun e dytë kryesor të vdekjes midis 30 dhe 40 vjeçarëve. Në të gjithë botën, melanoma e lëkurës vlerësohet të ketë arritur në 100,000 raste të reja në vit në dekadën e fundit: një rritje prej rreth 15% krahasuar me dekadën e kaluar, ku ndër shkaqet kryesore të saj mbetet ekspozimi i pasaktë ndaj rrezeve UV.

Banjë dielli po, por…: rrezet e diellit mund të jenë të shëndetshme, por edhe të rrezikshme, kështu që kujdesi nuk duhet të mungojë kurrë. Dielli është i mirë për kockat sepse ndihmon në sintezën e vitaminës D, promovon një përmirësim të humorit dhe jep një çehre të shëndetshme. Sidoqoftë, asnjëherë mos harroni se plakja e lëkurës dhe kanceret e lëkurës janë të lidhura me ekspozimin e tepërt dhe pa masa mbrojtëse prandaj rekomandohet një ekspozim gradual në orët kur dielli është më pak i fortë dhe mbi të gjitha, asnjëherë mos harroni të vendosni krem mbrojtës.

Vëmendja për fëmijët: djegia e shkaktuar nga dielli dhe ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UV janë shkaqet kryesore të shfaqjes së sëmundjeve të lëkurës. Ndonjëherë ne i nënvlerësojmë pasojat që dielli mund të shkaktojë tek të vegjlit. Për fëmijët, ashtu si dhe për të rriturit, Komuniteti Evropian rekomandon përdorimin e kremrave të diellit në të gjitha stinët e vitit. Të gjithë, që në moshë të re, kemi lëkurë të mbushur me nishane, të cilat në shumicën e rasteve nuk paraqesin rrezik për shëndetin, por nëse nuk respektohen disa rregulla të thjeshta, këto mund të kthehen në tumore të vërteta.

Gjithmonë mbrojtje: pavarësisht numrave, të cilët janë gjithnjë e më alarmant, parandalimi nuk është bërë akoma një zakon. Sipas disa studimeve, vetëm gjysma e italianëve përdorin mbrojtje kur janë të ekspozuar në diell dhe madje edhe më të paktë janë njerëzit që vendosin ta bëjnë atë me një faktor të lartë mbrojtës (50 SPF); ende sot gati 70% vazhdojnë të ekspozohen ndaj rrezeve të diellit në orët më të nxehta, një sjellje me rrezik shumë të lartë. Në çdo rast, çështja e parandalimit përcaktohet më shumë nga popullata femër, e cila në pjesën më të madhe të rasteve përdor gjithmonë kremin kundër diellit, ndërsa burrat janë shumë më pak të kujdesshëm dhe gjysma e tyre harrojnë ta bëjnë këtë ose thjesht nuk e konsiderojnë të domosdoshme për tu mbrojtur.

Mbrojtja dhe sjellja e saktë: masa e parë dhe më e thjeshtë për parandalimin e kancereve të lëkurës, përfshirë melanomën, është mbrojtja e lëkurës nga dielli. Në veçanti, njerëzit me lëkurë të zbehtë duhet të kenë një mënyrë jetese që synon të minimizojë ekspozimin në diell, veçanërisht gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Përveç kremrave të diellit, duhet të adoptohen edhe sjellje të sakta, siç është shmangia e ekspozimit ndaj diellit gjatë orëve të pikut të ditës, përdorni mbrojtje të përshtatshme, madje nëse keni lëkurë të zbehtë, vendosni kapele dhe këmisha që mund të mbulojnë në mënyrë adekuate kokën, qafën dhe shpinën. Sigurisht, pushimi nën çadra ose hijet e pemëve do të garantojë freski dhe mbrojtje nga rrezet UV.

Ushqimi i duhur: ushqimi është thelbësor për të përgatitur lëkurën për ngjyrën e dëshiruar, është e nevojshme të hani një sasi të caktuar frutash dhe perimesh çdo ditë, gjithmonë duke pirë shumë ujë. Për një ngjyrë të bukur, është mirë të konsumoni beta-karoten dhe likopen, substanca që stimulojnë natyrshëm prodhimin e melaninës. Kështu në tryezën tuaj nuk duhet të mungojnë karotat, specat dhe sidomos domatet, të cilat janë të pasura me likopen dhe janë antioksidantë të jashtëzakonshëm. Ne gjithashtu duhet të përdorim fruta sezonale: kajsi, kumbulla, pjepër, pjeshkë dhe shalqinj.

 

 

Burimi / https://www.tgcom24.mediaset.it/

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top