Dëshmi

June 19, 2018 | 15:52

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë rrëfen vuajtjen dyfishe, atë që pësoi në ’98 dhe harresën sot nga shteti (Video)

 

Ishte korriku i vitit 1998, kur nëna e dy fëmijëve nga fshati Pavlan, komuna e Pejës është dhunuar barbarisht nga katër persona, në sy të burrit dhe dy fëmijëve të saj.

Në një intervistë dhënë në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini, ajo tregoi momentin tragjik të jetës së saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.

gruaja

Edhe pse kanë kaluar pothuajse 19 vite prej përjetimit të dhunës, kjo grua tha se deri më sot askush nga zyrtarët shtetërorë s’është interesuar për shëndetin apo gjendjen emocionale të saj.

Kam qenë në oborr më burrë e fëmijë. I kanë rënë burrit kondak, ishin katër vet me një xhip të zi, ishin të pirë. Më kanë kap për dorë dhe më kanë fut në kerr, kam rezistuar por s’më kanë lëshuar. Ma kanë qit alltinë në ballë, më kanë  rreh ma kanë qit automatin dhe s’kam pas qare pa hyp me zor në kerr. Hypa në kerr, burrit i ranë, kunati këqyrke, mixha këqyrke krejt kojshia e dinë çka kam hekë unë. Më kanë  rreh.. më kanë shti me pi raki, më kanë ra dhe më thanë ‘ski qare pa pi’. Më s’ kam dit, e kam humb kontrollin. Fëmijët andej, burri këndej, prej atëherë s’jam mirë. Katër vetë kanë qenë ata. Më kanë qu te kojshit. Kam thënë du me shku për nevojë në banjo (me nder jush), që me ikë nga aty, e s’më kanë lënë dhe kam mbet aty.. Më kanë qit në të ligt, më kanë bo çka kanë dasht. Kjo ka ndodh gjatë kohës luftës më 14 korrik në Pavlan. Kah më kanë dërgu nuk e di. Zbathur kam dal dhe kam ik. Shyqyr që kam mbet gjallë. Prej atëherë jam në stres, jam e sëmurë, e kam marr sheqerin, jam qorruar në njërin sy, në këmbë s’muj me ecë”, tregoi historinë e saj.

Ajo kërkoi nga shteti që ta ndihmojë pasi gjendja e saj psikike dhe fizike nuk është e mirë.

Mem ndihmu diçka, djali nuk punon askund dhe ka fëmijë kallabllak. Po e thërrasin me punu e s’po shkon se duhet mem kqyr. Jemi fukara s’po kemi, jam fukara…Djali po më shikon e po më rrinë gati, faleminderit prej tij. Djali ka qenë tetë vjet, çika shtatë vjet…Burri më ka vdek që tetë muaj prej stresi, e më ka thënë ‘shuj se s’është kjo kurrgjo se krejtve ju ka ndodh kjo’. Ai më ka thonë që kurrë s’kam me ma përmend këtë punë. Nuk kam asgjë ndihmë për këtë punë. Zotit dhe juve ju kam rënë në dorë që kam mbet që gjashtë muaj sakatë nga këmba prej sheqeri…As filmat s’muj i shoh se bëhem keq”, tregoi rrëfimin e saj kjo nënë e dy fëmijëve.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, qeveria ka marrë vendim që pagesa mujore për Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë luftës të jetë 230 euro. Nga data 5 shkurt 2018 ka filluar aplikimi për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe i gjithë ky proces pritet të zgjatë pesë vite. Megjithëse ende nuk kanë shifra të sakta të viktimave të dhunimit gjatë luftës, mirëpo që nga paslufta është përmendur shifra mbi 13 mijë personash të dhunuar.

Sot, kur edhe shënohet Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, në Prishtinë bëhet lancimi i fushatës “Bëhu zëri im”. Kjo fushatë nisi me marshin qytetar nga Sheshi “Skënderbeu” dhe vazhdoi deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”. Kjo fushatë bëhet për përkrahjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Burimi RTV Dukagjini / https://www.youtube.com/watch?v=G7ZrX2eYcV8&feature=youtu.be

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com