Mirëqenie

May 12, 2018 | 9:33

Dr. Arjana Sina / Kanceri i gjirit… më mirë të parandalosh se të kurosh

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te femrat në shumicën dërrmuese të vendeve të botës dhe ka disa metoda, nëpërmjet të cilave mund të kapet herët. Nëse ekzistojnë mundësitë infrastrukturore dhe profesionale, dallimi me mamografi, mbështetur ose jo me ekzaminimin klinik të gjirit, do të reduktonte vdekshmërinë nga ky kancer te femrat e moshës 45-69 vjeçe në pothuaj një të tretën. Përfitimi maksimal arrihet duke kryer depistim çdo vit.

Dr. Arjana Sina

Dr. Arjana Sina

Faktorët e riskut:

  • Predispozita familjare, me praninë e mutacioneve në genet BRCA1 dhe BRCA2, duke e rritur mundësinë me 10%-15% te femrat që e bartin këtë mutacion.
  • Aktiviteti i ulët fizik dhe mbipesha
  • Stresi
  • Përdorimi i alkoolit dhe duhanit
  • Përdorimi i kontraceptivëve
  • Patologjitë e mëparshme beninje të gjirit
  • Shtatzënitë mbi moshën 30 vjeç, etj.

Depistimi dhe diagnostikimi

Depistimi është procesi i kryerjes së ekzaminimeve periodike, pa evidentuar paraprakisht një problem në gji, i cili gjithashtu çon në dallimin e hershëm të tij dhe për pasojë edhe në trajtim të suksesshëm deri në shërim të plotë, në shumë raste.

Diagnostikimi, është konfirmimi i diagnozës me metoda intervencionuese dhe biopsi për rastet e konsideruara pozitivë nga depistimi apo shfaqja e shenjave klinike si: prekja e një mase, ndryshimi në sipërfaqjen e lëkurës, rrjedhje e sekrecioneve prej gjirit, etj.

Procedurat e depistimit dhe diagnostikimit

Në procedurat e depistimit përfshihen ekzamime që kryhen një herë në vit, si: mamografia, ekografia e gjirit. Nëse gjatë depistimit evidentohen të dhëna që sugjerojnë për kancer gjiri, atëherë thellohemi më shumë në ekzaminime më të hollësishme, si më poshtë:

  • Rezonanca magnetike e gjirit.
  • Biopsia, që është ekzaminimi që vendos 100% diagnozën dhe mbi bazë të së cilës nis trajtimi.

Mamografia bëhet pas moshës 40 vjeç, ndërsa ekografia kryhet në çdo moshë. Rezonanca është gjithashtu një ekzaminim i rëndësishëm për mosha nën 40 vjeç ose në paciente që janë në ndjekje për diagnozë të mëparshme me kancer gjiri.

Rëndësia e depistimit

Megjithëse Shqipëria ende nuk ka programe të organizuara të depistmit të kancerit të gjirit, përpjekjet e kryera gjatë 5 viteve të fundit kanë sjellë disa përparime lidhur me kapacitetet në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor. Ekziston një sensibilizim i madh, jo vetëm në sistemin shëndetësor publik, por edhe në atë privat. Megjithatë ende ekzistojnë barriera të rëndësishme financiare biografike dhe gjeografike lidhur me aksesin në shërbimet e kapjes së hershme të sëmundjes. Pra, nuk ka një rregullim ligjor të ofrimit falas të të gjitha testeve, ndërkohë që një numër i madh femrash të pasiguruara nuk mund të përfitojnë falas nga shërbimet, edhe kur ato ekzistojnë.

Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit ka efekt social, pasi do të rriste shumë shkallën e mbijetesës. Gjithashtu, është e ditur se trajtimi i kancerit të gjirit në stadet e hershme, është një strategji e efekshme kostosh edhe për vetë shtetin. Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje. Ai organizohet çdo vit dhe synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë globin.

Mesazhi i këtij viti është: Bëni zgjedhje të mira çdo ditë për shëndetin e gjirit tuaj!

Angazhimi në aktivitete fizike, ruajtja e një peshe normale të trupit, si dhe ushqyerja e shëndetshme ndihmojnë në parandalimin e kancerit të gjirit. Çfarë ju vendosni të bëni sot, mund të ndikojë në shëndetin e ardhshëm të gjirit tuaj. I ftoj të gjitha femrat që gjatë muajit tetor të mundin frikën apo neglizhencën dhe të kryejnë rutinën vjetore të ekzaminimit të gjirit, në shërbim jo vetëm të shëndetit dhe jetës së tyre, por dhe si një detyrim ndaj njerëzve të dashur.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 124

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top