Disa sjellje i bëjnë njerëzit të perceptohen si më shumë të mërzitshëm se disa të tjerë, mësoni se cilat janë aspektet që do t’ju zhvlerësojnë në sytë e miqve dhe bëhuni sa më zbavitës.
Çdonjëri prej nesh jeton me frikën e mërzisë, por ka raste kur kjo ndjesi e papëlqyeshme vjen si pasojë e të tjerëve dhe jo nga brenda nesh. Për të shmangur këtë lloj mërzie ‘ngjitëse’ mësoni se si mund t’ju infektojnë të tjerët me mendimet dhe frikën e tyre.
Në studimet e para, hulumtuesit u kërkuan njerëzve të përshkruanin gjërat që të tjerët i bëjnë dhe që i mërzisin ata. Më pas kërkuesit bënë një listë me 43 llojet e gjërave që u përmendën më shpesh dhe pyetën disa qindra njerëz të tjerë për të dhënë mendimin e tyre për shkallën e mërzisë që perceptonin se kishin këto sjellje. Në fund, ata dolën me nëntë kategori të sjelljeve të mërzitshme.
Çfarë i mërzit përgjithësisht njerëzit:
- Egocentrizmi negativ. Kjo është mënyra më e mërzitshme e të sjellit, të cilën hulumtuesit e përshkruan si të qenët negativ dhe ankesat e shumta kur dikush flet për problemet e veta dhe shfaq mosinteres për problemet e të tjerëve.
- Banaliteti. Të folurit për çështje sipërfaqësore dhe interesi i dukshëm vetëm për një çështje, si dhe përsëritja e vazhdueshme e disa historive të njëjta i bën njerëzit shumë të mërzitshëm. Po ashtu të njëjtat shaka të pandryshuara nuk ju ndihmojnë shumë.
- Mungesa e përfshirjes në biseda. Shfaqja e entuziazmit të pakët, të folurit monoton, kontakti i paktë me sy dhe një sjellje që nuk shpreh thuajse asgjë, të gjitha këto ju bëjnë të perceptoheni si të mërzitshëm në sytë e të tjerëve.
- Ngadalshmëria. Të folurit ngadalë, pauzat e gjata përpara përgjigjes, kalimi i një kohe të gjatë derisa të dilni te tema e bisedës, si dhe zvarritja e asaj që keni për të thënë, këto janë cilësitë që mund të largojnë të tjerët prej jush.
- Pasiviteti. Nëse keni pak për të thënë, nuk keni opinione dhe jeni shumë të parashikueshëm nga të tjerët, gjasat që të tjerët të duan t’ju kenë pranë janë të pakta. Gjithashtu mund të quheni të mërzitshëm nëse përpiqeni të mos ia prishni qejfin askujt me ato që thoni.
- Preokupimi vetëm për veten. Nëse flisni vazhdimisht për veten dhe nuk shqetësoheni aspak për të tjerët, kjo mund t’ju bëjë të ngjani shumë keq në sytë e shoqërisë suaj dhe kështu pak e nga pak ata do t’ju mënjanojnë.
- Serioziteti. Nëse jeni shumë serioz dhe nuk buzëqeshni shpesh, ju do të kategorizoheni te njerëzit të cilët janë të mërzitshëm. Ndërroni rrugë, mos jini shumë serioz dhe buzëqeshni sa më shumë të mundeni.
- Të qenët karagjoz mund t’ju bëjë në fakt të dukeni të mërzitshëm. Përpjekja për t’u dukur si shakatarë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve është një mënyrë e keqe për të bërë përshtypje.
- Shpërqendrimi. Kur bëni gjëra të cilat interferojnë me bisedën, nëse shpërqendroheni shpesh, kjo mund t’ju bëjë të ngjani si shumë të mërzitshëm në sytë e të tjerëve.
Në disa studime të tjera, pjesëmarrësit u filmuan teksa hynin në biseda dhe më pas të tjerët i vlerësuan ata në bazë se sa të mërzitshëm dukeshin.
Njerëzit e mërzitshëm kontribuojnë më pak në biseda dhe mund të jenë shumë apatikë e të shfaqin pak emocione kur janë me të tjerët. Të folurit ngadalë, pauzat e gjata përpara përgjigjes, kalimi i një kohe të gjatë derisa të dilni te tema e bisedës ju bëjnë të jeni të padurueshëm.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.