FB

June 1, 2023 | 7:06

Eda Bano: Camino di Santiago de Compostela…

 

Kush mundet të quhet pa frikë si udhëtimi më i denjë që njeriu mund të bëjë përgjatë gjithë jetës së tij? Padyshim, udhëtimet, ato të cilësuara si “udhëtime jete”, janë disa! Por një nga më të rëndësishmit, ai që dallon dukshëm, që përmirëson këndvështrimin, që të sjell ndryshime rrënjësore në tërësi të qenies tënde, është “Camino di Santiago de Compostela”.

e-1

Kisha dëgjuar prej vitesh rreth tij, por më dukej e pamundur ta realizoja: mendoja që kërkonte përgatitje fizike mbi të gjitha, kohë dhe përkushtim maksimal. Por gjithmonë e kam ditur që çfarë fshihet në nënvetëdije, ajo vjen një ditë, dhe befas realizohet. E çuditshme është kjo, por a nuk jemi të gjithë dëshmitarë të asaj që ato ç’ka jemi dhe bëjmë kanë qenë veçse dëshirat tona të brendshme dhe pastaj si drejt yllit polar ne kemi shkuar të orientuar drejt realizimit të tyre? Kështu më ndodhi mua me “Caminon”.

e-6

Nuk e di se si e qysh, por befas e pashë veten duke hartuar planet rreth rrugës që do ndiqja.

Ka shumë rrugë. Më të famshmet janë French Way; North Coast Camino; St. Jean; Portuguese Way; Andalusian Camino; Primitivo Way…etj. Por njihet edhe ajo spirituale, romane, Ignatian dhe Lebaniego.

Janë të gjata edhe 930 km (ajo francezja), apo 827 km rruga e veriut, St. Jean është 775 km… por që të “quhet” i kryer misioni dhe për të marrë “kredencialet“, duhen bërë medoemos mbi 100 kilometrat e fundit.

Një shprehje thotë që, kur nisesh të bësh pelegrinazhin e Santiago de Compostela, “të njihet” sakrifica që porsa del nga dera e shtëpisë. Personalisht zgjodha të bëj rrugën portugeze. Kam një tërheqje të te veçantë ndaj Portugalisë. Më pëlqen ai vend: nga ngjyrat, dielli, qytetet, njerëzit…

Avioni më ndaloi në Porto dhe zyrtarisht pelegrinazhi im filloi aty. Në krye pajisesh me një pasaportë, të cilës i vendos vula nëpër vendet e caktuara gjatë gjithë pelegrinazhit. Kjo është ndër kënaqësitë e udhëtimit!

e-5

Valença është qyteti i fundit i Portugalisë, dhe ai ndahet nga Spanja nga një lumë (Minho), ku gjysma e tij shtrihet në Spanjë, gjysma në Portugali. Është mbresëlënës kalimi i kufirit midis Portugalisë dhe Spanjës, në mes të urës është një vijë e verdhë që ndan dy shtetet. Menjëherë vjen qyteti spanjoll ngjitur me Valença, që është Tui. E bukura është që gjithashtu menjëherë ndryshon edhe ora, sepse dy shtetet kanë orë të ndryshme. Kjo të huton pak fillimisht, por pastaj e harron Valençan, Porton dhe vetë Portugalinë, si dhe gjithçka ke lënë pas, sepse sheh vetëm përpara, drejt pikësynimit final që është: “Santiago de Compostela”.

Një ditë, një shok i rastësishëm rruge, portugez, na tha:- “Është i lodhshëm ky pelegrinazh. Të duhet të ecësh ditë të tëra, rreth 20-25 km në ditë. Ditën e parë je plot fuqi dhe energji, pastaj ritmi ulet, derisa e ndjen veten të lodhur, të dërrmuar e rraskapitur. Por të gjitha këto harrohen kur më në fund arrin në sheshin para Katedrales madhështore të Santiago de Compostela! Atje mbushesh me frymëzim, ndihesh ndryshe, ndihesh fitimtar dhe i shpërblyer! Emocionohesh dhe kjo ndjenjë të mbetet e fortë për gjithë jetën. Ia vlen sakrifica!” Nuk i harroja dot gjithë rrugës këto fjalë. I kisha si motivim dhe më udhëhiqnin, edhe kur pas 15 kilometrash të nisura herët në mëngjes, më prisnin edhe 10 të tjera për të kapur objektivat e ditës dhe të “Caminos”, përsëri vijoja të ecja! Sepse dëshira për t’ia dalë dhe për të qenë e realizuar ishte më e madhe.

e-2

Gjatë rrugës bën miq, ti i sheh në fillim ata, përshëndetesh “Bon Camino”, dhe teksa kilometrat ecin një pas një, fytyrat përsëriten. Darkave ndeshesh përsëri me ta nëpër qytete, tashmë me një ndryshim: pa çantë në kurriz. Përshëndetesh përzemërsisht! Të nesërmen si të zgjuar nga e njëjta orë me zile, nisesh përsëri në një grup të improvizuar e të rastësishëm, por çuditërisht të njëjtë. Njerëz me të cilën ndan një mision, një qëllim, një fat rruge, ndan të njëjtat vende pushimi ku konsumon një gotë lëng portokalli dhe kafe, (apo birre disa syresh), të njëjtat kisha ku merr vulat në pasaportën e Caminos, të njëjtën dëshirë e dashuri: atë për jetën dhe sfidimin e vetvetes!

e-3

Fakte:

→Drejt Santiago de Compostela në vit rendin rreth 300 mijë pelegrinë.

→Rrugës nuk ka tualete, vetëm nëpër bare apo “alberguet”, por që t’i përdorësh ato, duhet të konsumosh diçka me patjetër në bar.

→Pelegrinazhi këtu nuk njeh moshë. Si më e moshuar është regjistruar një grua 90 vjeç, që po e bënte pelegrinazhin me vajzën e saj 60.

e-4 e-7

 

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

(instagram) dreamtravel.world

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top