Çdo vit, më 3 dhjetor, bota ndalet për të reflektuar mbi një të vërtetë që shpesh harrohet në nxitimin e përditshmërisë: të gjithë jemi të ndryshëm, por të gjithë kemi të drejtën të jemi pjesë e barabartë e jetës. Kjo ditë, e shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 1992, synon të promovojë të drejtat, dinjitetin dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara, si dhe të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi rëndësinë e përfshirjes dhe barazisë reale.

Në çdo cep të botës, njerëz me aftësi të kufizuara kontribuojnë në mënyra të jashtëzakonshme në art, shkencë, sport, arsim e kulturë. Ajo që shpesh i pengon, nuk është kufizimi fizik, dëgjimor apo mendor, por muret e padukshme të paragjykimit dhe mungesës së aksesit.
Të ndihmosh një person me aftësi të kufizuar nuk do të thotë vetëm të ofrosh ndihmë materiale; mbi të gjitha, do të thotë ta pranosh, ta respektohsh dhe t’i japësh hapësirë të barabartë për të jetuar me dinjitet.
Si mund t’i ndihmojmë?
1.Ndryshimi fillon me ndërgjegjësimin. Eduko veten dhe të tjerët për mënyrat e jetesës së personave me aftësi të kufizuara. Mos përdor terma që i etiketojnë negativisht.
2.Shkollat dhe institucionet duhet të jenë të aksesueshme për të gjithë: rampa, ashensorë, materiale didaktike të përshtatura dhe teknologji ndihmëse.
3.Dëgjo zërin e tyre. Mos fol për ta, por fol me ta.
4.Puna dhe përfshirja sociale. Nxit punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe krijimin e mjediseve ku ata ndihen të vlerësuar.
5.Empatia, jo mëshira. Mos i shih me keqardhje, por me respekt dhe bashkëpunim.
6.Mbështet organizatat që punojnë për të drejtat e tyre, qoftë me vullnetarizëm apo kontribute simbolike.

Fragment letrar: “Një dritë në heshtje”, frymëzuar nga shkrimet e Helen Keller, autore amerikane, avokate e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, aktiviste politike
-Aftësia nuk matet me sytë që shohin, as me këmbët që ecin, por me shpirtin që nuk dorëzohet.
-Kam parë njerëz që dëgjojnë gjithë botën, por nuk kuptojnë asgjë; dhe kam njohur të tjerë që nuk dëgjojnë asgjë, por ndjejnë çdo zemër që rreh pranë tyre.
-Një person me aftësi të kufizuara nuk kërkon keqardhje, kërkon mundësi.
-Në çdo qenie njerëzore ka një dritë që nuk shuhet kurrë, edhe nëse bota përreth zgjedh të qëndrojë në errësirë.

Mesazh
3 dhjetori nuk është një ditë për të kujtuar “të ndryshmen”, por për të kuptuar se diversiteti është forca jonë më e madhe. Shoqëria që kujdeset për më të ndjeshmit, është ajo që ecën përpara me më shumë njerëzi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

