Në fokus

June 10, 2017 | 12:11

Dritan Ylli: Çdo prind është model për fëmijët e tij

Ai i qëndron mendimit se roli i nënës është i pazëvendësueshëm në
dashurinë që i jep fëmijës, por që një familje të jetë e shëndetshme, padyshim që është roli i të dy prindërve
për rritjen dhe nxjerrjen në jetë të një fëmije të mbarë. Pavarësisht
hapësirës së mundimshme për të gjetur kohë për vajzat e tij, Dritan Ylli, thotë se edhe pse me deficite, ai përpiqet në momente sado të vogla të
jetë pranë bashkëshortes dhe vajzave.
Mes angazhimeve profesionale, por aktualisht dhe ato si kandidat për deputet në qarkun Shkodrës, Ylli ka një mesazh personal të vetë jetës, ku ashtu si për çdo prind, primar është modeli i shëndetshëm për fëmijën e vet, një politikan është për brezin e ri modeli më kryesor. Qëmtuar nga ajo
sesi e sheh klasën politike shqiptare,Dritan Ylli i mëshon arsyes se është
pikërisht ajo, klasa politike, që duhet të ketë më shumë përgjegjësi direkte, për të përfaqësuar modelin më të mirë të shoqërisë. Sipas tij, të rinjtë në politikë janë energjia e domosdoshme
për të ndërmarrë nisma dhe procese në shërbim të zhvillimit të Shqipërisë
europiane.

screenshot_20170610-114141

 

Ju gjejmë në një periudhë angazhimesh. Sa e vështirë është për ju menaxhimi i kohës mes politikës, profesionit dhe familjes?
Menaxhimi me produktivitet i kohës, besoj se është arti më i vështirë për çdo njeri dhe për më tepër, për të gjithë ata
që janë të angazhuar në detyra dhe funksione në shërbim të qytetarëve. Por kjo varet nga mundësitë dhe situatat e secilit. Unë kam vite që më duhet të jem shumë racional me menaxhimin e 24-orëshit. Në njëfarë mënyre kam fituar imunitet nga ngarkesa, duke krijuar një raport të mirë me kohën, në varësi të prioriteteve. Dikur, pjesën më të madhe
të kohës e merrte pasioni dhe përkushtimi në profesionin e gazetarit, sot në atë të politikanit, me një jetë shumë të ngjeshur dhe aktive. Janë angazhime që të marrin shumë kohë, shumë impenjim, shumë sakrificë në raport me jetën private, por unë
përpiqem të kem gjithnjë kujdes dhe vëmendje të shtuar për familjen. Jam gjithnjë në mundim që të gjej hapësira, sado të vogla, që të jem pranë bashkëshortes dhe vajzave të mia. Por, gjithnjë jam me deficite në kohën e munguar me familjen.
Diçka është e sigurt, që ata jetojnë me angazhimet e mia dhe më mirëkuptojnë. Madje vajza e vogël Kaltra, e mërzitur shumë nga mungesat e mia, përpiqet të gjejë një gjë të mirë në to. Tashmë që unë kandidoj në Shkodër dhe më duhet të rri me net të tëra larg familjes, atë e kënaq i vetmi fakt që i jepet mundësia të flejë në krevat me të ëmën (qesh).
Sa rëndësi ka modeli që ju përfaqësoni te vajzat tuaja?
Besoj se është shumë e rëndësishme. Gjatë periudhave të rritjes, fëmija pasqyron gjithnjë dhe më shumë modelin e
prindit. Për mua, kjo është një kënaqësi, e ndërthurur me një ndjenjë krenarie, kur shoh disa tipare të karakterit tim, të mishëruara te vajzat e mia. Vajza e madhe Rea, besoj se
ka reflektuar këmbënguljen dhe sedrën për të bërë sa më mirë një punë, që merr përsipër të kryejë. Rea gjithashtu ka
dëshirë gjithnjë të lexojë, gjë që edhe mua më ka pëlqyer gjithë jetën. Nga ana tjetër, e vogla Kaltra, duke qenë se i merr gjërat pak më lehtë dhe thjeshtë se Rea, besoj se ka marrë më shumë pjesën më sportive timen. Por, të dyja
përpiqen të kenë argument dhe arsye kur kërkojnë gjërat dhe kjo më pëlqen shumë. Të dyja, edhe pse akoma të vogla, njëra po mbaron klasën e dytë dhe tjetra të parën, përpiqen
që t’i kryejnë detyrat vetë dhe kanë krijuar një pavarësi, gjë që mua më ka pëlqyer gjithnjë. Kuptohet që këtu fola për disa tipare të karakterit tim, që besoj i kanë marrë si model i mirë, por një pjesë shumë të mirë të karakterit të tyre e kanë të reflektuar nga mamaja, që u rri shumë më afër se unë, gjë e cila më bën dhe pak xheloz (qesh).

