Në mbarë botën çdo 22 Mars besimtarët bektashinj festojnë atë që sipas këtij besimi quhet “Dita e Re” dhe ditëlindja e Imam Aliut, që ndryshe njihet si Dita e Novruzit. Festa e ka origjinën nga Irani i Lashtë (Persia) dhe në thelb synon ripërtëritjen e jetës, ardhjen e pranverës si dhe fillimin e vitit të ri diellor (ku dita nis i merr më shumë natës).
Ashtu si dhe festa pagane e Ditës së Verës, kjo festë fetare për besimin bektashi ka pothuaj të njëjtat ngjyresa. Mëngjesi i sapozgjimit në 22 Mars i takon një rituali që është rëndësia që i duhet dhënë higjienës personale. E nëse kjo ditë nënkupton ngjyra, veshjet tuaja duhet të jenë disi më pranverore. Është mirë që në pragun e derës së banesës të vendosni një degë thane të lulëzuar, si një ogur pranveror.
Besimi Bektashi kërkon një ritual lutjeje falënderimi pranë vendit të shenjtë, teqesë. Nëse bëni një kurban, është mirë që të bëheni “me shenjë”, çka nënkupton se në ballin tuaj, një pikë gjak nga kurbani juaj duhet të qëndroj për disa momente.
Gruri është bima kryesore e ditës. Ju mund të mbillni disa kokrra prej tij kudo, apo të shijoni produktet e tij. Ashurja është një prej gatimeve që bazën e kanë tek gruri. Në shtëpi, gjatë vakteve në tryezë nuk duhet të mungojnë elementë si: Hudhra, Uthulla, Molla, Hithra, Ashurja, Qirinj,
Kur’ani, një pasqyrë (e vogël dhe e pastër) si fatmirë. Në disa raste në dekor thuhet se edhe një akuarium i vogël me një peshk të kuq në të shihet si fatsjellës. Lulet natyrore padyshim duhet të jenë në shtëpi veçanërisht në vendet ku qëndroni më gjatë dhe që shikimi juaj të jetë në kontakt me to.
Për Sulltan Novruz bektashinjtë gatuajnë byrek me 12 lloje të ndryshme barishtesh. Në byrek futet edhe një monedhe metalike. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij konsiderohet njeri me fat dhe se do të ketë një vit të mbarë dhe të begatë. Në këtë ditë gatuhet edhe përshesh me pulë ose me mish qengji. Ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste është sultiashi.
Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës; orizi, që simbolizon drithërat dhe bollëkun, dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe. Si ëmbëlsirë mund të gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në zonat fushore bëhet edhe kulaç me petë që fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk në familje. Besimtarët bektashi urojnë njëri-tjetrin edhe me vizita në këtë ditë, gjithnjë sipas rregullit, më të vegjlit shkojnë vizitë tek më të mëdhenjtë.
Çfarë domethënie ka festa e Sulltan Novruzit?
Para islamit, këtë festë e kanë festuar persianët. Ata kanë pasur dy stinë, verën dhe dimrin. Në 22 mars ata festonin ardhjen e verës, e cila zgjaste deri në 22 shtator. Më vonë, në botën islame në 22 mars lindi imam Aliu, i cili është i vetmi fëmijë i lindur brenda në Qabe. Që prej asaj kohe Sulltan Novruzi u festua nga tarikatet si ditëlindja e imam Aliut. Komuniteti bektashian ka rreth 800 vjet që e feston këtë festë në të njëjtën datë.
Kjo festë simbolizon rigjallërimin e natyrës. Kafshët zgjohen nga gjumi dimëror, pemët çelin sythat dhe bimësia gjallërohet. Emri “Nevruz” ka ardhur nga persishtja dhe domethënia e tij është “ditë e re”. Emri “Sulltan” është titulli më i lartë që mund të merret. Në Shqipëri kjo festë ka nisur të festohet rreth shekullit XIV, kur u përhap bektashizmi në Shqipëri. Kjo festë zgjat tri ditë. Në 22 mars ka lindur imam Aliu dhe pas tri ditëve i është vënë emri. Besimtarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas luten dhe falen. Ndihmojnë njerëzit që kanë nevojë. Në mëngjes, për besimtarët dhe të gjithë të pranishmit, shpërndahet qumësht dhe sherbet, që simbolizon pastrimin e trupit dhe shpirtit. Këto dy pije konsiderohen pije parajse.
Vendosja e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë
Kryegjyshata Botërore Bektashiane fillimisht ka qenë në Turqi. Në vitin 1925 qeveria e Ataturkut nxori vendimin e mbylljes së të gjitha teqeve. Qeveria turke urdhëroi fetarët të hiqnin petkat e tyre sepse Turqia u kthye në shtet laik. Gjyshi Sali Njazi Dede nga Staria e Ersekës refuzoi të heqë petkun dhe qeveria turke e vendosi përkohësisht në një hotel në Ankara.
Në 1929 qeveria e Zogut e solli Kryegjyshatën në Shqipëri. Fillimisht ajo u vendos në Korçë, në teqenë e Turanit (fshat në Korçë), ku qëndroi dy vjet. Qendra në Turqi u kthye në muze dhe funksionon edhe sot e kësaj dite. Atje bëhen pelegrinazhe në gusht të çdo viti, në përkujtim të Haxhi Bektash Veliut. Qeveria e Mbretit Zog duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashi me dekret të veçantë e emëroi në mars të vitit 1931, Sali Njazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve dhe me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë. Kryegjyshi Botëror Sali Njazi Dede qëndroi në krye të bektashinjve duke i trajtuar ata si bashkësi fetare e organizuar, jo politike dhe jo shtetërore. Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka historinë e saj të hershme dhe të sotme edhe si është një nga katër komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri. Në një dokument të vitit 1932, të arkivit të shtetit shqiptar thuhet: “Kryetari i teqesë së varrit të Haxhi Bektash Veliut në Kërshehir, Hirësija e Tij Kryegjyshi Salih Njazi, që është i fisit shqiptar dhe njihet si Papa i gjithë bektashinjve të botës, u shtrëngua të largohet nga qendra e madhe e bektashizmit, dhe erdhi e zu cak në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë, gjithë duke mbajtur dhe ofiqin e tij të lartë si Krye i madh i këtij besimi në gjithë botën”. Sot Kryegjyshata Botërore Bektashiane përveçse një objekt kulti është kthyer edhe një destinacion turistik për shumë turistë nga e gjithë bota.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.