FB

October 23, 2026 | 11:51

DORËHEQJA… nga Rezarta Gagani / Kur ia besojmë të tjerëve të drejtën për të menduar dhe për të vendosur për jetën tonë

 

Kur shoh të rinjtë që kanë dalë në rrugët e Tiranës, me policinë përballë, më shkon mendja edhe te shtëpitë ku ata do të kthehen. Te prindërit që i presin, që shqetësohen për ta, që ndoshta e kanë kaluar gjithë ditën përpara televizorit duke ndjekur protestën. Ka diçka që më duket e pazakontë në këtë përfytyrim. Një prind mund ta dojë fëmijën e vet më shumë se çdo gjë në botë dhe, në të njëjtën kohë, të jetë aq i lidhur me një parti politike, sa të mos e kuptojë se çfarë po kundërshton në të vërtetë fëmija i tij. Mund ta shohë të përballet me policinë, të shqetësohet për sigurinë e tij dhe, pak më vonë, të fillojë të diskutojë nëse kjo revoltë do ta rrëzojë qeverinë, nëse do të kthehen të tijtë, nëse do të marrë fund sundimi i atyre që ka urryer prej vitesh.

rezarta-gagani

Në këtë mënyrë, dy njerëz që e duan njëri-tjetrin dhe që mund të jenë plotësisht dakord se vendi duhet të ndryshojë, zbulojnë se po presin gjëra krejt të ndryshme nga i njëjti ndryshim. Njëri kërkon një të ardhme ku të mos ketë nevojë për një parti që t’i hapë rrugën. Tjetri vazhdon ta përfytyrojë të ardhmen përmes kthimit të partisë së tij. Dhe është e mundur që asnjëri të mos e kuptojë sa larg ndodhet nga tjetri. Ndoshta këta të rinj, kur dalin në rrugë pa dashur të bëhen pjesë e një kampi politik, nuk e dinë se po ngrihen edhe kundër diçkaje që e kanë njohur gjithë jetën brenda shtëpisë. Kundër asaj besnikërie të prindërve ndaj njerëzve të pushtetit, që nuk ka ndryshuar as pas zhgënjimeve, as pas premtimeve të pambajtura, as pas viteve kur jeta e familjes së tyre është bërë gjithnjë e më e vështirë. Prindërit u kanë mësuar të ecin me kokën lart, të jenë të pavarur, të mos lejojnë askënd t’i poshtërojë. Pastaj, me të njëjtën natyrshmëri, u kanë treguar për vite të tëra se cili politikan duhet mbështetur, cilit duhet t’i besohet dhe nga cili duhet pritur shpëtimi i vendit. Kjo besnikëri nuk kufizohet brenda familjes.

Një njeri mund të humbasë punën, të shohë fëmijët të largohen, të kalojë vite duke u ankuar për spitalet, shkollat, çmimet, padrejtësitë. Prapëseprapë, mjafton të përmendet emri i një politikani dhe tek ai zgjohet një gjallëri e jashtëzakonshme. I kujtohen ngjarje, data, tradhti, fjalime të harruara edhe nga vetë ata që i kanë mbajtur. Mund të mos dijë çfarë do të bëjë me vitet që i kanë mbetur, por e di me siguri të plotë kush duhet të qeverisë Shqipërinë.

Duket sikur mund të durojmë mungesën e ajrit më gjatë sesa mungesën e politikës.

Ka diçka intime në këtë besnikëri, diçka që e bën njeriun të mbrojë edhe atë që e ka zhgënjyer. Kur dikush ia vë në dyshim bindjen politike, ai nuk përgjigjet sikur po mbron një pikëpamje. Përgjigjet sikur i është prekur diçka nga vetja. Pas kaq shumë vitesh përkushtimi, të pranosh se ke gabuar do të thotë të pranosh edhe se një pjesë e jetës të ka kaluar në shërbim të një besimi që nuk e meritonte.

Është më e lehtë të humbasësh edhe disa vjet sesa të kthehesh e të shohësh të gjitha vitet që ke humbur.

Mediat e kanë kuptuar prej kohësh këtë nevojë dhe e ushqejnë me një përkushtim që do të ishte për t’u admiruar po t’i shërbente ndonjë gjëje tjetër. Nga mëngjesi deri në mbrëmje, fytyrat e politikanëve kalojnë nëpër ekranet tona. Kur nuk flasin vetë, flasin të tjerët për ta. Kur nuk ka një ngjarje, shqyrtohet mundësia e saj. Çdo fjali bëhet lajm, çdo kundërshtim ngjarje, çdo fyerje kërkon një studio të tërë për t’u interpretuar. Edhe heshtja e një politikani arrin të prodhojë disa orë diskutime.

