Nga Drilona Shehaj Abazaj, psikologe
Në ditët e sotme një ndër frikërat më të mëdha të prindërve mbeten abuzuesit seksual, të cilët mund të enden të lirë kudo. Duke shkaktuar pasiguri konstante tek prindërit, gjithashtu duke i bërë monitorues aktiv gjatë gjithë kohës, gjë që kthehet në opsesion të vazhdueshëm për ata dhe frustrim për fëmijët.
Prindërit duhet të ndërgjegjësohen që mbajta e sigurtë e fëmijëve nga abuzimi seksual nis duke u mësuar për sigurinë e trupit të tyre, kufijtë e shëndetshëm të trupit dhe duke inkurajuar komunikim më të hapur për çështjet seksuale. Disa këshilla se si mund t’i vijnë në ndihmë prindërve:
- Flisni herët me fëmijët për pjesët e trupit të tyre, mësojuni atyre emrat e duhur anatomik si janë penisi, vagina, anusi.
- Fëmijët duhet të dinë që trupi u takon atyre, flisni për ndryshimin e prekjeve të sigurta, dhe të pasigurta, duke i mësuar që t’u thonë JO kontakteve të pakëndshme që u sjell frikë dhe pa kënaqësi.
- Mësojuni që organet gjenitale janë private, dhe quhen të tilla, sepse nuk janë për të gjithë që ti shohin.
- Mësojuni kufijtë e trupit të tyre, duke u shpjeguar që askush nuk duhet t’i prekë pjesët e tyre private, ose t’u kërkojë të prekë të tyret.
- Flisni për shenjat trupore, se si trupi na lajmëron me anë të shenjave, kur ne nuk ndjehemi të sigurtë.
- Tregojuni që pavarësisht se çfarë mund t’u thotë dikush atyre, ata nuk duhet të mbajnë sekrete ndaj prindërve për shkak të turpit dhe frikës që ndjejnë.
- Mësojuni që të tregojnë gjithmonë nëse dikush, u ofron të shohin lojëra apo video me përmbajtje pornografike.
- Mësojuni se si të dalin nga situata të frikshme apo të pakëndshme. Të tilla si të thuash “JO”, ” NDAL” me zë të lartë, duke i thënë personit të largohet, dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë tek i rrituri më i afërt që ndodhet aty.
- Mësojuni mbi burime publike, dhe numra kontakti që u vijnë në ndihmë, sa herë ndodhen situata vështirësie, duke i ndihmuar të reagojnë dhe të raportojnë kur nuk ndjehen të pasigurtë.
- Sigurohuni që numri i kontaktit të institucionit që u vjen në mbrojtje imediate individëve nuk duhet të mungojë në smartfonat e tyre.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.