FB

October 1, 2024 | 11:31

Dr. Fatbardha Xhani Myslimaj: Sjelljet agresive dhe roli i psikiatrit në diagnostikimin dhe trajtimin e tyre

Agresioni është një dukuri e përditshme që na prek të gjithëve, qoftë përmes sjelljeve të ashpra në rrugë, dhunës në media apo në marrëdhëniet tona personale. Por çfarë është agresioni i sjelljes? Çfarë e nxit atë dhe, më e rëndësishmja, si mund ta menaxhojmë dhe ta zvogëlojmë në jetën tonë të përditshme?

fatbardha

Çfarë është agresioni?

Agresioni zakonisht përkufizohet si një sjellje që synon të shkaktojë dëm të menjëhershëm një individi tjetër. Sipas studimeve nga Anderson dhe Bushman (2002), ky dëm mund të jetë fizik, verbal ose relacional, me qëllim të qartë për të shkaktuar vuajtje. Për më tepër, viktima e kësaj sjelljeje është e motivuar për të shmangur agresionin, çka shton kompleksitetin e marrëdhënieve të tilla.

Format kryesore të agresionit

Agresioni mund të manifestohet në disa forma:

  • Agresioni fizik: Përfshin veprime si goditja, rrahja, shkelmimi ose dëmtimi i pronës së tjetrit. Kjo është forma më e njohur dhe shpesh më e dukshme e agresionit.
  • Agresioni verbal: Përfshin përdorimin e fjalëve për të sulmuar emocionalisht dikë, siç janë talljet, bërtitjet dhe fyerjet.
  • Agresioni relacional: Qëllimi i kësaj forme është dëmtimi i marrëdhënieve të një individi me të tjerët, përmes përjashtimit, përgojimit ose përpjekjeve për të izoluar viktimën nga grupi.

agresion

Çfarë e nxit agresionin?

Prirja për t’u përfshirë në sjellje agresive varet nga disa faktorë.

Faktorët biologjikë – Kur diskutohet për shkaqet e agresionit, nuk mund të neglizhojmë ndikimet biologjike dhe psikologjike. Shkaqet biologjike përfshijnë gjenetikën, sëmundjet psikiatrike dhe ndikimin e neurotransmetuesve. Studime të shumta kanë treguar se ndryshimet në nivelin e hormoneve, sidomos testosteroni, lidhen me një rritje të agresionit.

Faktorët socio-ekonomikë dhe mjedisorë kanë një ndikim të rëndësishëm në nxitjen e sjelljeve agresive. Varfëria, papunësia dhe mungesa e burimeve shpesh shkaktojnë stres dhe frustim, duke rritur mundësinë e agresionit. Gjithashtu, mjediset me dhunë në familje, abuzim apo izolim social mund të krijojnë kushte që nxisin sjellje agresive. Urbanizimi i shpejtë dhe mbipopullimi, ku individët përballen me konkurrencë të ashpër për burime dhe hapësira, janë gjithashtu faktorë që mund të rrisin tensionet dhe konfliktet sociale.

Agresiviteti është shpesh simptomë e çrregullimeve psikiatrike si çrregullimi i hiperaktivitetit me deficit të vëmendjes (ADHD) dhe çrregullimi sfidues kundërshtues, çrrregullimet e personalitetit çrrregullimi bipolar, çrrregullimi i spektrit të autizmit, demenca, skizofernia ose çrregullime të tjera psikotike. Përveç kësaj, ndjenja e frikës ose kërcënimit mund të nxisë sjellje agresive. Substancat si alkooli dhe drogat ilegale gjithashtu kontribuojnë në rritjen e sjelljeve agresive tek individët.

agresion1

Modelet kryesore të agresionit

Ekzistojnë tre modele kryesore që ndihmojnë për të kuptuar më mirë sjelljen agresive:

  1. Teoria e instinktit: Agresioni shihet si rezultat i një impulsi të lindur, të pandryshueshëm.
  2. Teoria reaktive: Agresioni lind si një reagim ndaj situatave frustruese dhe të pakëndshme.
  3. Teoria e të mësuarit: Ky model sugjeron se agresioni mësohet përmes vëzhgimit dhe përvojës, duke përfshirë imitimin e sjelljeve të dhunshme.

