FB

March 1, 2024 | 11:38

Dr. Edi Tushe: Streptokoku tek fëmijët

 

Në një botë ku shëndeti dhe higjiena janë prioritete të rëndësishme, bakteret si Streptokoku shkaktojnë shqetësime të mëdha për jetën në publik. Streptokoku është një grup bakteresh sferike, të cilat shpesh shkaktojnë infeksione të ndryshme tek njerëzit. Në veçanti, disa lloje të streptokokëve, siç është ai i tipit A tek fëmijët, janë të njohur për shkaktimin e infeksioneve të fytit, fytyrës, të rrugëve të frymëmarrjes, organeve të brendshme si zemra, madje edhe të sistemit nervor. Një tjetër sfidë në menaxhimin e streptokokut është rezistenca ndaj antibiotikëve, sfidë që kërkon një qasje të integruar për menaxhimin e këtij bakteri. Kjo përfshin përdorimin e diagnostikës së saktë për të identifikuar infeksionet streptokokale, përdorimin e terapisë së përshtatur për të trajtuar infeksionet në mënyrë efektive dhe menaxhimin në përdorimin e antibiotikëve në mënyrë që të minimizohet rezistenca.

ediDoktorit Edi Tushe, mjek i njohur pediatër pranë klinikës Vera-Virhov në Tiranë, shumë prindër i besojnë shëndetin e foshnjes apo fëmijës së tyre. Me një ekspertizë të lartë profesionale, doktor Edi është shëruesi babaxhan i të vegjëlve. I qetë dhe shpjegues fort i qartë, ai ka ndihmuar pafund fëmijë dhe prindër në gjetjen e zgjedhjeve të duhura për të kuruar sëmundshmëri të ndryshme të moshave pediatrike. Mjeku Tushe nuk është partizan i përdorimit të barnave të forta, apo antibiotikëve siç i njohim në përditshmëri, por këmbëngul në praktika të shëndetshme, pa e dëmtuar zhvillimin natyral të fëmijës. Nisur nga sfida aktuale për shumë prindër, infeksionet e shkaktuara nga bakteri streptokok A, në këtë artikull mjeku Edi Tushe na informon më shumë rreth këtyre sëmundjeve, shenjave që duhet të na bëjnë vigjilentë dhe se si trajtohet pranë Klinikës Mjekësore Vera-Virhov, aty ku ky bakter ndalet në front dhe luftohet me profesionalizëm.

 

Streptokoku tek fëmijët: ҫfarë duhet të dimë?

Streptokoku është një bakter që shkakton një larmi infeksionesh tek njeriu. Ai është shumë i përhapur tek fëmijët, veçanërisht kur ata ndjekin kopshte e shkolla. Shumë prej infeksioneve të shkaktuara nga streptokoku A janë të lehta si: fyti i skuqur, puçrrat në lëkurë ose skarlatina. Ndonjëherë infeksioni prej këtij mikrobi është i rëndë dhe kërcënues për jetën (infeksioni në gjak, gjendja e shokut toksik, ose fasciitis nekrotizues). Infeksioni prej Streptokokut A është i rëndësishëm edhe për faktin që disa javë pas kalimit të këtij infeksioni, mund të shfaqen sëmundje invalidizuese si ethet reumatizmale, dëmtimi i veshkave dhe i psikikës, veҫanërisht kur infeksioni shpërfillet dhe nuk trajtohet si duhet. Mikrobi qarkullon zakonisht në dimër dhe epidemia zgjat rreth dy muaj. Gjatë këtyre viteve të fundit janë vërejtur më shumë fëmijë të prekur nga ky mikrob, i cili po qarkullon për një kohë edhe më të gjatë se zakonisht.

 

bajame

Çfarë është streptokoku dhe si përcillet?

Streptococcus pyogenes, i njohur më mirë si streptokoku beta hemolitik i grupit A, është një bakter që mund të kolonizojë fytin dhe lëkurën, duke shkaktuar zakonisht infeksione të lehta. Infeksioni streptokoksik përcillet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me spërklat e fytit, ose të hundës të individëve të infektuar, ose përmes prekjes së një sipërfaqeje të ndotur dhe më rrallë përmes ushqimit.

