Xhelozia është reagim ndaj perceptimit të kërcënimit që ekziston në një marrëdhënie, që jo gjithmonë bazohet në realitet. Ajo lidhet me ndjenjat e pabarazisë dhe papërshtatshmërisë në një lidhje dhe mund të prodhojë një numër të madh e të ndryshëm reagimesh emocionale.
Problemet e lidhura me xhelozinë zënë një vend të rëndësishëm në konfliktet mes çiftit. Në mosmarrëveshje të tilla, njëri ose të dy partnerët nuk arrijnë të përballojnë stresin e përditshëm dhe përdorin mënyra jo të përshtatshme të komunikimit. Këta faktorë ndikojnë në hiperbolizimin e problemeve. Zakonisht, këto ndjenja janë negative, si për shembull: stresi, turbullimi, armiqësia, zemërimi etj., por ka dhe ndjenja pozitive si eksitimi, dashuria, gjallëria etj.
Pra, xhelozia është gjendja e dobësimit të pushtetit, të nënkuptuar kur partneri xheloz ka frikë se ka humbur pushtetin për të tërhequr tjetrin. Xhelozia më e fortë dhe potencialisht më shkatërruese synon të rritet kur provon kërcënimin ndaj ekskluzivitetit seksual. Madje janë disa dallime kulturore në llojin e sjelljes që shkaktojnë xhelozinë seksuale. Një nivel i caktuar stresi dhe konflikti është i pashmangshëm kur njerëzit kanë lidhje të forta emocionale me njëri– tjetrin, sidomos kur ata jetojnë bashkë.
Nga natyra e tyre, marrëdhëniet intime krijojnë konflikte midis dëshirës së çdo partneri për pavarësi kundrejt dëshirës për afërsi, midis nevojës për të qenë i hapur dhe nevojës për privatësi, midis dëshirës për veprime të parashikuara dhe kundrejt asaj për të provuar romantizmin spontan. Nuk ekziston një ndarje e thiktë për të analizuar në një peshore xhelozinë mes meshkujve dhe femrave, pasi kjo gjë varet nga vetë individi, nga sjelljet e tij, nga karakteri, mendimet dhe në shumë raste kjo xhelozi është e trashëguar gjenetikisht. Përgjithësisht personat xhelozë janë ata më egoistët, që dëshirojnë një fokusim total të partnerit të tyre tek vetë ai. Këta individë e shfaqin xhelozinë e tyre në forma të ndryshme, por ka dhe nga ata që e mbajnë përbrenda dhe zgjedhin për të mos u prononcuar duke u bërë agresiv në vetvete.
Xhelozitë përjetohen ndryshe në gjini të ndryshme
Meshkujt përgjithësisht xhelozojnë për paraqitjen e femrës së tyre, si për shembull: për veshjen; mundohen të kontrollojnë se me kë komunikojnë ato, me kë flasin, duke u siguruar gjithmonë për të bërë publik faktin se femra është në krahët e tyre, pasi në këtë mënyrë e mposhtin xhelozinë. Kjo xhelozi ka ardhur si tipar i trashëguar ose si traditë që me lindjen e njerëzimit, me lindjen e dashurisë nga vetë natyra dominuese.
Femrat përgjithësisht xhelozojnë për ambientin rrethues të partnerit të tyre, për mënyrën si e kalojnë ata kohën dhe me kë e kalojnë, për pasionin e tyre, për faktin se pretendojnë se lihen mbas dore nga koha që ai i kushton shoqërisë së tij. Kjo mënyrë të xhelozuari është krijuar kohët e fundit, pra me evoluimin e kohërave, teknologjisë dhe formave të reja të argëtimit.
Në të vërtetë, xhelozia është një ndjenjë natyrale, por kur e kalon masën shndërrohet në sëmundje patologjike. Në këto raste personi duhet të pranojë gjendjen e tij dhe të marrë mbështetje psikologjike, pasi vetëm kështu mund ta mposhtë e të marrë fryte pozitive nga kjo terapi. Sigurisht që mosndarja e kohës së mjaftueshme për partnerin, mosplotësimi i nevojës për dashuri ndikon në shtimin e ndjenjës së xhelozisë, pasi personat që u kushtojnë kohë të mjaftueshme njëri–tjetrit vlerësojnë bisedën në çift, ndajnë jetën e përditshme, nuk përjetojnë kriza xhelozie.
PARTNERËT GJITHMONË DUHET T’I VLERËSOJNË EMOCIONET DHE SURPRIZAT E KËNDSHME, SEPSE ATO JANË ELEMENTI MË VITAL NË RAPORTIN ÇIFT.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.