Edicioni i XVI-të i Ekspozitës Kombëtare “Salloni i Vjeshtës”, vjen këtë vit me një gjuhë ekspozuese tërërsisht të re në aspektin kuratorial, duke e konceptuar ekspozimin e veprave pjesëmarrëse si një libër të “realizmit magjik”, ku gjithkush që viziton ekspozitë shfleton vepër pas vepre një mikro-univers shumëngjyrësh, veshur me simblikë dhe mbartës së një mesazhi të çdo artisti. Tema e këtij edicioni të XVI-të është “E Kuqja”, e cila ftoi artistët ta interpretonin atë, të depërtonin përbërjen e saj, duke shpërfaqur brendinë e tyre të kuqe, që secili artist ka brenda vetes… ashtu si një imazh, qasje, concept, apo poezi nëpërmjet një estetike sa filozofike aq dhe ontologjike të qenies njerëzore.
Ph.D. Oltsen Gripshi, Kurator i ekspozitës
E kuqja është simbol i përsosmërisë së poleve të kundërta midis bashkimit dhe shpërbërjes, të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, mirësisë dhe djallëzisë, që janë parimet bazë për formësimin e rendit të jetës.
Të ballafaqohesh me të kuqen do të thotë të evidentosh mbijetesën me rrjedhën e kohës, në një bashkëkohësi, ku artisti dhe koha janë në një sprovë të ndërsjellë, përballë një publiku të palëvizshëm, të mpirë nga shumëçka shohin mbi artin bashkëkohor dhe pasiv për të zbuluar kuptimin e tij.
Salloni i Vjeshtës, prag dimri, kërkon nëpërmjet të kuqes të depërtojë në kozmogoninë krijuese të artistit bashkëkohor, i cili rreket në vorbullën e mundimshme të bashkëkohësisë që jetojmë për të gjetur hapësirën e tij brenda konceptit të hapësirës. Kozmogonia e të kuqes si membrana për të kapërcyer përtej vetë ekzistencës së tij si qenie njerëzore në kapërcyell midis dy përmasave: reales dhe surreales. Jemi jashtë kohës, në ndjekje të arritjes së pamundur, të njohjes së vetvetes: tempus fugit një proces mendor, ku artisti përpiqet më kot të “ngujojë” kohën në veprat e tij, kjo, sepse ajo arratiset në të kaluarën, fshin të ardhmen dhe fsheh të tashmen. Ne nuk jemi ajo që mundemi, por ajo që na është dhënë për të jetuar të pavarur nga vetja, ku e kuqja është kufiri ndarës midis këtej dhe andej të perceptueshmes fizike si element konceptual i kohë-hapësirës. Atëherë, ndoshta, duhet të shqetësohemi më shumë se SI në vend të se KUR dhe t’i orientojmë zgjedhjet dhe veprimet tona në kohën ekzistenciale, në atë që i përket ndjesive tona, atyre rrahjeve të pulsit, që në rastin e një artisti krijues i japin ritmin e domosdoshëm për të kllapitur realitetin përreth tij e më pas për ta shndërruar atë në një vepër artistike, në një imazh që zbërthen psikikën e artistit.
Në këtë kuptim Edicioni i XVI-të i Ekspozitës Kombëtare “Salloni i Vjeshtës”, bëri bashkë artistë më të mire të artit pamor shqiptar, me një pjesëmarrje realisht kombëtare, pasi pjesë e saj ishin artistë nga Prishtina, Gjakova, Prizreni, Suhareka, Tuzi, Shkodra, Tirana, Durrësi dhe Vlora. Një hartë gjeografike e gjerë dhe e larmishme si vetë veprat e artistëve pjesëmarrës. Kjo, sepse e kuqja gërshetoi, jo vetëm breza artistësh, madje edhe veprat e atyre që nuk jetojnë më si: Gavril Priftuli me “Murimi i Rozafës”, Nikolet Vasia me “Muza e përjetshme”, Bujar Zajmi me “Çifti nudo” dhe Moikom Zeqo me “Zodiakët ilirë”, ku ky i fundit njihet për here të parë me publikun në përmasën e një piktori. Gërshetimi midis brezave të artistëve nuk ishte e vetmja e re e këtij edicioni, pasi edhe zhanret dhe teknikat e përdorura nga artistët ishin të larmishme si: portreti, kompozimet figurale, peizazhi dhe konceptualja të realizuara me teknikën e vajit mbi kanavacë, instalacionit, skulturës në allçi, dru dhe baker, kolazhit, qendisjes, bojrave të ujit mbi letër dhe asaj të përzier.