Tek të rriturit dhe fëmijët shumë të vegjël, streptokoku shpesh mbetet pa shenja, ose kufizohet në dhimbje të fytit. Ndërsa fëmijët ndërmjet 3 dhe 15 vjeç rrezikojnë të zhvillojnë ndërlikime më të mëdha. Ky bakter mund të të infektojë shumë herë, pasi ka shumë nëngrupe të tij. Por edhe pse infeksioni mund të të prekë shpesh, ai nuk krijon imunitet të përhershëm.

 

Pse epidemia e streptokokut është bërë më e gjatë dhe më agresive së fundmi?

Këto vitet e fundit vërehet se koha në të cilën qarkullon mikrobi është më e gjatë se zakonisht, duke prekur një numër shumë më të madh fëmijësh. Periudha e Covid-19, e karakterizuar nga izolimi, distancimi social, maskat, etj., bëri që sistemi imunitar të mos stimulohej, dhe për rrjedhojë të dobësohej. Pasi u hoqën të gjitha kufizimet, pati një sërë infeksionesh te fëmijët, duke përfshirë dhe streptokokun A, të cilin sistemi ynë imunitar “i dembelosur” e kishte veçanërisht të vështirë ta përballonte. Ndërkaq, më në fund, po vërehet një rënie e vazhdueshme e rasteve, veçanërisht e lidhur me kohën më të madhe që fëmijët kalojnë jashtë, larg vendeve të mbyllura.

 

Si shfaqet streptokoku i fytit?

Shenjat e streptokokut janë zakonisht skuqja e fytit, ose e bajameve, të cilat duken të zmadhuara dhe të kuqe, temperatura e lartë dhe vështirësia në gëlltitje. Ndonjëherë mund të shfaqen të ashtuquajturat pllaka, të cilat, megjithatë, mund të shfaqen edhe pas një infeksioni viral. Për shkak të shenjave gati të njëjta, është e vështirë të dallojmë nëse kemi të bëjmë me një infeksion nga viruset. Megjithatë, virozat shumë shpesh paraqesin dhe shenja të tjera që mungojnë në rastin e streptokokut si skuqja e syve (konjuktiviti), kolla, ngjirja e zërit, ose çrregullimet e zorrëve (barkqitja).

Tipike për streptokokun është skarlatina, e cila shfaqet në 10% të rasteve. Krahas shenjave klinike tipike për infeksionin streptokoksik, në lëkurë vërehet një skuqje e imët pranë ijeve dhe sqetullave, të cilat përhapen në bark dhe gjymtyrë.

 

Si diagnostikohet streptokoku i fytit?

Shenjat klinike: skuqja e fytit, zmadhimi i bajameve, temperaturë e lartë.

Testi shpejtë i Streptokokut A: është i përzgjedhur sepse në pak minuta vendoset diagnoza. Në rast se ky test rezulton negativ, por kemi dyshim të fortë për një infeksion nga streptokoku, bëhet kultura e fytit (ose mbjellja e mikrobit).

Mbjellja, ose kultura e fytit: është më i ndjeshëm si test, por marrja e përgjigjes vonon 2 – 3 ditë; prandaj testi i shpejtë është i preferuar.

Testi molekular (Polymerase Chain Reaction, PCR): është shumë më i saktë, por i shtrenjtë dhe zbulon materialin gjenetik të streptokokut.

Për të diagnostikuar streptokokun përdoret një shtupë (tampon), që kalohet me kujdes në grykën dhe bajamet e fëmijës. Fshirja e fytit me tamponin duhet të bëhet siҫ duhet, sepse për shkak të rezistencës që fëmija paraqet, rezultati mund të mos jetë i saktë. Testet e shpejta, të cilat kanë një ndjeshmëri prej 85%, normalisht janë të mjaftueshme për të arritur në një diagnozë të saktë. Megjithatë, kultura, ose mbjellja siҫ shprehet populli, pavarësisht se ka një ndjeshmëri pak më të lartë, rekomandohet vetëm kur gjendemi në prani të rasteve, të cilat edhe pse duken të jenë streptokoksike nga pikëpamja klinike, si për shembull skarlatina, janë negative në testin e shpejtë.

