“Ëndrra amerikane”, tek mua përkthehet në atë që do të doja t’i përshkoja të gjitha shtetet e USA me makinë. Kështu e gjej veten në avionin që pas shumë orësh udhëtimi nga Tirana, herë më zbret në California, herë në New York, herë në Miami, në Honolulu apo Houston.
Është gjë e bukur teksa zbret nga avioni në vende të largëta rrethuar nga njerëz të cilët dikush i pret, dikë shkojnë të takojnë, ose një jetë të re duan të ndërtojnë andej përtej oqeanit, kurse emrin tim kurrë s’e shoh në tabela varur në duart e askujt, dhe unë nisem për “kurrkund” me duart bosh e vetëm me një valixhe të vjetër me rrota. Tek e vetmja valixhe duhet të llogaris të katërta stinët, por nganjëherë është tejet e vështirë! Ajo që gjithmonë ndjej në palcë është zakonisht i ftohti, i cili gjithmonë më gjen “të papërgatitur”, me pak ose aspak rroba në valixhe! Njëherë në New York, teksa në pranverë më zuri një i ftohtë marramendës dhe ndërkohë që në vitrinat e dyqaneve të “Fifth Avenue” për ironi të fatit ishin të ekspozuara vetëm rroba banjo dhe koleksionet e reja të verës, që i bënin karshillëk të ftohtit të hidhur njujorkez , ndërsa futem në dyqanin super të madh dhe më të thjeshtin për xhepin e një udhëtareje që do ndërmerrte gjithë atë rrugëtim nga bregu lindor në atë perëndimor, (dhe duke u përpjekur të cekte Route 66), po provoja të vetmen pardesy që gjeta në dyqanin e madh. Një shitëse që mbiu si nga hiçi, më sheh e shtangur që po provoja në mes të dyqanit pardesynë, zgurdullon sytë, bën një “Uaaa” dhe ikën me vrap… Mendova që kisha gabuar duke mos u futur në dhomën e provës, por gjithsesi shkova tek kasa. Aty ishte vajza që kishte “bërtitur”. Papritur më foli shqip: -“A më njeh? Jam vajza e …”.
Ehhh, është lezetshëm edhe kështu. Gjithsesi ky lloj rasti ka qenë i rrallë, për të mos thënë i vetmi në Amerikë!
Udhëtimi im i parë nga Lindja në Perëndim, nga New York deri në Los Angeles ka qenë rreth 5000 km. 25 shtete të përshkruara. Udhëtimi i dytë ka qenë ai nga Miami në Honolulu. 4500 km, duke përshkruar 15 shtete. Një tjetër, më i shkurtër, por jo më pak i rëndësishëm, ka qenë përreth Alaskës me nisjen nga San Francisco. Alaska është vendi i dytë më i madh në SHBA pas Teksasit.
Të përshkosh Amerikën në rrugë tokësore është ndër gjërat më të bukura që njeriu mundet të ndërmarrë. Përveç faktit që udhëtimi zgjat me ditë të tëra, gjithashtu aty kupton që sa e madhe është Amerika! Sa vende të mrekullueshme ka! Çfarë bukurish natyrore, peizazhe që janë parë vetëm nëpër filma, shkretëtira dhe bimësi shkretëtirash, hekurudhat e gjata. Veçanërisht kur qytetet apo kryeqytetet e shteteve i shikon një pas një, kupton veçoritë dhe dallimet apo të përbashkëtat e tyre. Se në fund të fundit është një shtet i vetëm, i përbërë nga konglomerat shtetesh, njerëzish, kulturash…
Të qenit planifikues i mirë është tjetër kusht. Zakonisht planet më janë realizuar gjithmonë, dhe ka rezultuar që kam qenë një programuese shumë e zonja e udhëtimit.
Çfarë më ka bërë përshtypje? Në qytetet e vogla si Omaha (Nebraska), Dallas, Denver, El Paso, Pecos, njerëzit duket të jenë shumë miqësorë. Ata të përshëndesin edhe nga ana tjetër e rrugës me ngrohtësi, apo të kërkonin të bënin një foto me ty dhe kjo të bënte të ndiheshe e veçantë! Udhëtimi nga New York për në Los Angeles kalon në pjesën veriore të USA dhe ka zona të tilla si Colorado, ku klima bëhej vërtetë e ashpër. E veçanta e udhëtimit është që njeriu nga klima e ashpër e New York-ut, Colorado-s, Denver-it, Chicago-s, del në një klimë 40 gradë të padurueshme të Las Vegas apo gati për plazh në Los Angeles!
Dhe për të mos u lënë pa përmendur? Ushqimi!
Sigurisht që shqiptarët që jetojnë në Amerikë i dinë të gjitha vendet dhe gustot, kurse kur je vetëm një shkelës i përkohshëm, do ia besosh stomakun tënd zgjedhjeve të rastësishme apo atyre që të sugjeron interneti. Në Las Vegas, nga Strip ku ishim akomoduar në një nga hotelet me famoze të botës (Hotel Bellage, dhe kjo jo rastësisht, por sepse u martuam në L.V) – për të pirë një kafe si në Evropë, bënim çdo ditë 40 km me makinë! Për ushqim shpesh gjatë rrugës blinim fruta të thata, por që në Amerikë i gjen në përmasat XXL, apo sallata të gatshme që karburantet i përmbanin të llojeve të ndryshme. Gjithsesi, Amerika kërkon të bësh shumë kujdes në ushqim dhe aty ajo që të bën më shumë përshtypje më së shumti shpesh janë pikërisht endacakët shtrirë rrugëve dhe obezët. Dhe gjithashtu, liria e njerëzve, thjeshtësia, çiltërsia.
Lehtësi tjetër në Amerikë? Fakti se sa me lehtësi janë procedurat e marrjes së makinave me qira, dhe veçanërisht lënia e tyre. Është bukur të rrugëtosh, por Amerika me atë shtrirje, reliev dhe bukuri që ka, dhe lehtësirat që të ofron, e bën edhe më atraktiv të gjithë udhëtimin.
By: dreamtravel.world
Eda Bano Losha
(Instagram) dreamtravel.world
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.