FB

February 20, 2026 | 8:30

Drejtësia sociale, një pasqyrë psikologjike e shoqërisë sonë

 

Nga Orjona Tresa

 

Ndonjëherë, paradokset janë më të ndjeshme se të vërtetat e thjeshta. Ja për shembull, si mund të ndodhë që, në një vend ku natyra ka qenë kaq bujare, ku lumenjtë rrjedhin dhe malet kullojnë ujë, ne të zgjohemi me pyetjen: “A ka ujë sot?” Kjo është një e drejtë e mohuar, një e drejtë që një vend si i yni nuk e meriton ta vërë as në diskutim.

drejtesia-sociale

Njëherë, një shoqe më tregonte për një të njohurën e saj që kartën e pagës ia mbante i shoqi, dhe ajo nuk kishte asnjë të drejtë mbi të. Nëse guxonte të bënte ndonjë veprim, Ai e merrte vesh dhe pasojat ishin shpesh të dhimbshme. Këtë ia kish nënkuptuar ajo vetë me një shikim pikëllues. Ky është vetëm një shembull i vogël i kontrollit dhe pabarazisë që nis brenda familjes, por pasqyron një fenomen më të gjerë në shoqërinë tonë. Pabarazia dhe padrejtësia shfaqen edhe në vendet ku duhet të ndjehemi më të sigurt, qendrat shëndetësore, spitalet. Pa hyrë viti i ri akoma, një mjek mesoburrë kishte ngacmuar fizikisht kryeinfermieren në një spital ku lindin fëmijë. Pasi denoncoi ngjarjen, u zbulua se nuk ishte rasti i vetëm. Përballë këtij mjedisi, pacientë kronikë shpesh përballen me fyerje dhe përbuzje në vendet ku duhet të trajtohen me dinjitet. Edhe përvojat personale e bëjnë të qartë mungesën e drejtësisë sociale. Mua vetë më ka ndodhur që në një komision mjeko-ligjor, për të shoqëruar një të afërm, të përfaqësoheshim nga dy persona që nuk ishin as mjekë. Këto janë vetëm disa nga rastet që tregojnë realitetin, ka pafund situata që kanë një emër të vetëm, mungesë e drejtësisë sociale.

Që nga viti 2007, Kombet e Bashkuara kanë caktuar 20 shkurtin si Ditën Botërore të Drejtësisë Sociale, një ditë që synon të luftojë varfërinë, papunësinë dhe diskriminimin. Por, a ka arritur kjo ditë të ndryshojë realitetin tonë? Nëse hedhim një sy mbi Shqipërinë, hendeku mes ideales dhe realitetit është i thellë. Drejtësia sociale nuk është thjesht një term juridik, por është ndjenja që lind kur shteti dhe shoqëria na trajtojnë me dinjitet. E sot, ky dinjitet shpesh thyhet në kantieret e ndërtimit, ku jetët rrezikohen për një pagë mbijetese, apo në zyrat ku gratë, ndonëse shpesh më të përkushtuara se kolegët e tyre, paguhen më pak. Por pabarazia nuk lind vetëm në rrugë apo në institucione, ajo nis në pragun e shtëpisë. Modelet kulturore dhe psikologjike përcaktojnë mënyrën se si e shohim botën.

Kur vendimmarrja dominohet nga figura patriarkale, gratë mësojnë të vendosen në pozicione sekondare, pavarësisht kontributit të tyre në ekonominë shtëpiake dhe edukimin e brezave. Ky normalizim i pabarazisë në familje transferohet natyrshëm në shoqëri, ku paragjykimi bëhet lente, përmes së cilës vlerësojmë të varfrit, stigmatizojmë personat me aftësi ndryshe dhe injorojmë padrejtësitë që na rrethojnë. Në këtë prizëm, drejtësia sociale nuk është thjesht një çështje politike, është një çështje psikologjike. Kur fëmija i një fshati të largët nuk ka të njëjtat mundësi arsimimi si një fëmijë në qendër të Tiranës, nuk ka asnjë kompensim formal që mund ta riparojë hendekun emocional dhe vetëvlerësues që lind. Kur punësimi varet nga lidhjet nepotike dhe jo meritokracia, ndjenja e drejtësisë është e shkatërruar.

Çfarë mund të bëjmë për të ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse? Ndër të tjera, një “revolucion psikologjik” është i domosdoshëm, që nis me edukimin e eupatisë, solidaritet dhe ndjeshmëri ndaj vuajtjes së tjetrit. Për të kultivuar barazinë, duhet të sfidojmë rolet gjinore që në fëmijëri. Një vajzë që sheh nënën e saj të respektuar si vendimmarrëse, do të kërkojë barazi në punë dhe shoqëri. Ndërtimi i ndërgjegjes qytetare që nuk pranon të jetë viktimë e rrethanave, por kërkon të drejtat e veta si detyrim, jo si nder nga pushteti. Luftë ndaj paragjykimit, duke promovuar histori suksesi nga grupet e margjinalizuara, për të ulur frikën nga tjetri dhe ndërtimin e urave të komunikimit mes komuniteteve.

Drejtësia sociale nuk vjen nga jashtë, ajo ndërtohet kur secili prej nesh vendos të refuzojë pabarazinë dhe të veprojë për dinjitetin dhe barazinë e të tjerëve. Në thelb, drejtësia sociale është një udhëtim i ndërgjegjshëm drejt empatisë, drejtësisë dhe respektit të panegociueshëm për dinjitetin njerëzor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top