Një pjesë e madhe njerëzish janë bartës të streptokokut: bakteri është i pranishëm në fytin e fëmijëve (po flasim për një përqindje të konsiderueshme, midis 5 dhe 20% gjatë një epidemie), por pa shkaktuar një infeksion të vërtetë. Në këtë rast është mirë të kihet parasysh se fëmija nuk është ngjitës dhe për këtë arsye nuk ka shenja.

 

bajame1

Antistreptolizina O

ASO, ose ASLO është trupi mbrojtës që krijohet në organizmin tonë në përgjigje të infeksionit nga streptokoku. Matja e këtij antitrupi në gjak ndihmon për të mbikëqyrur disa sëmundje, rrjedhojë e infeksionit streptokoksik, si ethet reumatizmale, glomerulonefriti, PANDAS, etj.

ASLO mund të jetë pozitiv dhe në rrethana të tjera shëndetësore si në virozat, sëmundjet e mëlҫisë, apo në sëmundjet autoimmune. ASLO duhet të interpretohen me kujdes dhe së bashku me shenja të tjera klinike dhe laboratorike. ASLO shërben për të vërtetuar një infeksion aktual, ose të kaluar nga streptokoku, për të ndjekur ecurinë e mjekimit, ose acarimin e sëmundjeve të lidhura me infeksionin prej streptokokut.

Niveli ASLO në gjak rritet 1 – 3 javë pas infeksionit nga streptokoku dhe arrijnë nivelin më të lartë pas 3 – 5 javësh dhe bien në nivele të parëndësishme pas 6 muajsh.

 

Ҫrregullimet e shfaqura pas një infeksioni streptokoksik

Këto janë një grup çrregullimesh autoimune që ndodhin pas një infeksioni me mikrobin në fjalë. Në këto çrregullime, sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e shëndetshme, shpesh pas pastrimit të infeksionit fillestar bakterial.Një nga detyrat e sistemit tonë imunitar është të mbrojë trupin nga mikrobet. Sistemi imunitar prodhon disa lëndë të quajtura antitrupa, që synojnë të bllokojnë dhe të vrasin mikrobet. Antitrupat zakonisht injorojnë qelizat normale të shëndetshme. Sëmundjet autoimune ndodhin kur sistemi imunitar i ngatërron qelizat normale me ato mikrobike dhe fillon t’i sulmojë ato sikur të ishin qeliza mikrobike.

Streptokoku është i veҫantë, sepse arrin të mbijetojë në organizmin tonë duke ngjitur në murin e qelizës së vet molekula që janë pothuajse identike me molekulat që gjenden në lëkurë, zemër, nyje dhe indet e trurit. Në këtë mënyrë mikrobi “i fshihet” sistemit tonë imunitar dhe ndërkaq sistemi imunitar i konsideron “armike” qelizat e veta dhe fillon t’i sulmojë sikur të ishin mikrobe. Kështu fillon të ndodhë dëmtimi i indeve në organe të caktuara.

 

Më poshtë përshkruhen disa shembuj të çrregullimeve poststreptokoksike:

Ethet reumatizmale: Është një sëmundje që prek kryesisht zemrën, kyҫet, trurin dhe lëkurën. Ndodh 2 – 4 javë pas një infeksioni streptokoksik, që nuk është trajtuar si duhet. Preken kryesisht fëmijët e moshës 3 – 15 vjeҫ, por edhe fëmijë më të vegjël, ose të rriturit. Kjo sëmundje shkakton dëmtime të përhershme të valvulave të zemrës dhe zemrës.

Glomerulonefriti: Ndodh 1 – 2 javë pas infeksionit nga streptokoku. Shenjat kryesore janë urina me ngjyrë si të shpëlarat e mishit (hematuria), e turbullt (proteinuria), rritja e tensionit arterial, enjtja e anësive, etj.

