Dëshmi

March 17, 2023 | 9:00

“Dy akte mirësie shpëtuan 4 jetë, njëra ishte e imja” / Ermal Meta emocionon me monologun e tij prekës

Ermal Meta vazhdon të emocionojë me historinë e tij familjare të lidhur me sakrificën e nënës që i mundësoi udhëtimin e shpresës në Itali, vendit që e bëri të famshëm e të suksesshëm kantautorin shqiptar të lindur në Fier.

“Gruaja me emrin Mira ëndërronte një të ardhme për fëmijët e saj, ëndrrën e një rilindjeje në një vend larg atdheut, e njëjta ëndërr që patën 86 emigrantët që vdiqën në brigjet italiane të Cutro-s pak javë më parë.”

Në një monolog në programin italian “Le Iene”, Ermal Meta tregoi për dy të panjohur që ndryshuan katër jetë, përfshirë të Ermalit, i cili pas rreth një muaji mbush 42-vjeç.

Ajo grua nuk i besonte askujt. Një ditë, në rrugë, një i panjohur i afrohet dhe i thotë se ka dëgjuar gjëra, gjëra të tmerrshme që do t’i ndodhin. Ajo frikësohet, por e beson. Në fund të fundit, çdo gjë mund t’i ndodhte një gruaje pa burrë ato ditë.

I panjohuri e këshillon të largohet, por ajo nuk e di se si. Ai ofron të paguajë për një pasaportë të huaj gjermane nga xhepi i tij e nuk dëshiron gjë në këmbim. Kërkon vetëm foto pasaporte. Kur ajo e pyet pse po e ndihmon, ai i thotë se nuk është vetëm për të, por edhe për fëmijët e saj.

Të nesërmen gruaja bën fotografitë dhe ia çon. Ai shkon te një falsifikator dhe një javë më vonë pasaporta është gati. I huaji i uron fat. Ata nuk do ta shohin më kurrë njëri-tjetrin. Gruaja i lë fëmijët me nënën e saj dhe shkon të marrë tragetin që shpreson ta çojë në një jetë të panjohur. I kalon kontrollet nga policia shqiptare, pa vështirësi dhe kështu, rreth orës 07:00 të ditës tjetër, anija në të cilën ndodhet hyn në portin e Brindizit.

Por, në Itali, situata bëhet më e ndërlikuar. Para zbarkimit, çdo pasaportë kontrollohet me përpikëri. Një oficer e kupton që dokumenti i gruas është fals. I shpjegon asaj se nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse ta dërgojë në shtëpi.

Ajo qan duke u përpjekur të mos e shohin të tjerët. Më pas, nga çanta nxjerr një fotografi dhe ia vendos para dhe i thotë:

Këta janë tre fëmijët e mi. Nëse kthehem nuk do të ketë të ardhme për ta.

Ai ende vazhdon duke e shqyrtuar, ndërsa gruaja lutet. Papritur hap pasaportën dhe e vulos para se t’ia kthejë. Ajo është e lirë të shkojë. Ajo do të donte ta përqafonte, por nuk mundet.

“Ik dhe paç fat!”, i thotë oficeri duke i treguar derën e së ardhmes së saj të pasigurt, por ende për t’u shkruar.

Ata nuk do ta shohin më kurrë njëri-tjetrin. Dy akte dashamirësie shpëtuan katër jetë. Mes atyre jetëve ishte edhe e imja. Ju mund të shpëtoni dikë.

Në një botë ku fyerjet e kritikat janë kryefjalë në rrugë e në rrjetet sociale, Meta e vë theksin te mirësia, te ajo mirësi që qëndron në detaje, në gjërat e vogla, në jetën e përditshme. Edhe një veprim i vogël mund të ndryshojë rrënjësisht rrugën e një individi.

Një veprim mund të bëjë një ditë ose një jetë më të mirë e janë ato zgjedhje që na bëjnë heronj, heronj pa emër, pa fytyrë, por që ndihemi krenarë para se të flemë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top