*Dr. Fatbardha Xhani (Myslimaj)
PhD MD në psikiatri Klinika Vera-VIRHOV
Në jetën e përditshme, jo rrallë na ndodh pasi largohemi nga shtëpia ose puna, të pyesim veten nëse e kemi mbyllur çesmën, dritën, e hoqëm prizën e hekurit të hekurosjes, e mbyllem mirë derën para se të ikim nga shtëpia, etj. Rikontrolli i tyre na detyron ndonjëherë të kthehemi e të konfirmojmë këtë dyshim. Ka raste kur kjo kthehet në një ritul të domosdoshëm, i cili përsëritet vazhdimisht, aq sa na dëmton cilësinë e jetës. Në këtë rast bëhet fjalë për një çrregullim të shëndetit mendor, i cili karakterizohet nga disa shenja e simptoma, faktorë risku(rreziku), shkaqe, kritere të caktuara diagnostikimi e trajtimi.
Çrregullimi obsesivo-kompulsiv karakterizohet nga një model mendimesh dhe frikërash të padëshiruara (obsesione) që çojnë në sjellje të përsëritura (kompulsione). Këto obsesione dhe detyrime ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme dhe shkaktojnë shqetësime të konsiderueshme, saqë jeta bëhet e vështirë dhe e padurueshme.
Shenjat dhe simptomat: Çrregullimi mund të shoqërohet me simptoma të obsesioneve, kompulsioneve ose të dyja bashkë. Simptomat mund të ndikojnë në shumë aspekte të jetës, për shembull në punë, në shkollë dhe në marrëdhëniet personale dhe interpersonle të individit.
Obsesionet janë mendime, nxitje ose imazhe mendore të përsëritura që shkaktojnë shqetësim, të cilat përfshijnë:
– Frikën nga infektimi me baktere, viruse ose ndonjë formë kontaminimi;
– Pasigurinë dhe vështirësië për të përballuar diçka të panjohur;
– Mendimet të padëshiruara të ndaluara ose tabu për seksin, fenë ose lëndimet;
– Mendimet agresive ose të frikshme për humbjen e kontrollit dhe lëndimin e vetes ose të të tjerëve;
– Vendosjen e objekteve në një rend simetrik ose të përsosur.
Kompulsionet janë sjellje të përsëritura që ju ndiheni të detyruar t’i kryeni. Këto sjellje të përsëritura ose ndikime mendore synojnë të zvogëlojnë ankthin që lidhet me obsesionet ose të parandalojnë të ndodhë diçka e keqe. Megjithatë, fakti që ju i kryeni këto mendime të detyruara (kompulsione) nuk ju jep kënaqësi, mund të çojë vetëm në lehtësim të përkohshëm të ankthit, i cili përsëritet e përsëritet sërish, deri në lodhje.
Kompulsionet e zakonshme përfshijnë:
– Pastrimin e tepërt dhe/ose larjen e tepruar të duarve;
– Rregull/ përshtatshmëri e tepruar;
– Renditja dhe vendosja e objekteve në mënyrë specifike dhe precize;
– Kontrollimi i vazhdueshëm i gjërave, si p.sh. kontrolli i vazhdueshëm nëse dera është e kyçur ose nëse furra është e fikur.
Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha ritualet ose zakonet janë detyrime. Të gjithë i kontrollojnë gjërat ndonjëherë nga dy herë, por kur kemi të bëjmë me çrregullim, njerëzit në përgjithësi kanë këto shqetësime:
• Nuk mund t’i kontrollojnë mendimet ose sjelljet e tyre, edhe pse ato mendime ose sjellje njihen si të tepruara;
• Kalojnë të paktën 1 orë në ditë me këto mendime apo sjellje;
• Nuk ndjejnë kënaqësi pas kryerjes së ritualeve apo sjelljeve, por mund të ndiejnë një lehtësim të shkurtër nga ankthi që i’u shkaktojnë mendimet;
• Përjetojnë probleme të rëndësishme në jetën e tyre të përditshme për shkak të këtyre mendimeve ose sjelljeve;
Simptoma të tjera të çrregullimit, tek disa njerëz janë faktet që shpesh kur janë të shqetësuar përjetojnë tike/mimika.
Tiket mund të shfaqen si tike motorike, të cilat janë lëvizje të papritura, të shkurtra, të përsëritura, si pulsimi i syve, grimasat e fytyrës, ngritja e shpatullave, etj. Simptomat mund të shfaqen dhe të zhduken, të përmirësohen me kalimin e kohës ose të përkeqësohen. Këto shqetësime mund të ndodhin si tek te rriturit edhe tek fëmijët, (ku çrregullimi mund të vërehet nga ana e prindërit ose mësuesit). Shumica e të rriturve e kuptojnë se ajo që po bëjnë nuk ka kuptim, kështu që ata kërkojnë ndihmë mjekësore vetë, por shpesh ndodh që të përdorin edhe alkool për të qetësuar simptomat, ose anksiolitike.
