Nga Orjona Tresa
Gjithkush i ka kaluar fazat e diturisë përmes cikleve shkollore, e ka fare mirë të qartë rëndësinë e lëndëve, por njëherësh edhe të mësuesit për rolin e tij mësimdhënës në përçimin e saktë. Në fakt, mbi të gjitha qëndron mjeshtëria e mësuesit në të bërit për vete të lëndës. Pikërisht kjo punë plot përkushtim dhe angazhim, dashamirëse dhe plot dashuri, duke e parë si një proces të pandarë në raportin mësues-nxënës, i ka dhuruar një çmim të rëndësisë së veçantë, Dr. Majlinda Ziu. Ajo është njëra ndër pesë mësueset e vlerësuara në rang kombëtar për këtë vit nga Ministria e Arsimit, për kontributin shembullor për arritjen akademike të nxënësve. Natyrisht që në karrierën e saj 26-vjeçare, mësuese Majlinda Ziu ka një moto që i jep profesionalizmit të saj frymëmarrje edhe për brezat e rinj.“Mos tento kurrë që nxënësit e tu të shkojnë drejt shtëpisë së mençurisë tënde, por drejtoji ata përherë drejt korridoreve të mendjes së tyre”.
Emocionalisht si ndiheni pas këtij vlerësimi, i cili duhet thënë, nuk para ndodh shpesh me mësuesit shqiptarë?
Ndihem e nderuar dhe shumë falënderuese për faktin e të qenit fituesja e Çmimit “Mësuesja e vitit” që kontribuon në arritjet akademike të nxënësve në shkollë”, e fituar pas një konkurrimi të gjatë, të organizuar për herë të parë në Shqipëri. Kjo për disa arsye: së pari, sepse ideja e këtij nominimi në këtë nismë dhe posaçërisht në këtë kategori erdhi nga përfaqësues model të shoqërisë civile, të cilët kanë kontribute të shquara akademike. Së dyti, për mua ky Çmim do të thotë shumë, pasi më lidh për herë dhe më bën pjesë të arritjeve akademike të nxënësve të mi, të cilat ata i mbartin me vete në rrugëtimin e tyre të gjatë të dijes dhe të punës. I kam motivuar për herë, kam qenë gjithmonë besim plotë në mundësitë e dëshirat e tyre dhe më kanë bërë krenare me qytetarinë, arritjet e përfaqësimet e tyre kudo.
Sigurisht që krahas kënaqësisë që ndjeva në momentin e marrjes së këtij Çmimi, të cilin unë e konsideroj si një shpërblim moral të një përkushtimi dhe kontributi 26 vjeçar, në të gjitha fushat e arsimit shqiptar, ai më ngarkon me shumë përgjegjësi përfaqësimi të një numri të madh kolegësh shumë fisnikë dhe të përkushtuar në misionin e tyre. Për më tepër, më vendos përpara detyrimeve akoma edhe më të mëdha për të ardhmen.
Mësimdhënia është një proces i vështirë, marrë parasysh shkallën e ngarkesës sa i takon infrastrukturës, por edhe brezit që nuk para i ka qejf kohët e gjata të mësimit. Çfarë është ajo për ju?
Për mua, mësimdhënia është një proces i gjatë, gjithmonë në zhvillim e ndryshim të përhershëm, që ndërthur shkencën me metodologjinë, artin e komunikimit dhe dashurinë e madhe për profesionin. Ajo fillon me hulumtimin, studimin dhe përgatitjen profesionale të mësuesit në shtëpi, vazhdon me procesin mësimor në klasë dhe zhvillohet më tej me kërkimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të reja e qëndrimeve personale qytetare të vetë nxënësve. Sigurisht që shumica prej nesh është e vetëdijshme që mësimdhënia është e lidhur ngushtë me mësimnxënien dhe përballet me shumë sfida. Ndër më kryesoret mund të përmend zhvillimin teknologjik, të shoqëruar nga përqafimi i shpejtë nga ana e brezit të ri, burimet e shumta të informacionit, apo uljen e interesit të nxënësve ndaj librave. Gjetja e balancës, orientimi drejt burimeve të besueshme të informacionit, paralel me nxitjen e mendimit kritik, nxitja e punës me projekte konkrete, zhvillimi i mësimdhënies interaktive, ashtu si dhe bashkëpunimi i ngushtë me prindërit dhe me komunitetin, i mendoj si disa prej rrugëve të suksesshme për t’u dalë ballë këtyre sfidave.