Treguesit e sjelljeve agresive

Treguesit e sjelljeve agresive janë shpesh të dukshëm përmes gjuhës së trupit dhe shprehjeve të fytyrës. Për shembull, ngritja e zërit, grushta të shtrënguar, lëvizjet e trupit dhe fytyrat e skuqura janë shenja të dukshme të një personi që ndodhet në një situatë agresive.

Si të zvogëlojmë agresionin?

Për të zvogëluar agresionin, janë propozuar disa strategji të ndryshme:

  1. Kontrolli: Kjo strategji përqendrohet në vendosjen e kufijve dhe përdorimin e dënimeve për të parandaluar sjelljet agresive. Kjo qasje është e popullarizuar në mesin e konservatorëve politikë, të cilët shohin dënimin si një metodë për të mbrojtur shoqërinë nga dhuna.
  2. Katarsisi: Ky koncept përfshin shprehjen e emocioneve në mënyrë të sigurt për të parandaluar shpërthimet agresive. Për shembull, të flasësh për ndjenjat ose të ushtrosh aktivitet fizik mund të ndihmojë në reduktimin e tensionit dhe agresionit.
  3. Bashkëjetesa: Një qasje që përqendrohet në krijimin e një ambienti ku individët mësojnë të bashkëjetojnë pa dhunë dhe të zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore.

 

Si të ndërhyjmë për të ulur sjelljet agresive?

Për të ulur veprimet agresive, individët duhet të marrin masa të vetëdijshme. Të kuptuarit që ke fuqinë për të ndalur agresionin është hapi i parë drejt ndryshimit. Mbështetja nga një terapist ose përdorimi i teknikave të vetëkontrollit mund të jenë të dobishme për të ndalur ciklin e dhunës.

Për të ulur sjelljet agresive, ndërhyrjet mund të përfshijnë terapi individuale, terapi me barna dhe terapi në grup.

Terapia individuale ndihmon individët të identifikojnë shkaqet e agresionit dhe të zhvillojnë strategji për menaxhimin e emocioneve, të ankthit nëpërmjet terapisë së sjelljes, teknikave të menaxhimit të ankthit si edhe gjetjes dhe instalimit të shpresës.

Terapia me barna mund të jetë e nevojshme në rastet kur çrregullime të caktuara psikiatrike ndikojnë në sjelljen agresive.

Ndërkohë, terapia në grup mund të krijojë një ambient mbështetës ku individët ndajnë përvojat e ngjashme dhe mësojnë nga njëri-tjetri si të përballen me situatat e vështira, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësi sociale më të mira dhe të shmangin konfliktet.

Shkollat dhe mediat luajnë një rol kyç në parandalimin e sjelljeve agresive.

Edukimi mbi menaxhimin e emocioneve dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve në shkolla mund të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë aftësi sociale që parandalojnë agresionin. Programet e edukimit emocional dhe mbështetja psikologjike brenda shkollave janë masa efektive për të ulur dhunën mes të rinjve.

Gjithashtu, mediat kanë një ndikim të madh në formimin e perceptimeve sociale. Promovimi i modeleve pozitive dhe paqësore të sjelljes dhe zvogëlimi i dhënies së informacioneve të dhunshme mund të kontribuojnë në parandalimin e agresionit në nivel shoqëror.

agresion2

Nevoja për konsultë profesionale

Në raste të caktuara të agresionit, trajtimi mund të kërkojë ndërhyrje të specializuar. Një konsultë me një mjek psikiatër është thelbësore për të vlerësuar nëse individi ka nevojë për trajtim me barna që mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave si irritimi, impulsiviteti dhe ankthi. Po ashtu, psikoterapia ofron një qasje më të thellë për të adresuar shkaqet emocionale dhe psikologjike të sjelljeve agresive, duke u fokusuar në strategji të qëndrueshme për kontrollin e emocioneve dhe zhvillimin e aftësive përballuese. Kjo qasje e kombinuar ofron rezultate më të mira dhe ndihmon në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të individit.

 

KLINIKA VERA-VIRHOV | RRUGA ISLAM ALLA
TIRANË TEL: 068 60 64 320 | 04 -222 6441

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top