20170610_113841
Thuhet se fëmijët janë kopjuesit më të mirë të prindërve, madje edhe në të ardhmen ata ndikohen nga zgjedhje të njëjta. Mendoni dhe ju kështu duke u referuar te
prindërit tuaj si model?
Unë u jam shumë mirënjohës prindërve të mi, për përpjekjet e mëdha që kanë bërë për të më shkolluar siç duhet dhe
edukimin që më kanë dhënë. Jam shumë krenar sot që kam mishëruar nga modeli i tyre, të qenit i drejtë, i ndershëm, i përkushtuar ndaj miqve dhe bashkëpunëtorëve dhe që punoj shumë për të qenë i vlefshëm në shoqëri.

Babai ka rëndësi në edukimin e fëmijëve. Si është për ju?
Patjetër që po. Është vështirë të flasësh për mirëedukim të fëmijëve në rastet fatkeqe të një babai me vese. Unë sot, shpeshherë në veprimet e mia, udhëhiqem edhe nga sensi i të qenit baba, për të bërë punë më të dobishme për njerëzit dhe për t’u vetëpërmirësuar pa u lodhur. Mbetem i mendimit se roli i nënës është i pazëvendësueshëm në dashurinë që i jep fëmijës, por një familje e shëndetshme patjetër ndikon shumë në rritjen dhe nxjerrjen në jetë të një fëmije të mbarë.
Po në politikë, sa rëndësi ka modeli që përçojmë te
brezat e rinj?
Nëse çdo prind është model për fëmijën e vet, një politikan është model për brezin e ri, për shoqërinë në tërësi. Prandaj dhe klasa politike duhet të përfaqësojë modelin më të mirë të shoqërisë. Në këtë drejtim, ne si shoqëri, kam frikë se kemi bërë hapa mbrapa vitet e fundit dhe për këtë ka përgjegjësi
direkte, sidomos ndonjë drejtues politik. Duke i hapur rrugë dhe madje nxitur futjen në Kuvendin e Shqipërisë, ku mendohet të jetë një elitë, persona me probleme të theksuara
me pastërtinë e figurës, apo më keq akoma me precedentë kriminalë, ne kemi ofruar një model të shëmtuar për brezat e
rinj. Ndaj ky fenomen duhet të marrë fund. LSI ka dhënë një shembull shumë domethënës, duke ofruar shumë të rinj në listat përfaqësuese për deputetë dhe këshilla bashkiakë, si dhe në nivele të ndryshme të qeverisjes. Vetëm të rinjtë e shkolluar mirë, janë të pastër dhe do të bëjnë diferencën, duke ofruar një model të mirë, pozitiv dhe të sinqertë në punën e tyre për një të
ardhme më të mirë dhe Shqipërisë europiane.
Në LSI ka shumë figura të reja që përfaqësojnë politikën në këto zgjedhje.

 

Pse kjo zgjidhje sipas jush dhe sa do ta ndihmojë kauzën, drejt perëndimit me forca të reja?
E thashë dhe më sipër, që duke u besuar më shumë të rinjve dhe duke u investuar më shumë te brezi i ri, ne do të hedhim baza më të sigurta për të pasur atë garanci që i duhet sot vendit. Një klasë politike, e përfaqësuar më shumë nga të rinjtë, do të sjellë ato standarde që duhen për ta vendosur
Shqipërinë me dinjitet në krah të shteteve të përparuara të BE-së. Vendi sot ka nevojë për energji të reja, për mendësi pa
komplekse, ka nevojë për figura të pastra për të ndërmarrë nisma dhe procese në shërbim të zhvillimit të Shqipërisë
europiane dhe kush më mirë se të rinjtë mund ta bëjnë këtë. 