Faktorët e rrezikut
Çrregullimi obsesiv kompulsiv është një çrregullim i zakonshëm që prek të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët në mbarë botën. Shumica e rasteve diagnostikohen rreth moshës 19 vjeç, zakonisht me një moshë më të hershme të fillimit tek djemtë sesa tek vajzat, ndërsa faza më e vonshme e fillimit të këtij çrregullimi ndodh pas moshës 35 vjeç, pasi shpesh herë njerëzit mësohen me këto simptoma dhe i konsiderojnë të zakonshme.
Shkaqet e çrregullimit obsesiv kompulsiv janë të panjohura, por faktorët e rrezikut përfshijnë:
-Faktorët gjenetikë, që tregojnë se nëse të afërmit e shkallës së parë (si prindi, motra, vëllai) që kanë çrregullim obsesiv kompulsiv edhe ju keni gjasa të rritura për të zhvilluar këtë çrregullim;
-Struktura dhe funksionimi i trurit, ndryshime të caktuara strukturore në korteksin frontal dhe strukturat subkortikale të trurit tek pacientët me çrregullim obsesiv kompulsiv;
-Mjedisi i jetesës, Disa studime kanë treguar një lidhje ndërmjet traumës së fëmijërisë dhe simptomave obsesive-kompulsive.
Në disa raste, fëmijët mund të zhvillojnë simptoma të çrregullimit obsesiv kompulsiv pas infeksionit të streptokokut, gjendje qe njihet si Çrregullim Neuropsikiatrik Autoimun Pediatriki shoqëruar me Infeksione Streptokoksike (PANDAS);
-Ngjarjet stresuese të jetës te cilt shpesh jane shkaktare ne lindjen dhe zhvillimin e sjelljeve obsesivo-kompulsive.
Komplikacionet
Problemet që lindin nga çrregullimi obsesiv-kompulsiv ndër të tjera mund të përfshijnë:
– Kohën e tepërt të kaluar në sjellje rituale;
– Problemet shëndetësore, si dermatiti nga larja e shpeshtë e duarve;
– Vështirësitë në kryerjen e aktiviteteve në punë, shkollë apo kontakte shoqërore;
– Marrëdhëniet problematike;
– Cilësinë e përgjithshme të dobët të jetës;
– Sjellje dhe mendime vetëdëmtuese;
Trajtimi dhe terapia
Çrregullimi obsesivo-kompulsiv zakonisht trajtohet me medikamente, psikoterapi ose një kombinim të të dyjave. Megjithëse shumica e pacientëve i përgjigjen trajtimit, tek disa pacientë disa nga simptomat vazhdojnë për një kohë të gjatë në varësi të intensitetit të simptomave dhe kohëzgjatjes së tyre. Ndonjëherë njerëzit me çrregullim obsesivo-kompulsiv kanë edhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor, të tilla si ankthi, depresioni dhe çrregullimi dismorfik i trupit, etj. Këta elementë janë të rëndësishëm kur merret një vendim për llojin e trajtimit.
Përsa i përket trajtimit me barna, medikamentet e përdorura në trajtimin e çrregullimit janë barnat nga grupi i antidepresivëve SSRI, (anksiolitikët dhe antipsikotikët vetëm kur janë të domosdoshëm për një kohë të shkurtër). Rekomandimet për trajtimin i çrregullimit obsesiv-kompulsiv përdor doza më të larta të barnave antidepresive sesa ato të nevojshme për trajtimin e depresionit dhe mund të duhen 8 deri në 12 javë për të arritur një efekt, por disa pacientë përjetojnë përmirësim më të shpejtë.
Nëse simptomat nuk përmirësohen me këto lloj ilaçesh, studimet tregojnë se disa pacientë mund t’i përgjigjen mirë medikamenteve antipsikotike. Pëveç mjekimit me barna, psikoterapia mund të jetë një trajtim efektiv për të rriturit dhe fëmijët me çrregullim obsesiv-kompulsiv. Përvojat klinike dhe studimet tregojnë se disa lloje të psikoterapisë, duke përfshirë terapinë konjitive të sjelljes (CBT) dhe terapi të tjera të lidhura (p.sh. trajnimi për varësinë) mund të jenë po aq efektive në trajtimin e çrregullimit.
Bëni kujdes!
Nëse e gjeni veten në përshkrimin e simptomave për Çrregullimin Obsesivo-Kompulsiv, është e nevojshme të kërkoni ndihmë profesionale, psikiatrike, sepse një çrregullim i patrajtuar mund të ndikojë negativisht në të gjitha aspektet e jetës suaj. Mjekimi në kohën e duhur me barna psikotrope dhe psikoterapi mbështetëse, mund të bëjë të mundur zbutjen dhe reduktimin e simptomave obsesivo-kompulsive dhe rikthimin ne jetën e shëndetshme e normalitet.
Adresa:
KLINIKA VERA-VIRHOV
RRUGA ISLAM ALLA TIRANË
TEL: 068 60 64 320
04 -222 6441
+355 68 203 1903
EMAIL: [email protected]
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.