Ndërkohë që pandemia e koronavirusit po ia merr frymën botës, prindërit po bëhen më të kujdesshëm në lidhje me mënyrat se si të flasin me fëmijët e tyre për këtë ngjarje që na ka prekur të gjithëve.
Ekspertja e prindërimit Sharon Witt zbulon disa rekomandime për prindërit, si të komunikoni me fëmijët në lidhje me këtë çështje dhe t’i mbroni nga azhurnimet alarmante të informacioneve. Ajo gjithashtu nxit prindërit të mos flasin kurrë për “vdekjen” në lidhje me virusin, të inkurajojnë rutinat e larjes së duarve dhe të kufizojnë ekspozimin e fëmijëve ndaj lajmeve.
- Përgjithësoni dhe mos thoni që virusi është fatal
Ndërkohë që koronavirusi ka pasoja serioze, ekspertja Witt thotë se mënyra më e mirë për të komunikuar këto fakte është përgjithësimi. “Kurrë mos thuaj se do të vdesësh nga ky virus; kurrë mos thuaj se është vdekjeprurës ose fatal, sepse realisht çdo sëmundje është vdekjeprurëse – madje edhe lija e dhenve”, thotë Witt, pasi komentet shqetësuese mund të shtojnë stres të panevojshëm tek një fëmijë.
“Gjithçka që duhet të bëni është që të mos i shqetësoni dhe se, si të gjithë ne, duhet t’i lajmë duart më shpesh. Duke folur për virusin si një “mikrob të keq që mund t’ju sëmurë” është një mënyrë e përgjithshme për ta përshkruar atë tek një fëmijë i vogël”, thotë Witt.
- Përdorni taktikat e pastrimit për të praktikuar higjienën
Witt shprehet se inkurajimi i fëmijëve për të larë duart me ujë të ngrohtë me sapun deri në dy minuta është thelbësore. “Ky është një mësim i gjithëkohshëm për të kujtuar fëmijët në lidhje me praktikat e mira të higjienës: të lani duart siç duhet pasi dilni nga tualeti ose pasi keni ardhur nga jashtë”, thotë ajo.
“Nuk keni pse përmendni virusin, thjesht thoni “ka mikrobe të këqija jashtë dhe ne duhet të lajmë çdo herë duart për një ose dy minuta që të mos sëmuremi”, shprehet Witt.
Një mënyrë e dobishme për t’ua mësuar fëmijëve këtë zakon, është të vendosni përreth lavamanit një kohëmatës apo letra të shkruara me këshilla.
- Kufizoni ato që fëmijët shikojnë ose dëgjojnë
Shikimi i titujve të lajmeve, dëgjimi i buletineve dhe leximi i raporteve mund të shkaktojë ankth tek fëmijët dhe të rriturit, por kufizimi i kësaj mund të zvogëlojë dhe kontrollojë ndjeshëm nivelet e stresit. Kufizimi i programeve televizive gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi dhe zgjedhja e stacioneve specifike të radios në makinë, janë dy kufij të rëndësishëm për t’u vendosur.
“Me të gjitha këto lajme dhe tituj gazetash, është një ide e mirë për të kufizuar atë çka fëmijët (veçanërisht ata të shkollës fillore) shikojnë ose dëgjojnë”, thotë ekspertja Witt.
“Fëmijët e vegjël mund të mos shohin drejtpërdrejt televizorin, por ata gjithmonë dëgjojnë dhe ka shumë mundësi që gjatë ditës të mund të shikojnë ose të dëgjojnë diçka alarmante. Nëse ata reagojnë ndaj informacionit kërcënues, komunikoni dhe përgjithësoni situatën për t’i qetësuar dhe për t’i siguruar që gjithçka është në rregull”, thotë Witt.
- Bisedoni me fëmijët kuriozë
Ata prindër që mund të kenë fëmijë kuriozë, të cilët kanë qenë të ekspozuar ndaj lajmeve ose kanë dëgjuar në shkollë për koronavirusin, duhet t’i kujtojnë gjithnjë se nuk ka “asgjë për t’u shqetësuar”. Për adoleshentët në ankth që janë të prirur të shohin përditësime të shpeshta në mediat sociale, prindërit duhet të ulen dhe të bisedojnë për të diskutuar shqetësimet e tyre mbi temën.
- Qëndroni të përditësuar me faktet dhe mbajini fëmijët e sëmurë në shtëpi
Është përgjegjësi e prindërve që të qëndrojnë të informuar në lidhje me koronavirusin dhe t’i mbajnë fëmijët në shtëpi nëse është e nevojshme, edhe nëse kanë vetëm rrjedhje hundësh.
Meqë simptomat midis një ftohjeje të zakonshme dhe Covid-19 janë shumë të ngjashme, është thelbësore të kufizoni rrezikun sesa të dërgoni në shkollë fëmijët që kanë këto simptoma. “T’i dërgosh fëmijët në shkollë nëse janë të sëmurë, edhe vetëm nëse kanë rrjedhje hundësh, është diçka vërtet egoiste. Nëse i dërgoni fëmijët në shkollë kur janë sëmurë, ju po rrezikoni fëmijë të tjerë, mësues, prindër dhe madje edhe gjyshër. Nga ana tjetër, qëndroni të informuar duke lexuar rregullisht gazetat apo njoftimet shkollore dhe duke dëgjuar vetë lajmet ndërkohë që nuk i keni fëmijët vërdallë”, shprehet ekspertja e prindërimit Sharon Witt.
Burimi / https://gazetasi.al/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.