PANDAS: Është shkurtimi prej gjuhës angleze për “Pediatric Autoimmune Neuropsychiatric Disorders Associated With Streptococcal Infections”, që do të thotë në shqip “ Ҫrregullimet autoimmune neuropsikiatrike pediatrike prej infeksionit streptokoksik”. 2 – 4 javë pas një infeksioni nga streptokoku, disa fëmijë shfaqin shenja të ҫrregullimeve të ndryshme të sjelljes dhe psikikës.

Korea e Sydenham: Karakterizohet nga dridhje dhe lëvizje përdredhëse të gjymtyrëve dhe shtrembërime të pavullnetëshme të fytyrës. Më e zakonshme tek vajzat dhe fëmijët e moshës 5 – 15 vjeç.

Dhimbja e muskujve: Karakterizohet nga dhimbje të forta dhe ndjeshmëri e lartë në prekje të muskujve.

 

bajame2

Mjekimi

Sapo diagnostikohet një infeksion nga streptokoku fillohet menjëherë mjekimi me antibiotikë.Vonesat në fillimin e mjekimit mund të nxisin ҫrregullimet autoimmune.Infeksionet e rënda kërkojnë trajtim të specializuar në spital.

 

Parandalimi i infeksionit nga streptokoku A

Fatkeqësisht ende nuk kemi një vaksinë për parandalimin e infeksionit nga streptokoku i grupit A. Masat parandaluese përfshijnë:

Higjienë e përshtatshme – Larja e duarve me ujë dhe sapun pakëson përhapjen e mikrobit. Rol të rëndësishëm luan përdorimi i dorës dhe shamisë kur kollitemi, ose teshtijmë.

Përdorimi i antibiotikëve për parandalim – Nuk këshillohet si rutinë: shumica dërmuese e personave që kanë pasur kontakt me dikë me infeksion nga streptokoku nuk duhet të trajtohen. Përjashtim mund të bëjnë personat që kanë qenë afër dikujt me infeksion të rëndë streptokoksik.

Fatkeqësisht nuk ka një vaksinë për streptokokun, kështu që parandalimi bazohet krejtësisht në higjienën e duarve dhe duke shmangur kollitjen dhe teshtitjen e pakujdesshme në mjedise me shumë njerëz.

 

Për t’u mbajtur mend

  • Shenjat klinike të infeksionit nga streptokoku janë fyti i skuqur, temperatura, dhimbjanë gëlltitje.
  • Fëmijët 3 – 15 vjeç rrezikojnë të zhvillojnë ndërlikime më të mëdha.
  • Kur infeksioni shpërfillet dhe nuk trajtohet si duhet, mund të shfaqen sëmundjet autoimune.
  • 5 – 20% e fëmijëve janë bartës të streptokokut. Ata janë pa shenja klinike dhe jo ngjitës dhe nuk duhet të mjekohen.
  • Testi shpejtë i Streptokokut A është i përzgjedhur sepse vendos diagnozën në pak minuta.
  • ASLO të larta nuk tregojnë gjithmonë një infeksion, shërbejnë për të vërtetuar një infeksion aktual, ose të kaluar nga streptokoku, për të ndjekur ecurinë e mjekimit, ose acarimin e sëmundjeve autoimune.
  • Fëmijët me ASLO të larta dhe që nuk vuajnë ndonjë nga sëmundjet autoimmune nuk duhet të mjekohen me antibiotikë.
  • ASLO mund të jetë pozitiv dhe në rrethana të tjera shëndetësore.
  • Ende nuk ka një vaksinë kundër infeksionit streptokoksik.
  • 24 orë pas fillimit të mjekimit individët e prekur nuk janë më përcjellës të sëmundjes.

 

 

Adresa: Klinika Mjekësore Vera-Virhov
Rruga: “IslAa Alla, Tiranë
Cel: 0686064 320   –   Tel: 
04-222 6441

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top