FB

July 1, 2023 | 7:30

Eda BANO: Colmar, vendi me unik në të gjithë Europën!

 

Colmar mund të quhet pa frikë një ndër destinacionet më të mrekullueshme në Evropë. I lehtë për t’u vizituar, veçanërisht nëse stacionohesh në qytetin e vjetër, me gjithë pamjet e bukura të rrugëve, ndërtesave, parqeve dhe monumenteve arkitektonike, apo muzeumet që kjo perlë e vogël stacionuar në skajin lindor të Francës ofron.

e-7

Colmar ndodhet në Rrugën e “Verës Alsas” dhe e konsideron veten si “kryeqyteti i verës Alsasia” (capitale des vins d’Alsace). Kjo ia shton edhe me shumë reputacionin, të konsoliduar tashmë prej shumë kohësh, falë bukurisë dhe pamjes magjepsëse që e bën aq unike. Nga Tirana, Colmar ndodhet 1758 km larg, ç’ka presupozon që nëse e merr në rrugë tokësore, duhet të bëhet me një natë ndalesë diku në Trieste, Itali, p.sh. Por aeroporti më i afërt për Colmar është ai i Strazburgut (SXB), kurse opsione të tjera janë, duke marrë tren nga Zurich apo nga Bazeli me FlixBus. Mua m’u desh të udhëtoja nga Parisi drejt Colmar – rreth 452 km të përkthyera në rreth 6 orë rrugë shumë të këndshme dhe që nuk e ndien fare me makinë. Në hyrjen veriore të qytetit, hyrje nga m’u desh të kaloja teksa vija nga Parisi, çuditërisht të pret Statuja e Lirisë, të cilën Bashkia e Colmar ka vendosur ta pozicionojë pikërisht si një shenjë mirëseardhjeje në hyrje të qytetit. Ajo është një kopje e statujës së lirisë, e cila synon të nderojë artistet e kësaj vepre arti, e cila është ndoshta më e famshmja në botë.

e-1

E stacionuar në një hotel të vogël dhe shumë simpatik në qendër të qytetit të vjetër, sapo mbërrita në dhomën time të lezetshme, më bënë përshtypje dritaret e shtëpisë përballë nesh. Tek njëra rrinte një kukull e madhe që imitonte një zonjë shtëpie, e cila po “qepte” e ulur në një poltronë të madhe lëvizëse. E tërë pamja ishte e mbushur me detaje dhe dekore interesante që të bënte t’i mbaje sytë gjatë mbi të. Tek dritarja e dytë dukej qartazi një ambient i ngrohtë dhe familjar. E gjithë pamja të ngjasonte me një skenë teatri! -“Sa njerëz të qejfit dhe të ngeshëm që janë!”- mendova, jo pa një fije respekti e admirimi.

e-9Teksa admiroja pamjen, boria e një treni të bardhë shëtitës mbushur plot me turistë, më kaloi poshtë dritares. Turistët më përshëndetën me dorë, gjithashtu ua ktheva përshëndetjen e kënaqur. Sapo u largua treni i bardhë, një karrocë e madhe dhe e lartë me 4 kuaj dhe e ngarkuar me turistë, kaloi duke bërë zhurmën tipike që lëshojnë patkonjtë e kuajve. Sa qejf! Një qytet i gjallë e lëvizës, i cili që në prezantimin e parë të magjeps.

e-10

Itinerari pasoi me qendrën e qytetit të vjetër si dhe me të famshmen dhe uniken “La petite Venice“- por sugjerimi në këtë rast do ishte një xhiro me trenin e qytetit (aty ka 2 trena), dhe me këtë rast, me një çmim prej 8 Euro personi, prezantohesh me qytetin madje edhe me guidë shoqëruese në 6 gjuhë të botës, si dhe me hartën e qytetit dhuratë.

e-5

Një sekret: E kam zakon që për lehtësi “veprimi”, kudo që shkoj nëpër vende dhe qytete anembanë botës, ose bëj një “xhiro” rreth e qark qytetit me trena apo autobusë shëtitës, ose hipi në majën më të lartë (n.q.s ka të tilla). Kësisoj e kam më të lehtë të caktoj pikat ku duhet të referohem!

e-8

Itinerari njëditor i Colmar:

La Petite Venise (Venecia e Vogël)

Lagjja e Tanners & Place de l’Ancienne Douane.

Një shëtitje me varkë përgjatë kanaleve të Colmar.

 Admirimi i një kryevepre artistike në Kishën Domenikane (Église des Dominicains)

Një darkë romantike në një nga restorantet e shumta tipike të qytetit me pjatat tradicionale të mishit dhe makaronave shoqëruar me verën e Alsasias është mbyllja më e bukur për shëtitjen në këtë vend përrallash!

Vizita në Colmar! Një vizitë që nuk duhet humbur!

e-3

By: dreamtravel.world

Eda Bano Losha

(instagram) dreamtravel.world

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top