FB

September 6, 2023 | 7:52

“Djalit tim i mungon babai” / Zonja e parë e Ukrainës rrëfen ndikimin e luftës në familjen e saj: Kam nevojë për bashkëshortin tim

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka folur së fundmi për ndikimin që ka pasur lufta në jetën dhe familjen e saj.

Në një intervistë për BBC, zonja e parë e Ukrainës ka treguar mungesën e bashkëshortit në familje për shkak të luftës.

“Kjo mund të jetë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim, jo një figurë historike, pranë meje”, tha ajo. “Por ne qëndrojmë të fortë, kemi forcë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku,” shtoi ajo. Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete, bashkë me fëmijët e saj.

Olena Zelenska e ka përshkruar gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit shumë të vështirë, ndërsa me kalimin e kohës, është shprehur se e ka parë të “nevojshme” të qetësohej dhe të fillonte të jetonte jetën në kushtet me të cilat po përballeshin.

Pasi doli nga fshehja vitin e kaluar, lufta e vuri në qendër të vëmendjes ish-skenaristen dhe që atëherë ajo ka udhëtuar nëpër botë për të takuar udhëheqës dhe për të mbajtur fjalime.

“Me burrin nuk jetojmë bashkë, familja është e ndarë”, ka thënë Olena Zelenska për BBC-së, “Ne kemi mundësinë të shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon shumë babai”, tha ajo.

Megjithatë, pasiguria e të jetuarit në luftë ka ardhur me një kosto emocionale për fëmijët e saj, ka thënë Zelenska.

“Më dhemb kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë. Në një moshë të tillë, të rinj. Vajza ime është 19 vjeç. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë”, tha ajo.

Zonja e parë dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u dashuruan që në shkollë të mesme dhe vazhduan të punonin së bashku në një trupë humori dhe studio televizive, ai si aktor dhe ajo si skenariste.

Olena Zelenska ka treguar se nuk e kishte ëndërruar kurrë që bashkëshorti i saj të bëhej “figura historike” që është sot, duke thënë se e ka marrë malli dhe ka nevojë që ai të qëndronte krah saj, si bashkëshorti i saj.

Puna e saj tashmë si zonja e parë, është fokusuar në ndihmën e ukrainasve që të përballen me ndikimin psikologjik të luftës, dhe po përgatitet të organizojë një samit në Kiev që do të fokusohet në shëndetin mendor dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve ukrainas.

“Unë me të vërtetë shpresoj se mund të frymëzoj dikë, mund t’i jap dikujt shpresë ose këshilla, ose të dëshmoj me shembullin tim se jetojmë, punojmë, ecim përpara,” tha Olena Zelenska. “Askush nuk mund ta dijë se çfarë i pret ata. Në fund të fundit, askush nuk mund ta imagjinonte që në shekullin e 21-të, një luftë e tillë do të fillonte në mes të Evropës, se do të ishte kaq mizore. Një luftë e përgjakshme. Nuk e kam imagjinuar kurrë që do të isha në këtë rol në këtë kohë”, tha ajo.

 

 

 

 

Burimi / Panorama Online

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top