FB

December 26, 2025 | 14:34

E vetmja dritë… nga Ilir Çumani

 

Ka dhimbje që nuk bërtasin dhe mungesa që nuk shërohen kurrë. Janë plagë të heshtura që rriten bashkë me njeriun, duke u kthyer në kujtime, kërkime dhe shpresa të pashuara. Poezia “E vetmja dritë…” nga Ilir Çumani, është një rrëfim i tillë: një udhëtim i gjatë nëpër vetmi, ku figura e nënës shfaqet si mall, si dritë dhe si kuptim i jetës. Ajo nuk është vetëm një prani e humbur, por një ideal dashurie që kërkohet në çdo fytyrë, në çdo shikim dhe në çdo përqafim të munguar.

nena-ilir-cumani

Në këtë poezi, fëmija i brendshëm nuk resht së thirruri, ndërsa shpresa mbetet e vetmja forcë që e mban njeriun gjallë. Është një himn i heshtur për nënën, për mungesën dhe për dritën që, edhe kur duket larg, vazhdon të ndriçojë shpirtin.

 

***

Kam njohur në jetë shumë portrete nënash,

por pak prej tyre ngjanin me ty.

Kërkova pafund, me imagjinatë fëmije,

që secila, nga pak, të më sillte tek ti…

 

I shurdhët, i përhumbur në lojën pa lodra,

thërrisja, thërrisja kudo emrin tënd…

dhe botës së zbrazët rrotull iu solla,

me shpresën e vetme të gjeja veç një shenjë…

 

Nuk di ç’ke ndjerë, zemërdhembshura ime e bukur,

kur fati i pafat më shkëputi nga ti,

por një dhembje e kisha gjithmonë brenda dhembjes,

që, i lodhur e i pashpresë, jetoja vetminë.

 

Kam njohur në jetë shumë portrete nënash,

me sy të qeshur dhe shpirt Mona Lizë,

por asnjëra prej tyre s’ma solli kaq pranë

atë që kërkoja në jetë për çdo ditë…

 

Sa i gjatë, i mundimshëm ishte ky makth,

nuk di një mënyrë si ta tregoj.

Për diçka jam i bindur dhe s’kam drojë ta them:

je e vetmja dritë që unë sot jetoj…!

 

*Ilir Çumani

Tiranë, e enjte – 25 dhjetor 2025

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top