Për t’u përmenduar janë veprat e Gazmend Lekë me veprën e tij “Jus primae noxtis”, ku nëpërmjet një gruaje lakuriq përcjell simbolikën e intimitetit të “natës së parë”; Shpresa Beqiri dhe Nikolet Vasia shfaqen me dy tablo përsëri lakuriq, ku në njërën shtriqet natyrshëm muza e tij e përbotshme dhe në tjetrën, të Shpresa Beqirit ndodh proceci hyjnor i joshjes seksuale; “In front of the animals” është vepra e Ols Plasës, i cili nën petkun e simbolikës së kafshëve na zbulon veset dhe virtytet e qenies njerëzore, apo Meri File, që për herë të parë prezantohet për publikun me një skulpturë të quajtur “The Soul”, një pikëtakim midis qenies dhe natyrës, veçanarisht një thëllëze, e cila ngre folezën e saj mbi shpinën e një mashkulli.
Vepra “Puthja e përflakur” e Elio Bajramaj është një portret dualist, që evidenton psikologjinë e një gruaje nën pushtetin e një burri. Paharruar vibrimin e tejdukshmërisë së qelqeve të natyrës së qetë të Greta Tahiragës, e cila formësohet si një Tableau Vivant falë instalacionit ndërveprues midis natyrës së qetë reale mbi tryezë dhe asaj të pikturuar heshtur mbi kanavcë.
Ironia e tranzicionit të shoqërisë shqiptare gjen vend në veprën “Bella ciao” të Fatmir Jukës, si kundër brishtësia femërore gjen intimitetin e saj falë freskisë së bojrave të ujit mbi letër në veprën “Evaporazione” të Erjon Nazeraj. Ndërsa Anastas Kostandini na zhvendos pas në kohë me “Skenë lufte ilire” dhe “Kali i shqiponjës”; Alfred Mirashi Milot na shpien në një tjetër përmasë konceptuale me punën e tij, me “Red key”; – “çelësi i njerëzimit”, ai që depërton psikikën përmes të kuqes; Agron Hoti, që nëpër zgavrat e abstraktes kërkon të shpëtoj pikërisht atë; “Mbijetesën e të kuqes”. Në të vërtetë abstraktja shfaqet edhe në veprat e Abaz Hados dhe Admir Përvathit, ku i pari shndërrohet nëpërmjet imazhit në një libër surreal fluturues dhe i dyti kllapit të kuqen mbi kanavcë.
Midis realitetit dhe ëndrrës prezantohen veprat e Helidon Halitit, të shkrira në simbioz mes tyre, ndonëse në njërën është “Puthia e fundit”, ku erotizmi shpërfaqet si një poezi mbi lakuriqsinë e një gruaje mbështetur mbi supin e një kali dhe në tjetrën dukshëm preket dhimbja e “21 janarit”, nëpërmjet simbolikës së kokës së “prerë” të gjelit.
Artiol Izri në krahasim me artistët e tjerë na vendos në një përmasë krejt të ndryshme të kohë-hapësirës, pasi vepra e tij “Tinguj” rrëfen historinë e vërtetë të një vajze 6-vjeçare të qujatur Emily, por të shndërruar në një personazh, ku gjithkush gjen veten. – Pema e jetës po vuan… gjithësinë e pret errësira. Në këto momente paqendrushmërie ekzistenciale vetëm pastërtia e shpirt të një vajze bionde e me sy jeshil mund ta shëroj plagën e rëndë që ka kapluar njerëzimin. Është përballja mes dy botëve dritës dhe errësirës, të mirës dhe të keqes në dyluftim mes tyre. Diku larg në zbrazëtinë e gjithësisë oshtinë një rrahje reaktori… Shpresa e fundit për të shpëtuar njerëzimin…
…një copë metali? A ka shpirt një andoid? E nëqoftëse ka, a është i denjë? Çfarë forme merr shpirti i tij? Kjo është dilema e këtij rrëfimi, ku personazhi arrin t’i mbijetojë dhe ta mposhtë zbrazëtinë e errësirës me forcën e tingujve të pianos së saj.
Tingujt e të kuqes, që janë thelbi i qenies pharmakon, ekzistenca, që lëviz midis dy poleve dialektike në shprehjen e kohë-hapësirës brenda dhe jashtë psikodinamikës së artistit bashkëkohor. Një artisti, që vëzhgon dhe gulçon mbi krizën e artit bashkëkohor shqiptar mbuluar me të kuqen e athët të përkatësisë së një identiteti pa identitet – që ngjall gjykimin dhe aftësinë kritike – është shenjuesi i kohës, ai që e banon atë, duke mos parë përpara, por me kokën varur pas në të shkuar të së tashmes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.