Pak nga pak, politika nuk na shfaqet më si një veprimtari që duhet ta gjykojmë. Ajo bëhet mjedisi ku jetojmë mendërisht. Mediat na japin përditë përshtypjen se gjërat më të rëndësishme të vendit ndodhin midis atyre pak njerëzve që shohim në ekran. Një individ mund të ketë kaluar gjithë ditën duke dëgjuar për Shqipërinë, pa mësuar pothuajse asgjë për jetën e shqiptarëve.

protesta

Edhe revolta e të rinjve rrezikon të përfundojë kështu. Nga rruga merret zemërimi; në studio i gjendet përkatësia. Një kërkesë për të jetuar ndryshe përkthehet në një pyetje të vjetër: kush do të fitojë prej saj? Të rinjtë kërkojnë një të ardhme, ndërsa analistët u shpjegojnë se kujt i përket e tashmja. Në fund, revoltës i mbetet vetëm ajo pjesë që mund të përdoret në grindjen e përhershme për pushtetin.

Është një mjeshtëri e veçantë ta mbash një popull të zënë me politikën edhe kur ai mendon se po ngrihet kundër saj.

Ajo që më shqetëson edhe më shumë është zelli me të cilin këtij spektakli i bashkohen njerëz që kanë kaluar një jetë duke lexuar, studiuar, krijuar. Njerëz të letrave, të shkencës, të kulturës, prej të cilëve mund të pritej një horizont tjetër, shfaqin një entuziazëm gati fëmijëror sa herë që lëkundet një pushtet dhe krijohet mundësia e kthimit të tjetrit. Shpërndajnë receta politike, këshilla, preferenca; presin me padurim që kolltuku i vjetër të gjejë përsëri zotin e dikurshëm.

Një shkrimtar, i cili mund të kalojë vite duke u përpjekur të kuptojë kontradiktat e një personazhi, befas nuk njeh më asnjë kontradiktë te njeriu që mbështet. Një shkencëtar, që në profesionin e vet nuk do të pranonte një përfundim pa e shqyrtuar më parë, e gjen të vërtetën politike të gatshme, të plotë, të padiskutueshme.

Çfarë ka në këtë besnikëri që i mbijeton edhe zhgënjimit, edhe dijes?

Kanë kaluar gati tetëdhjetë e dy vjet nga vendosja e diktaturës në Shqipëri. Ajo përfundoi si sistem, por jo çdo gjë që rrënjosi te njeriu u zhduk bashkë me të. Një prej trashëgimive të saj më të qëndrueshme duket se është bindja se fati i një populli duhet t’i besohet një njeriu që pretendon se e di rrugën më mirë se të gjithë të tjerët.

Sa herë mendoj për këtë varësi, Shqipëria më ngjan me një të sëmurë që prej dekadash merr të njëjtën kurë për të njëjtën sëmundje. Në fillim ishte një mjek i vetëm. Më vonë erdhën të tjerë. Secili premtoi shërimin, secili fajësoi paraardhësin. I sëmuri mbeti po ai, sëmundja po ajo. Edhe kura nuk ndryshoi: një udhëheqës duhej zëvendësuar me një tjetër. Ndryshonte vetëm fytyra e mjekut që jepte po të njëjtën kurë.

Askush nuk dukej i interesuar për të kuptuar nëse pjesë e sëmundjes ishte pikërisht kjo nevojë për të pasur gjithmonë një mjek.

Diktatura mund të marrë fund në ligje e institucione dhe të vazhdojë të jetojë si zakon i mendjes.

Njeriu mund të fitojë të drejtën të zgjedhë dhe, megjithatë, t’ia dorëzojë gjykimin atij që ka zgjedhur. Mund të urrejë diktatorin dhe të ruajë të paprekur brenda vetes vendin që i kishte caktuar atij.

Ne kemi mësuar të zgjedhim bariun dhe e kemi quajtur të mjaftueshme.

Tani grindemi se kush duhet ta mbajë shkopin. Nuk na fyen më vendi që kemi pranuar në kope; na fyen vetëm kur shkopin e mban ai që nuk kemi zgjedhur.

Dhe kjo varësi nuk është aspak e pafajshme. Ajo na jep mundësinë ta vendosim përgjegjësinë për jetën tonë gjithmonë diku tjetër. Nëse vendi nuk ndryshon, fajin e ka qeveria. Nëse qeveria largohet dhe gjërat mbeten njësoj, fajin e ka ajo që erdhi pas saj. Ne vazhdojmë të presim, të zhgënjehemi, të zemërohemi, pa e shqyrtuar pothuajse kurrë pjesën që kemi vetë në riprodhimin e asaj që dënojmë.