20170610_120636
Shkodra është qyteti i lindjes. Çfarë mendoni se ajo ka nevojë të ndryshojë?
Unë jam shumë i lumtur që sot jam në listën përfaqësuese të kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës, duke realizuar kështu dhe një dëshirë që bashkëjeton me mua që në momentet e para të rrugëtimit tim në politikë. Do ta konsideroja një mundësi shumë të mirë, që nesër si deputet
i këtij qarku të kontribuoja pa u lodhur për të bërë punë të mira dhe për zhvillimin e Shkodrës, Pukës, Malësisë së
Madhe, Fushë Arrësit, Vaut të Dejës dhe të jem në shërbim të bashkëqytetarëve të mi. Sot Shkodra me gjithë ndryshimet e mëdha nuk është në pritshmëritë e gjithësecilit prej nesh.
Nuk mund ta pranojmë që një qytet me kaq shumë burime dhe potenciale zhvillimi, të jetë në këtë nivel të ndjeshëm varfërie, të ketë shkallë të lartë papunësie dhe mundësi të
pakta punësimi. Sigurisht që LSI ka shfrytëzuar të gjitha burimet për t’i ofruar punë qytetarëve të Shkodrës, por duke pasur një mundësi më shumë, ne do të ofrojmë një shans për
të gjithë. Ne jemi forcë politike që nuk kërkojmë punësimin përmes favoreve, por punë reale për të gjithë, ku secili të
punojë për dinjitetin e vet dhe angazhimi politik të mos jetë interes, por bindje për zhvillim. Ne duhet të mundohemi të lidhim të shkuarën e qytetit me të sotmen dhe ta bëjmë
konkrete të nesërmen. Të gjithë flasim për mundësitë e qytetit, por shumë pak janë lidhur këto mundësi me projekte konkrete të qëndrueshme, afatgjata, ku banorët të jenë ata që krijojnë të ardhura për
vete, për familjet dhe për qytetin. Sot në qytet ka nisma shumë të mira të të rinjve, që po kërkojnë angazhim social, që po kërkojnë t’i kthejnë qytetit lavdinë, duke prekur ato
elemente që e kanë bërë të dallueshëm duart e arta në punë, kulturën, artin, etj.

Po, çfarë duhet të bëjmë?
3000 vjet histori e një qyteti do të ishte e mjaftueshme për këdo me pak vizion ta kthente këtë në punë dhe të ardhura
për banorët. Por lavdia ka shërbyer vetëm si aset, jo si
mundësi. Ndaj sot ne të gjithë duhet ta përdorim këtë energji të Shkodrës, jo për vetëkënaqësi, por për punë, për dinjitet personal. Nuk ka asgjë më të shkëlqyer kur të rinjtë e një qyteti punojnë, krijojnë dhe emancipojnë çdo ditë vendin e vet. Ne duhet t’i hapim rrugët, t’i mbështesim me “start up”,
dhe me lehtësi të tjera për t’i dhënë një mundësi. Ka një mentalitet të përgjithshëm për punën, më jep mundësitë, më
jep investimet dhe unë ta tregoj veten! Besoj se sot nuk ka më vend për shkopin magjik. Secili me mundësitë e veta, pak e nga pak, i mbështetur nga qeverisja vendore dhe
qendrore, ndërton të ardhmen e qëndrueshme. Përpjekjet individuale të të rinjve, duhet t’i kthejmë në një frymë të përgjithshme, në një zinxhir shërbimesh, që mbështesin njëri-tjetrin, prodhojnë për njëri-tjetrin dhe pasurojnë qytetin.
Zhvillimi i turizmit është një e ardhme e rëndësishme për
zhvillim. Por, jo turizmi sporadik, që është vetëm një shkëndijë, turizmi i strukturuar është opurtunitet. Kush përfiton nga një turist? Transporti, akomodimi, restorantet, prodhuesit e bukës, ujit, tregtarët me shumicë dhe pakicë, teatri, kinemaja,
artistët, prodhuesit e zejeve të ndryshme, prodhuesit
e suvenireve, qiraja dhe riparimi i biçikletave, stadiumi, parkingjet, etj, janë me dhjetëra përfitues të drejtpërdrejtë dhe
të tërthortë nga një turist vendas apo i huaj.
Por, për këtë duhet më shumë vullnet, më shumë lobim për investime, sidomos në infrastrukturën rrugore, të ujit të pijshëm dhe energjisë. Të gjitha këto do të shërbejnë për ta
bërë Shkodrën, ashtu siç e meriton, një zonjë të randë dhe të bekueme.

 

Botuar në revistën “Psikologjia” në numrin 120.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top