Prindër, përpiquni që fëmijëve deri në moshën dy vjeç mos t’i përdorni celularin, TV apo kompjuter, qoftë për ta ushqyer apo për të parë përralla e lojëra në të. Por edhe pas moshës dy vjeç duhet kujdes.
Nga Lira Gjika
Përdorimi i mjeteve elektronike deri në moshën dy vjeç bën vetëm dëm. Përdorimi i mjeteve elektronike, provokon atë që shkencëtarët e quajnë “autizëm virtual”. Fëmija fillon ti mësojë fjalët dhe të folurën jo më nga njerëzit, pra nëna, babai dhe të afërmit e tjerë, por nga sendi.
Fjala dhe e folura janë “produkte” sociale, ato mësohen dhe zhvillohen nëpërmjet komunikimin njeri me njeri. Kur të rriturit e prishin këtë rregull dhe e lenë fëmijën vetëm me sendet, ai nuk ka rrugë tjetër, mbetet i vetëm në botën virtuale të sendit që flet. Në këto mosha të brishta, ai nuk e zhvillon fjalën dhe të folurën si një marrëdhënie njeri me njeri.
Të qëndruarit vazhdimisht me mjetet elektronike, pengojnë te fëmija zhvillimin e të gjitha strukturave që realizojnë procesin e të folurës. E folura është eksperienca dhe eksperimenti më i fuqishëm që e bën njeriun njeri. Kujdes prindër, padashur po i gjymtoni fëmijët te e folura.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.