Dashuria për veten
Krijimi dhe vetëshkatërrimi si dy forcat bazë të psikës
Dy janë drejtimet e forcës së psikës tonë: forcat krijuese/rritëse – pulsioni seksual (Entalpia) dhe forcat shkatërruese -pulsioni i vdekjes (Entropia). Ashtu si psika jonë, gjithë Universi funksionon sipas dinamikës së këtyre forcave. Kur krijojmë apo ndërtojmë, emocione të bukura na ndjekin, emocione që na motivojnë të krijojmë gjithnjë e më shumë – ekspansivë si vetë Universi. Por ashtu si ndërtuesi krijon shtëpinë e tij, duhet që të gjitha forcat në lojë të jenë në Harmoni me njëra tjetrën. Vetëm Harmonia dhe rezonimi mund të japin një frut final, ku çdo pjesë apo nënpjesë punojnë për qëllimin e përbashkët. Ndaj ndjejmë përgjegjësinë për ta sjellë apo për ta ruajtur këtë harmoni. Kjo përgjegjësi lind nga Dëshira për Jetën… Dëshira për të lulëzuar…Dëshira për të shprehur…Veten.
Çfarë ndodh kur forcat shkojnë për poshtë?
Lajmi i mirë është që duke qenë forca shkatërruese, e kanë të pamundur të bashkekzistojnë. Kështu që shumë shpejt, sapo bien në kontakt me njëra-tjetrën, ato shkatërrohen. Hëm…Natyra është gjithmonë në Balancë: krijimi ngjitet lart, ndërsa mbetjet që rëndojnë poshtë asimilojnë njëra-tjetrën. Ky është ligj universal.
Deri këtu çdo gjë duket në rregull. Por pse realiteti ynë nuk është kaq i bukur? Pse nuk ndahem dot nga burri abuzues? Pse vazhdoj marr heroinë kur shoh vetëshkatërrimin tim? Pse vazhdoj punoj për shefin, kur e di që ai është një përfitues/hajdut? Pse i paguaj taksa shtetit, kur nuk besoj më në shtet? Pse shkoj te doktori që më bën të firmos për gjymtimin apo vdekjen time? Pse vetëm ankohem për gjithë padrejtësitë që më bëhen dhe nuk ia fus grushtin atij “malit” që s’bëzan? Pse jap energjinë, forcën time për diçka apo dikë të dështuar? Arsyeja duket sikur është trauma, por nuk është kaq e lehtë.
Një guru indian tregon një histori: Një burrë po ecte në mes të pazarit, me orën e martesës në dorë. Kalon me vrap një hajdut dhe ia merr. Ai zhduket bashkë më orën, mes turmës kaotike të pazarit. Burri mbushet me irritim e zemërim – ishte një orë më vlera emocionale për të. Po ndaj kujt është i drejtuar gjithë ky irritim dhe zemërim? Ndaj hajdutit do shprehej burri. Jo, – thotë guruja – ndaj Vetes!
Gjithmonë irritimi apo zemërimi, i nxitur prej ngjarjeve që na ndodhin dhe njerëzve të përfshirë në to, i drejtohet Vetes. Po ç’vlerë ka tashmë ky zemërim? A është në gjendje të zhbëjë ngjarjen? Arsyeja nga lind është paaftësia për ta parandaluar apo për t’i kursyer vetes të tilla trauma. Kjo paaftësi na vjen nga padija. Po të pranojmë që jemi të paditur dhe që kemi nevojë të mësojmë, nuk mërzitemi më as me tjetrin dhe as me veten.
Kështu çdo ngjarje jo e këndshme në jetën tonë, ngjiz emocione që nuk ndërtojnë, por vetëm shkatërrojnë. Pavarësisht se vetëdija jonë ia ngec fajin tjetrit për emocionin shkatërrues, nënvetëdija e di që ky emocion origjinon nga vetja.
Dhe kështu fillon kurthi i vetëfajesisë.
Nuk ndahem nga burri abuzues se meritoj të abuzohem. Nuk e lë heroinën se meritoj të vetëshkatërrohem. Do vazhdoj të punoj për hajdutin se vetëm për këtë punë jam i denjë. Do i paguaj taksa shtetit fantazëm, se këtë shtet meritoj. Do shkoj te doktori joshërues se nuk meritoj të shpëtoj. Do vazhdoj së ankuari dhe gjeneruari emocione negative sepse këtë mjerim meritoj. Pra vetëfajësia është një emocion që i përket forcave shkatërruese të psikës, prandaj na çon në vetëmohim.
Natyra nuk lodhet shumë. Ka ndërtuar mekanizma të tillë që çdo forcë shkatërruese të asimilojë veten. Ky është ligji i seleksionimit.
Patjetër vetëfajësia nuk është kaq personale sa duket. Duke qenë se na vjen nga nënvetëdija, është ngushtë e lidhur me kolektiven (meqë vetë nënvetëdija origjinon nga kolektivja). Si individë kolektivë, kemi nevojë të jemi të pranuar nga grupi. Kemi nevojë të marrim dashuri nga të tjerë.
Në kohërat që jetojmë sot, ku dominon inkoherenca kaotike e qëllimeve dhe forcave, pjesëmarrja apo dashuria kërkojnë kompromis. Si në shembujt e mësipërm, ky kompromis nuk është krijues apo rritës. Shpeshherë ai na çon në traumë e vetëmohim. Fajësojmë veten pse nuk kënaqim dot perversionin e tjetrit. Vazhdojmë të ushqejmë me energjinë tonë një mekanizëm shkatërrues që nuk ngopet asnjëherë. Dhe e gjejmë veten të ngecur te ky kurth i cili na gjymton e dobëson gjithnjë e më shumë. Atëherë si të dalim nga ky kurth? Mjafton të marrim përgjegjësinë mbi veten. Nuk duhet të harrojmë që ishte vetja ajo që zgjodhi pjesëmarrjen në kusur të vetes. Guruja na mëson se jemi vetë përgjegjës për çdo gjë që na ndodh.
Por ndarja nga grupi, braktisja, na lë të dobët e të lënduar. Traumat e të shkuarës na bëjnë të humbasim shpresën e besimin se një ditë mund të krijojmë e ndërtojmë. Dhimbja…dhimbja na përndjek duke na kujtuar disonancën e jashtme që vazhdon e gjallon.
Por çfarë është dhimbja? A nuk është dhe ajo një zjarr që djeg vazhdimisht trupin e shpirtin?! A nuk është një zjarr i ndarë nga qëllimi i tij – ekzistenca?! Dhimbja është forcë, thjesht me kahun drejt vetëshkatërrimit. Sipas ligjit të natyrës, forcat krijuese dhe ndërtuese duhet të jenë në harmoni/dashuri me njëra-tjetrën. Vetëm dashuria për veten mund t’i kujtojë zjarrit qëllimin e humbur. Vetëm dashuria mund ta shndërrojë dhimbjen në forcë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.