Dëshmi

December 1, 2022 | 7:15

Eda Bano: Bukuresht ose ndryshe “i bukur është”…

Jo rrallë më pyesin nga e merr frymëzimin për të shkuar dhe vizituar një vend të caktuar? Përgjigjja është sa e larmishme aq e çuditshme! Rasti për të vizituar kësaj here Rumaninë ishte një targë makine që pashë diku në një autostradë teksa gjezdisja verës nëpër Evropë. Menjëherë i them tim shoqi: -“Oh, i dashur, erdhi momenti të ikim në Bukuresht!” Dhe prita të  vinte Tetori që ta finalizoja udhëtimin drejt Bukureshtit, edhe me një vizitë në keshtjellën e Drakulas në Transilvani. 

edaBukureshti! 

Një mikja ime dikur më pat thënë që emri Bukuresht vjen nga shqipja, pasi shqiptarët që jetonin dikur në Vllahi (dhe u quajtën vllehë), pasi e panë, e pëlqyen shumë këtë qytet, thanë disa herë “i bukur është”, dhe kështu qyteti duket sikur kësisoj mori emrin “Bukuresht”. Duket si e pavërtetë, por nëse hulumton për emrin e tij, ka diçka të vërtetë nga e gjithë kjo. Të paktën, në thelb të fjalës “Bukuresht” është “bukuri”, sepse edhe në rumanisht kjo fjalë do të thotë “gezim”, “lumturi”… Dhe vërtetë që është një qytet me bukuri mbresëlënëse! 

Me rrugë të gjera, me Danubin që kalon në mes të tij, parqe gjigande, i shquar për një numër shumë të madh kishash, me qytetin e vjetër, me një jetë vibrante ku nuk pushojnë muzika dhe festat deri në mëngjes, mbi të gjitha, Bukureshti është i famshëm dhe përmendet për godinën e parlamentit. 

eda7

E cilësuar si godina e dytë më e madhe në botë pas Pentagonit, parlamenti është një ndërtesë gjigande, gati-gati duket si një piramidë (pasi është ndërtuar mbi një kodër ku u rrafshuan 5000 shtëpi dhe u shpronësuan 53.000 familje), parlamenti numëron 1100 dhoma dhe 5 kate nëntokë, ku kati i fundit është galeri e projektuar për të mbrojtur krerët e shtetit nga sulme bërthamore. 

Bukureshti është quajtur si Parisi i vogël, pasi në shumë nga rrugët dhe ndërtesat vihet re ndikimi francez dhe që kurorëzohet me Harkun e Triumfit, i ndërtuar në vitin 1935. 

eda6

Bukureshti ka edhe një ndër libraritë më interesante dhe të spikatura në botë. Ky është fakt: libraria quhet “Carturesti Carusel” dhe është i pozicionuar në “qytetin e vjetër” aty ku në fakt mund të zbulosh historinë e gjithë vendit në çdo hap që hedh. Dhe ajo që rekomandohet dhe që nuk duhet lënë kurrë pa bërë kur viziton Bukureshtin? është pikërisht kështjella Bran ose ndryshe kështjella e Drakulës, e cila është pozicionuar në këmbët  e qytetit Brasov, në fshatin Bran të Transilvanisë, rreth 2 orë e gjysmë larg Bukureshtit. Pra, shkuarja në Bran, teksa je në Bukuresht, del si një plotësim i mëtejshëm i argëtimit, qejfit dhe kompletim i udhëtimit, duke e bërë të paharrueshëm atë. 

eda5

•Rumania është goxha shtet i madh, tipik ballkanik, me popull pothuajse të ngjashëm me tonin përsa i përket ca veçorive, si mosdurimin nëpër semaforë, gjaknxehtësinë apo qejflinj të mishit të kuq.

•Nëse nga Bukureshti planifikon të shkosh në kështjellën e Drakulës (Bran castle), mirë do të ishte që para saj të bëhej medoemos një vizitë në Kështjellën e Pelés. Nganjëherë më duket më interesante dhe shumë tërheqëse. Kush e shikon dhe e viziton, do krijojë përshtypjet dhe idetë e tij. Kështjella Pelés është rreth 2 orë larg nga Bukureshti, në një kodër të mrekullueshme mes gjelbërimit.

•Rrugët në Transilvani? Nganjëherë ankthioze. Mund të ngecësh për orë të tëra në trafik për shkak se kurioziteti për të vizituar qytetet dhe kështjellat e bukura të Transilvanisë janë të mëdha, por rrugët vijojnë të jenë të ngushta e dykalimëshe. 

eda2

•Kur hyn në Rumani në rrugë tokësore, në doganë nuk të lënë në asnjë mënyrë të kalosh pa paguar një kupon për makinën. Një tra është ulur enkas për këtë qëllim dhe ngrihet menjëherë sapo bën pagesën. Mirëpo interesant është fakti që kur del nga Rumania, doganieria të kërkojë rryshfet, sepse asaj “nuk i figuron në sistem” që ti e ke kryer këtë pagesë! Dhe të shkel edhe syrin…

eda1 eda3 eda4 eda9 eda8

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top