Virozat tek fëmijët janë infeksione të shkaktuara nga viruse që prekin sistemin e frymëmarrjes, tretës, apo pjesë të tjera të trupit. Viruset janë një lloj mikrobi shumë i përhapur në natyrë. Ato shkaktojnë infeksione të tilla si “ftohja” (ndryshe në popull quhen gripi, viroza, rrufa, etj), bronkioliti, bajamet, infeksionet e veshit, gripi, shytat, lija, etj. Ka qindra viruse të ndryshme, të njohur dhe të panjohur, që prekin njeriun në forma të ndryshme, nga më të lehtat deri në të rënda.
Dr. Edi Tushe, Pediatër
Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj virozave për shkak të sistemit të tyre imunitar ende të pazhvilluar dhe ekspozimit të shpeshtë në mjedise si ambiente si shkolla dhe çerdhe. Virozat janë shumë të zakonshme tek fëmijët e shëndetshëm. Fëmijët parashkollorë mund të preken 5 – 6 herë në vit, kurse ata që janë më të vegjël 12 – 20 herë në vit, pra gati 1 – 2 herë në çdo muaj. Shpesh ndodh, që një fëmijë të sëmuret nga një virus menjëherë pasi të përmirësohen nga një tjetër, kështu që mund të duket se janë të sëmurë gjatë gjithë kohës. Ndërsa fëmijët rriten, virozat zakonisht pakësohen. Shumica e virozave janë të lehta dhe nuk zgjasin më shumë se 3 – 5 ditë.
Shenjat e virozave
Nëse fëmija juaj ka një virozë, ai mund të shfaqë një sërë shenjash, si:
- Bllokim hundësh, ose rrufë
- Skuqje të syve, lotim të shtuar, ose sklepa
- Dhimbje fyti
- Temperaturë të lartë dhe ethe
- Teshtima dhe kollë
- Të vjella dhe/ose diarre
- Nevojë për më shumë gjumë
- Mungesë oreksi, etj.
Si përhapen sëmundjet virale?
Virozat përhapen lehtë përmes:
– Spërklave, kur dikush kollitet, teshtin, ose flet
– Kontaktit të drejtpërdrejtë me sipërfaqe të ndotura (lodra, tavolina, doreza dyersh)
– Përmes ushqimit ose ujit të ndotur, veçanërisht për gastroenteritet
Zakonisht ka një vonesë midis kohës kur një fëmijë është i ekspozuar ndaj virusit dhe kur ai zhvillon sëmundjen. Kjo vonesë është përgjithësisht disa ditë, por disa viruse mund të zgjasin deri në dy ose tre javë përpara se të shfaqen shenjat.
Parandalimi i virozave tek fëmijët
1. Higjiena e mirë zvogëlon mundësinë e marrjes së viruseve ose kalimit të tyre tek të tjerët. Larja e duarve është thelbësore, por edhe të tjera si mos këmbimi i të njëjtave gota dhe enë që përdoren për ushqim, përdorimi i shamive me një përdorim, etj.
2.Veçimi, ose ruajtja e distancës: Shmangia e kontaktit të ngushtë me persona të sëmurë dhe e mjediseve të populluara, ruajtja e distancës në ambientet e populluara. Nëse fëmija juaj po kalon një virozë, mbajeni në shtëpi dhe mos e dërgoni atë në kopsht, ose shkollë, derisa të jetë përsëri mirë.
3. Ushqyerja e larmishme: Është pothuajse e pamundur ta parandaloni fëmijën tuaj nga infektimi me viruse, por ju mund të ndihmoni ta mbani sistemin imunitar të fëmijës tuaj në gjendje të mirë duke u siguruar që ai të ketë një dietë të ekuilibruar dhe gjumë të bollshëm. Në kundërshtim me një besim popullor, shumica e fëmijëve nuk kanë nevojë të marrin vitamina për të përmirësuar imunitetin e tyre.
4.Vaksinimi: Është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga shumë viroza të rrezikshme e të dëmshme, si fruthi, shytat, rubeola, lija e dhenve (varicela), etj. Prindi duhet të jetë i përditësuar me skemën vaksinale të fëmijës së vet. Vaksinimi është një strategji e rëndësishme për të pakësuar rrezikun e sëmundjeve të rënda të shkaktuara tek fëmijët e vegjël nga disa viruse të zakonshme të frymëmarrjes. Fëmijët e vegjël, veçanërisht foshnjat, kanë sistem imunitar që është ende në zhvillim. Përveç kësaj, mushkëritë dhe rrugët e tyre të frymëmarrjes janë më të vogla, duke i bërë viruset që prekin rrugët e frymëmarrjes më të rrezikshëm.
Studimet kanë treguar se:
– Foshnjat nën 6-muajsh shtrohen në spital prej COVID – 19, aq sa të rriturit e moshës 65-74 vjeç.
– Shumë fëmijë me moshë më të vogël se 5 vjeç shtrohen në spital për shkak të infeksionit RSV, ku foshnjat janë ndër ata që rrezikojnë më shumë.