Si ia keni dalë t’i bëni për vete nxënësit, e për më tepër të cilësoheni si “Mësuesja e vitit” për arritjet akademike?
Përfundimi i studimeve të mia përkoi me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, e në këto kushte ndjeva detyrimin të isha në avangard të ndryshimeve që duheshin kryer në sistemin arsimor, në të gjitha aspektet e tij. Në radhë të parë, duhet të udhëhiqeshin nxënësit drejt mendësive të reja dhe drejt standardeve europiane, të cilat i kërkonte edhe rinia studentore, brez të cilit i takoja edhe unë. Në vite, iu përkushtova arritjeve të mia akademike, u bëra pjesë e grupeve të punës që kontribuan në hartimin dhe përmirësimin e kurrikulës shkollore (së lëndës së Gjeografisë), në hartimin e standardeve të mësuesit, të programeve dhe të testeve të maturës shtetërore (në fushën time), si dhe të kualifikimit të mësuesve. Që prej vitit 2008 e në vazhdim, jam autore dhe bashkëautore e teksteve të Gjeografisë, për arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, përmes të cilëve kam synuar që njohuritë shkencore – lëndore të transmetohen në mënyrë sa më të thjeshtë e sa më të kuptueshme te nxënësit. Gjithashtu në vite, gjithmonë kam zgjedhur ato metoda mësimdhënieje që kanë prodhuar debatin, mendimin kritik, punën e pavarur, projektet dhe punën në grup, duke i vendosur nxënësit në rolin e menaxherëve dhe liderëve të së ardhmes.
Krahas këtyre, gjatë punës sime disavjeçare në fushën akademike, studentëve të mi, të cilët do të jenë në të ardhmen vetë mësues, mundohem t’u inkurajoj përkushtimin, dashurinë për profesionin, si dhe rritjen e vetëdijes për përgjegjësitë e mëdha që i presin në rrugëtimin e vështirë të edukimit të brezit të ri.
Sa vite keni që e ushtroni këtë profesion dhe a ka diçka që kujtoni me nostalgji?
Unë e ushtroj profesionin tim me shumë përkushtim e dashuri që prej vitit 1991. E gjithë kjo periudhë ka qenë e mbushur me momente të bukura e me realizime objektivash e pritshmërish, ashtu sikurse edhe me vështirësi e sakrifica. Referuar pyetjes suaj, mund të kujtoj me nostalgji periudhën e rihapjes së shkollës në vitin 1997, pas një ndërprerjeje disamujore për shkak të trazirave që kaloi vendi në atë kohë. Mobilizimi dhe përkushtimi i të gjithë trupës mësimore ishte për t’u admiruar, ashtu sikundër edhe dëshira e nxënësve për të plotësuar mangësitë e krijuara nga kjo ndërprerje.
Cila është motoja juaj, e cila mund të jetë motiv për shumë nxënës apo kolegë tuaj?
“Mos tento kurrë që nxënësit e tu të shkojnë drejt shtëpisë së mençurisë tënde, por drejtoji ata përherë drejt korridoreve të mendjes së tyre”.
Çfarë do t’i këshillonit brezit të ri në vazhdimësinë dhe rëndësinë e hapave të dijes e profesionalizmit?
Këshilla që do t’u jepja brezave të rinj nuk shkon posaçërisht vetëm për fushën e arsimit, por për të gjitha fushat ku ata synojnë të kontribuojnë në të ardhmen. Do t’u thoja të rinjve që të besojnë e të ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort për t’i realizuar ato dhe mbi të gjitha, t’i vendosin në shërbim të vendit të tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.