Psikofakt

January 9, 2020 | 17:51

Divorcet dhe fëmijët në gjykata, avokatja Denisa Daka: Një fushëbetejë “e dhunshme” mes ish-bashkëshortësh

Në zyrat e përmbarimit, në fundjavë kryesisht, gjen kudo në oborr, zyra a korridore, nëna me fëmijë a baballarë, të cilët presin të gjithë bashkë, ditën a orën e takimit me fëmijët, plot tension e pasiguri.

Denisa Daka, avokate

Denisa Daka, avokate

Pas zgjidhjes së martesës, takimet e fëmijëve me prindin jo kujdestar (në mungesë të një banese), zhvillohen në çdo rast në zyrat e përmbaruesve.

Në fushëbetejën a konfliktin pa limit që ngërthen dhunshëm në shumë raste ish-bashkëshortët, fëmijët shpesh përdoren për të siguruar bonuse të ndërsjella, në mungesë të një akordi mes tyre.

“…thuaj babit që nëse nuk sjell lekët e shkollës, kursit, ilaçeve, etj,, nuk do të të takojë në fundjavë…”, “thuaj babit të derdhë pensionin ushqimor në llogarinë time menjëherë, ndryshe nuk do të të shohë kurrë më…”, dialogje këto të cilat në shumë raste përcjellin shqetësimin, pasigurinë a trishtimin e nënave kryefamijare, ndërsa e gjitha kjo reflektohet në krejt jetën e fëmijëve, në rezultatet e tyre posaçërisht.

Pas kësaj, fëmijët shkojnë e vijnë me çanta në duar nga njëri prind tek tjetri, të trishtuar a përmalluar çdo herë ndryshe, ndërsa asgjë nuk është më si më parë.

Në rastet e mosrespektimit të detyrimeve përkatëse, lidhur me takimin e fëmijëve a derdhjen e pensionit ushqimor, nisin e vijojnë procedurat përmbarimore a kallëzimet në komisariat, të cilat shërbejnë më së shumti për t’u hakmarrë mes ish-partnerëve.

Mungesa e dialogut, bashkëpunimit a mirëkuptimit mes tyre, ia lë vendin inatit, përçmimit e hakmarrjes, të cilat bëhen të gjitha bashkë pjesë e udhës së tyre.

Përmbaruesit kryejnë paskësaj rutinisht punën e tyre, duke bërë të mundur takimin e prindit me fëmijën në zyrat e tyre të zymta, plot pluhur e dosje, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me një takim të bukur fëmije.

Ato minuta të vështira në këto kushte, rezultojnë cfilitëse e pa asnjë rezultat, të cilat nxisin ndjenja zemërimi e mungesë dëshire tek fëmijët e prindërit e tyre. 

Ende pas 30 viteve nuk është menduar një ambient i veçantë takimi për këto raste, për të  krijuar një standard të pranueshem kësisoj, duke shmangur dëmin e tollovinë e pakuptimtë.

Ky fakt është lënë në harresë bashkë me shumë probleme të tjera në radhë, të cilat kërkojnë e presin zgjidhje të menjëhershme. 

Ndërkaq, veshët e shurdhët a muret ngrehur bri tyre, po krijojnë një paketë dëmi të pallogaritshëm kësisoj, e cila prek e rëndon fëmijët posaçërisht.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com