Jam një fëmijë, të themi fëmijë, pasi vitet ikin dhe fëmijët rriten, por ndonjëherë për prindërit mbetesh fëmijë. Një fëmijë që prindërit u munduan t’i jepnin më të mirën, më të bukurën, forcën dhe dashurinë, duke harruar ndonjëherë trishtimin në sytë e tyre, të një divorci që nuk është i lehtë.
U rrita me dy shtëpi, shtëpia e mamit dhe e babit, me shumë dashuri, mbase dhe me shumë teka, pasi kështu janë fëmijët e vetëm, sidomos të ndarë. Unë mbase jam me fat se prindërit sakrifikuan jetën e tyre, rininë e tyre, kohën e tyre, që unë të isha dikush, të bëhesha dikush, të isha e lumtur dhe vetvetja. Mbase prindërit shumë herë nuk duan t’i mësojnë fëmijët me probleme, me maska, me intriga, shumë herë prindërit duan t’i mbrojnë fëmijët e tyre, duke u plotësuar ëndrrat!
Shumë herë më bënin pyetjen ‘kë do më shumë mamin apo babin’, dhe tani që u rrita, e kuptoj që prindërit pavarësisht se janë të ndarë, janë në dy shtëpi të ndara, janë si dy duart, dy këmbët, dy sytë, që njëra pa tjetrën nuk bëjnë dot. Kështu prindër të dashur, dhe më shumë familjarë, mos i lodhni dhe i mësoni fëmijët të ndajnë dashurinë më të madhe që kanë prindërit!
Jam një njeri me fat, që prindërit e mi, pavarësisht të ndarë, janë prindër, lanë ndonjëherë egon, dhimbjen, dhe për hirin tim, ecën përpara, duke mos më sharë njëri-tjetrin, pavarësisht se në shpirtin e tyre s’ka qenë i lehtë një divorc, por duke e bërë detyrën e tyre si prindër me notën 10. Sot, unë u rrita, ata u plakën, duke menduar që unë jam akoma një fëmijë, që nuk duhet të dijë hallet, problemet e tyre edhe sot ata mundohen që të mos më shqetësojnë mua me problemet e tyre…
Shumë probleme ka kjo SHQIPËRIA jonë e dashur, sidomos për moshën e tretë, që mbetën vetëm, shumë herë të gjithë ndihemi jetimë, në një Shqipëri ku nuk vlerësohet njeriu, nuk ndihmohen ata prindër që jetuan gjithë jetën në këtë vend, dhe shumë herë prindërve dhe fëmijëve u humbasin ëndrrat, që këtu ata dhe familja e tyre do të jetë e lumtur, e vlerësuar, me mundësi jetese dhe shprese!
Sot dua t’ju them të gjithë atyre prindërve që divorcohen në një botë demokratike dhe moderne, shumë herë edhe pse ndahen, divorcohen edhe kot, mos harroni të jeni prindër! Lëreni egon dhe egoizmin tuaj, pasi keni një fëmijë, dhe merrni model prindërit e mi, dhe më besoni, pasi ka shumë në SHQIPËRI, që mbetën prindër, pavarësisht gjithçkaje, dhanë shumë dashuri, mirësi, respekt, forcë për fëmijën e tyre, që njëherë ishte një fëmijë, adoleshente, studente, grua, por në çdo kohë prindërit e saj janë modeli i jetës së tyre.
Fëmijët në jetë kanë model prindërit e tyre, pavarësisht se edhe prindërit gabojnë, dashuria dhe forca e familjes triumfojnë në betejat e jetës!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.