Në fokus

May 26, 2018 | 8:57

Drama e Linit që i vdiq vajza në krahë. Kjo është dhurata që i bëjnë “Shqiptarët për Shqiptarët” (Video)

“Shqiptarët për shqiptarët” shkoi të vizitonte javën e kaluar familjen Zmajli, e cila ka një histori përtej imagjinatës. Familja është e rrethuar mes malesh, e vetme dhe me plot dhimbje. Berishë e Epërme, është një fshat i thellë malor, në veri të Pukës, në Bjeshkë. Këtu mjerimi ka rrokur edhe shpirtin e atyre pak banorëve. Varfëria e heshtja ulërijnë frikshëm, mes malesh, luginash e përrenjsh. Rruga gjarpëron, mes pyjesh, makina tronditet fort, diku mezi ngjitet e diku mezi zbret, e për të arritur në fshat duket gati-gati një mision i pamundur. Në fshatin Berishë e Epërme na priti Lin Zmajli, 61 vjeç, i tronditur nga ajo çka i ka ndodhur dhe i pashpresë për të ardhmen.

Këtu dimri është i egër, për gjashtë muaj banorët izolohen nga dëbora. “Kisha fëmijën shumë të sëmurë, në këtë kohë kisha edhe fëmijët e tjerë të sëmurë. Njeriu është i fortë në zemër” thotë Lini. Kjo rrugë është e vështirë për Linin, sa herë që kalon këtu, i dhemb shpirti. Burri na ndalon papritur në një shteg të ngushtë dhe prek tokën me dorë.

“Ja këtu më ka vdek çika. E kemi ulur me barelë, këtu. Ishte një metër dëbore. Isha duke e transportuar vajzën nga shtëpia këtu pranë bashkë me vëllain tim. Qëndruam dy minuta e kthyem në shtëpi të vdekur” thotë Lini i përlotur nga dhimbja. Lini nuk pati mundësi ta çojë vajzën e vogël as në spital nga largësia, i vdiq rrugës, nuk mundi as ta varrosë, sepse iu desh të çojë fëmijët e tjerë urgjent në spital.

Ashtu i lodhur, zemërthyer, e i lënduar, Lin Zmali, çdo ditë merr një rrugë mes përmes pyllit. Vjen në këtë vend , pranë vajzës së tij të dashur, ledhaton gurin e varrit dhe nuk i përmban dot lotët nga dhimbja. “Sot u zgjova në 4 të mëngjesit, nuk më zinte gjumi, dola nga shtëpia kam ardhur te varri” thotë Lini. Dy muaj më parë, e shihte në shtrat duke lënguar nga ethet e të përvëluar nga temperatura që po e torturonte prej ditësh, por nuk kishte si ta ndihmonte… këtu mes maleve. “Ta shikosh fëmijën në atë gjendje, por nuk kisha mundësi ta ndihmoja. Në zor të madh isha, veç s’kam vdekur, s’kam as forcë në trup asgjë”.

Ai e kujton çdo ditë Anisën. E bija, 13 vjeç iu shua në krahë në këto shtigje të mbuluar me dëborë. “Ka qenë fëmijë i shëndetshëm, kurrë më parë nuk ka shkuar të spital. E kam dashur më shumë se fëmijët e tjerë. U sëmur, thanë ka temperaturë. Ne jetojmë këtu mes maleve, ishte dëborë e madhe, shpresuam se do i kalonte ajo gjendje, as pas 10 ditësh nuk i kaloi temperatura” thotë Lini. Nuk arriti dot kurrë ta çonte në spital. Gjithë jetën do i mbetet peng. “Vajza vdiq rrugës për në spital, 200 metra larg shtëpisë. Edhe 100 vjet të jetoj tërë jetën do më mbetet merak, që nuk pata mundësi ta çoja të paktën deri në spital”, thotë 61 vjeçari me lot në sy.

I zhytur në dhimbje babai rrëfen se dritën e syve, gëzimin e shtëpisë, Anisën e bukur nuk arriti ta varroste dot, as t’i hidhte një grusht dhe mbi arkmort. E ktheu vajzën pa jetë në shtëpi ndërsa vetë vrapoi në spital tek tre djemtë dhe vajza tjetër të sëmurë që po luftonin për jetën.

“Nuk kishim mundësi as unë as gruaja ta varrosnim vajzën, ishim në Tiranë. Të të vdesi fëmija e mos të jesh vetë…është shumë e vështirë”. Dhimbja e tij është madhe, Anisën e humbi, por ai trembet se mos humbet edhe të tjerët. “Vetëm fëmijët të shpëtojnë, nuk dua kurrë gjë tjetër” pëshpërit burri.

Elvis Naçi u ka bërë një surprizë familjes Zmajli. Ai i ka thirrur të takoheshin në një banesë në qytetin e Pukës. Lini së bashku me 6 fëmijët dhe bashkëshorten zbritën nga fshati Berishë e Epërme në qytet. Elvisi kishte mbërritur më herët në banesë më Sidritin. Takimi mes tyre ishte i ngrohtë. Lini ishte bashkë me vajzën e vogël që nuk kishte shumë ditë që kishte lënë shtratin në spitalin Pediatrik në Tiranë.

“Shqiptari për shqiptarin duhet të mendojë, jo të shohë vetëm veten e vet. Kjo shtëpi që shikoni është dy dhoma e kuzhinë, është tërësisht e mobiluar. Ka oborr me pemë frutore. Kjo shtëpi është blerë për ju” i jep lajmin e mirë Elvis Naçi Linit.

Kjo frazë i ka lënë 8 anëtarët e familjes të habitur. Askush nuk po u besonte veshëve se kjo banesë do ishte pikërisht shtëpia e tyre e re. Shtëpia, njëkatëshe e bollshme për të gjithë familjen ka një kopsht të këndshëm me lule dhe pemë. Është afër shkollës dhe spitalit vetëm 3 minuta larg. Çelësin e banesës Elvis Naçi ia dorëzoi bashkëshortes së Linit.

https://www.youtube.com/watch?v=E-EMY3h6i_U

Burimi / BalkanWeb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top