– Fëmijët më të vegjël se 5 vjeç, por veçanërisht ata më të vegjël se 6 muaj, kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar ndërlikime serioze të lidhura me gripin.
Kujdesi në shtëpi
Për shumicën e virozave nuk ka një trajtim specifik antiviral, por mund të lehtësohen shenjat e tyre.
Virozat nuk mund të trajtohen me antibiotikë. Trajtimi më i mirë është që të lejosh sistemin imunitar të
fëmijës tuaj të luftojë virusin. Këto janë disa masa të thjeshta që e qetësojnë dhe e lehtësojnë fëmijën tuaj:
• Ofrojini shumë ujë fëmijës suaj në sasi të vogla dhe të shpeshta. Kjo ndihmon në lehtësimin e dhimbjes së fytit duke e mbajtur të lagësht atë dhe zëvendëson humbjet e lëngjeve të trupit prej temperaturës së lartë dhe eventualisht, të vjellave, ose diarresë. Uji është më i miri, por edhe mbajtja në gojë e copave të akullit është gjithashtu një mënyrë e mirë për hidratimin e fëmijës. Dhënia e lëngjeve të mjaftueshme është veçanërisht e rëndësishme tek foshnjat (vendosje të shpeshta në gji, ushqyerje të shpeshta me formulë, i ofrohet shpesh ujë, pavarësisht faktit se e pi, apo jo, i vogli).
• Mos u shqetësoni nëse fëmija juaj nuk ha për disa ditë. Kur të ndihen më mirë, do të fillojnë të hanë përsëri.
• Lëreni fëmijën tuaj të pushojë, mos e zgjoni kur fle (shumë prindër i mbajnë zgjuar fëmijët kur ata janë me temperaturë – kjo është shumë e gabuar).
• Pastroni hundët e foshnjës me tretësirë fiziologjike, në mënyrë që të lehtësohet ushqyerja.
• Jepini fëmijës tuaj paracetamol, ose ibuprofen në rast se ai ndjen dhimbje, ose nëse fëmija juaj është i grindur, ose jo me gjallërinë e zakonshme.
• Kujdesi ndaj kollës: Kollitjet mund të lehtësohen duke siguruar ajër të lagësht në dhomë, me anë të aerozolit me tretësirë fiziologjike, haloterapi, ose duke përdorur mjekime natyrale për qetësimin e fytit, si çaj me mjaltë (për fëmijë mbi 1 vjeç). Mos përdorni paracetamol ose ibuprofen vetëm për të ulur temperaturën. Temperatura ndihmon trupin të përmirësohet natyrshëm.
• Mos përdorni barna të tjera nëse nuk këshillohet nga një mjek ose profesionist i kujdesit shëndetësor.
• Fëmija juaj ka të ngjarë të ndihet më mirë brenda disa ditësh, por mund të mos jetë mirë deri në dy javë. Një kollë mund të zgjasë për disa javë.
Shpeshherë, në lëkurën e fëmijës shfaqen puçrriza ose skuqje të lëkurës. Shumica e tyre janë të lehta dhe nuk i shkaktojnë fëmijës tuaj ndonjë shqetësim. Zakonisht shfaqen kur fëmija nuk ka më temperaturë dhe shpesh janë një shenjë se fëmija po përmirësohet.
Kur duhet të shkoni tek mjeku?
Mirë është që të vendosni një komunikim me mjekun tuaj të familjes dhe ta informoni për çdo gjë. Ai pastaj mund të gjykojë se cili është momenti më i përshtatshëm për ta parë konkretisht fëmijën. Gjithsesi, nëse fëmija juaj nuk po përmirësohet pas 48 – 72 orësh, ose po përkeqësohet, çojeni tek mjeku juaj. Duhet të vizitoni fëmijën, gjithashtu, nëse vëreni ndonjë nga shenjat e mëposhtme:
- Dhimbje që nuk përmirësohet nga paracetamoli, ose ibuprofeni
- Të vjella dhe barkqitje të vazhdueshme
- Temperaturë e lartë që nuk përmirësohet
- Refuzimi i pirjes
- Përgjysmimi i numrit të pelenave të lagura një skuqje ose njollë që nuk zbardhet kur e shtyni
- Foshnja nën 3 muaj që ka temperaturë të lartë dhe nuk ushqehet mirë.
Duhet të kërkoni ndihmë mjekësore urgjente në rast se:
- Fëmija është shumë i zbehtë ose i nxihen buzët.
- Është i përgjumur dhe e ka të vështirë të zgjohet.
- Ka probleme me frymëmarrjen (frymëmarrje të shpeshtë, me fishkëllimë, ose të ngjashme me astmën).
- Shfaq dhimbje koke, ngurtësim të qafës, ose dhimbje shpine.
- Ka ethe të shoqëruar me pulla në lëkurë (njolla të vogla të kuqe të ndezur, ose ngjyrë vjollcë, ose mavijosje të pashpjegueshme).
- Fëmija është më pak se 1-muajsh.
KLINIKA VERA-VIRHOV | RRUGA ISLAM ALLA
TIRANË TEL: 068 60 64 320 | 04 -222 6441
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.