Një njeri mund të kërkojë një shtet të ndershëm dhe të mos shqetësohet kur përfiton nga një padrejtësi. Mund të flasë me pasion për meritën, ndërsa pret që një mik t’i sigurojë vendin e punës së të birit. Mund ta urrejë korrupsionin te kundërshtari dhe ta quajë zotësi kur njeriu i tij di t’i hapë dyert. Ai nuk e sheh kontradiktën. E ka ndarë botën në dy pjesë: padrejtësitë që kryejnë të tjerët dhe nevojat që duhet të përmbushë vetë.

Tolstoi në shkrimin Tri mënyrat e reformës, vërente se të gjithë mendojnë ta ndryshojnë njerëzimin, ndërsa askush nuk mendon të ndryshojë veten.

Kjo është ndoshta kërkesa më e vështirë që mund t’i bëhet një njeriu: të heqë dorë nga kënaqësia e të qenit gjithmonë në anën e së drejtës. Është shumë më e lehtë të kundërshtosh një qeveri sesa të zbulosh se disa nga zakonet që urren tek ajo i ke ushqyer vetë, në përmasa më të vogla, gjatë gjithë jetës.

Asgjë nga këto nuk e çliron shtetin nga përgjegjësia e tij. Ai duhet të garantojë drejtësinë, arsimin, sigurinë, të krijojë kushte për punë dhe jetë të denjë, të ndërtojë institucione që nuk varen nga vullneti i një njeriu. Dhuna policore ndaj një qytetari nuk bëhet më e pranueshme për shkak të të metave të shoqërisë. Shteti nuk mund të kërkojë bindje ndaj ligjit dhe njëkohësisht ta trajtojë vetë ligjin si një privilegj të pushtetit.

Ajo që politika nuk mund të bëjë është të kryejë punën e njeriut mbi vetveten.

Mund të ndërtojë shkolla, por nuk mund t’i japë askujt dëshirën për të ditur. Mund të mbrojë lirinë e mendimit, por nuk mund ta mësojë njeriun të dyshojë te bindjet e veta. Mund të ndëshkojë korrupsionin, por nuk mund ta çrrënjosë nga mendja e qytetarit kënaqësinë për të qenë i privilegjuar.

Edhe kur ndryshojnë institucionet, njeriu mund të vazhdojë t’i përshtatë rregullat e reja me zakonet e vjetra.

Shqipëria nuk është një njeri, një parti apo kolltuku ku ulen me radhë fituesit. Ajo është bërë nga jetët, zakonet, mundimet dhe plagët e njerëzve që kanë punuar e kanë vdekur pa u përmendur kurrë në ndonjë fjalim. Nuk ka një politikan që mund ta mbajë mbi shpinë gjithë jetën e këtij vendi, ndërsa ne qëndrojmë pas tij duke pritur.

Dhe nuk ka asnjë fitore politike që mund ta përjashtojë njeriun nga përballja me veten.

Kjo është ajo që më duket se kemi humbur gjatë këtyre dekadave: jo vetëm besimin te institucionet, por edhe një pjesë të besimit te aftësia jonë për të menduar e për të vepruar pa lejen e dikujt. Kemi shpërdoruar aq shumë kohë duke ndjekur jetën e politikanëve, sa nganjëherë duket sikur nuk dimë më çfarë të bëjmë me jetën tonë jashtë tyre.

Nuk e di si do të përfundojë kjo revoltë, as nëse ata që kanë dalë në rrugë do të arrijnë ta ruajnë zemërimin e tyre nga duart e njerëzve që presin të përfitojnë prej tij. Më shqetëson mundësia që, pasi gjithçka të jetë qetësuar, të mbetemi përsëri duke pritur njeriun e radhës.

Vitet do të kalojnë. Kjo qeveri, si çdo qeveri tjetër, një ditë do të largohet. Do të vijnë të tjerë me premtime që ndoshta do të na duken të reja. Të rinjtë e sotëm do të rriten. Disa do të largohen, të tjerë do të qëndrojnë. Dhe mund të ndodhë që, pas dhjetë apo njëzet vjetësh, një brez tjetër të dalë në të njëjtat sheshe, të përballet me policinë e një qeverie tjetër dhe të kërkojë po atë të ardhme që kërkohet sot.

Atëherë do të ketë përsëri njerëz që do të shpresojnë se kësaj here mjeku i ri do ta gjejë kurën.

Do të jenë ndërruar fytyrat, premtimet, ndoshta edhe emri i sëmundjes.

Vetëm në sallën e pritjes do të vazhdojmë të njohim njëri-tjetrin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top