FB

April 21, 2023 | 8:10

Ditarët më të famshëm në botë: Një pasqyrë për jetën shumë vite pas

 

Ditari nxit gjithmonë kuriozitetin e të tjerëve. Veçanërisht nëse ata që i shkruajnë janë njerëz të njohur. Por jo vetëm kaq. Ditarët shpesh u kanë dhënë historianëve një pasqyrë për të kaluarën. Shumë njerëz të njohur kanë dokumentuar ngjarje të kohës nëpërmjet rrëfimeve të jetës së tyre.

Ndër më të famshmit është ditari i vajzës së re Ana Frank. Edhe pse Ana ishte 14 vjeç kur filloi të shkruante ditarin, ajo përshkruan se si familja e saj hebreje është fshehur për 2 vjet deri në momentin që nazistët i gjetën dhe i dërguan në kamp përqendrimi. Me sugjerimin e disa miqve të tij, babai i Anës, i vetmi i mbijetuar nga familja, vendosi ta botojë ditarin. Libri u përkthye dhe u botua në 70 gjuhë të botës, duke frymëzuar njëherësh skenarët për prodhimin e shumë filmave, prodhime teatrale dhe një opera.

Virginia Woolf ishte një tjetër grua që ka mbajtur një ndër ditarët më të lexuar dhe komentuar në botë. Romancierja angleze pasi u martua me shkrimtarin Leonard Woolf ka dokumentuar çdo ditë ndjenjat e saj, se si merrnin jetë personazhet dhe mbi të gjitha për depresionin dhe mënyrën si ndikoi ai në jetën e saj.

Një ndër ditarët më të komentuar dhe më të pritur në të gjithë botën ka qenë ai i Merilyn Monroe. Femra që u kthye në burim frymëzimi për shumë gra. Edhe në ditët e sotme jeta e saj ende është e rrethuar me mister.

Pas kërkimesh të gjata shkrimtarja Anna Strasberg gjeti një arkivë sensacionale me dy kuti të aktores me shkrime ditari, letra dhe poema. Publikimi në librin “Fragmente”, hodhi një këndvështrim të ri për jetën e saj, duke kënaqur fansat dhe duke i dhënë një përgjigje të gjithë armiqve të saj që kanë replikuar shumë histori. Ky ditar ofroi një pamje më të qartë të brendësisë së mendjes së saj. Merilin filloi t’i shkruante kujtimet e saj rreth vitit 1951 dhe shprehej se ndihej gjithmonë e vetme çfarëdolloj gjëje të ndodhte.

5 vjet pasi çështja mbi vdekjen e Lady Dianës dhe Dodi Fayed u mbyll, dosja u rihap. Informacionet e reja u mbështeten mbi ditarin sekret të Lady Dianës. Diana kishte një ditar në të cilin ishin shkruar të dhëna për njerës të përfshirë në prodhimin e minave tokësore. Të bazuar në shkrimet e saj u mbështet teza e vrasjes me paramendim. Jeta e saj dhe ky ditar frymëzuan edhe filmin ‘Diana’.

Me gjetjen e ditarit sekret të yllit Michael Jackson është zbuluar se dëshira më e madhe e tij ishte të shfaqej në ekranin e madh si aktor. Në këtë ditar, i cili u zbulua pas vdekjes së 50-vjeçarit, shkruhej “Nëse nuk përqendrohem në film, nuk do të ketë pavdekshmëri.” Ai besonte se në rolin e aktorit ai do të fitonte dhe do të shndërrohej në multi-bilionerin e parë aktor. Gjithashtu ai rrëfente se ishte i varur nga doktori i tij, sepse me pilulat që ai jepte, ylli i pop-it arrinte të flinte.

Ditari i Kurt Cobain pohon gjëra që jo të gjithë do t’i pranonin. Në moshën 23-vjeçare ai pranonte problemet e tij në marrëdhënie me femrat dhe ka rrëfyer se ka qenë viktimë e bullizmit në shkollën fillore. Kjo lidhej edhe me fobinë që ai kishte për të prekur trupin e tij.

Një ndër ditarët që nuk duhet të ishte lexuar ndonjëherë, me siguri është ai i Britney Spears. Aty ka përshkruar ditët e saj më të errëta. Ajo shkruante se dëgjonte zëra dhe mendonte se në flokët e saj i kishin instaluar një element elektronik. Këngëtarja e njohur ka shkruar se zgjidhja që gjeti për “ta hequr qafe” ishte të qethte kokën e saj. Thuhet se në ditar Britney ka kërcënuar se do të vrasë fëmijët e saj.

Është e rëndësishme që ditari të mos bjerë në dorën e gabuar. Ndoshta jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm sesa i rëndësishëm është ditari. Person publik, i njohur ose jo ditari juaj mund të ofrojë një pasqyrë për jetën shumë vite në pas.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top