FB

July 26, 2025 | 17:30

Eda Bano Losha: Një libër jete me të vërteta dashurie

 

Ka njerëz që ecin butë mbi jetë, si mbi një qilim delikat të endur me përvojë, dashuri dhe sakrificë. Ata nuk bëjnë zhurmë, por lënë gjurmë. Një prej tyre është Edlina Bano (Losha), një grua që nuk zgjedh të sundojë botën me zë të lartë, por ta përqafojë atë me zemër të madhe.

kopertine-3

Eda është një personazh që bie në sy jo për shkëlqimin e jashtëm, por për dritën që përçon nga brenda. Ajo çmon jetën në të gjithë palcën e saj, me të mirat që të mbajnë pezull dhe të këqijat që të rrisin pa u ndjerë. Dashuria për të është një virtyt themelor, shtylla e padukshme që e mban në këmbë edhe në ditët më të trazuara. Eda zgjedh të veprojë me zemër, edhe kur rruga mund të mos jetë ajo e duhura në dukje. Beson në instinktin e saj, një lloj busulle e brendshme që nuk e mashtron. Dhe kur nuk ndodhet në habitatin që i përshtatet, ajo nuk dorëzohet, thjesht sheh përreth dhe thotë: “Ky ishte një mësim i vyer.” Për të, kthesat e jetës nuk janë ndalesa të frikshme, por misione që duhen përmbushur. Edlina i sheh ato si kilometra që duhet të bëhen, si kapituj që duhen shkruar me kujdes për të mbërritur atje ku ka vendosur të shkojë. Nuk ka udhë pa pengesa, por ajo di ta shndërrojë çdo pengesë në një gur themeli.

Sot, Eda Bano ndjehet e vetëpërmbushur, një grua që menaxhon me kujdes rolet që ka zgjedhur dhe që i janë dhënë si bashkëshorte, nënë, profesioniste. Asnjë nuk e mohon apo e lë pas dore. Përkundrazi, i shërben secilit me përkushtim. Ajo është një frymë pozitive në kohë zhurmash të mëdha, politike, sociale, botërore. Në këtë kakofoni emocionesh dhe lajmesh, Eda mbetet e pastër, e kthjellët, ndonjëherë me çiltërsinë e një fëmije që beson se edhe guri mund të zbutet me mirësi.

kopertine-1ok

Këtë herë koha me të ishte e kufizuar, por e mbushur me thellësi. Guri kilometrik i Edës ende duket i largët, ajo ka shumë për të dhënë, shumë për të përmbushur. E gjej në heshtjen krijuese të një skrivanie, e rrethuar nga libra, në përmbushje të një tjetër kapitulli dijesh, që i vlen më së shumti institucionit parashkollor që ajo drejton, “Princi i Lumtur” në Tiranë. Për Eda Banon, dijet nuk kanë fund. Janë si një det i pamatë ku ajo zhytet me kureshtje, për të sjellë në sipërfaqe atë që mund të jetë e vlefshme për veten, familjen, shoqërinë dhe gratë shqiptare kudo që janë, modele të heshtura arritjesh.

Shijoni këtë intervistë ndryshe me Eda Banon, një grua që, me butësinë dhe përulësinë e saj, përçon një energji të mirë që ndriçon çdo hapësirë ku ndodhet. Dhe ndoshta, edhe ju, si unë, do të ndiheni të frymëzuar nga bota që ajo përfaqëson.

 

img-20250624-wa0056

Prej 18 vitesh, Eda Bano drejton Çerdhen dhe Kopshtin “Princi i Lumtur”. Puna me fëmijët e mban gjallë dhe ajo angazhohet plotësisht për të dhënë maksimumin e saj, falë gjithashtu kontributit të bashkëpunëtorëve. “Princi i Lumtur” është një dhuratë nga një nënë për nënat, dhe kështu e ka cilësuar këtë strehë të bukur që funksionon pranë rrugës “Endri Keko” si çerdhe dhe kopsht, e themeluar në vitin 2007. Pas plot 18 vitesh aktivitet të pandalshëm, ky institucion ka nxjerrë breza fëmijësh, disa nga të cilët tani kanë arritur të mbarojnë shkollën dhe të arrijnë maturimin.

 

INTERVISTA

GRUAJA NË KARRIERË

Eda, në ç’fazë të jetës ndodheni sot? A ndiheni se jeni bërë ajo që ëndërruat të ishit, apo rruga drejt vetëpërmbushjes mbetet ende një kërkim i pafund?

Nuk jam nga ata njerëz që mendojnë se kapën fundin. Jam në një ecje të vazhdueshme me një ritëm që s’mbaron, me një mal dëshirash që sapo realizohet njëra, ngre kokën tjetra. Besoj që ky ritëm do më ndjekë deri në fund.

 

A ka pasur ndonjë moment kur i keni thënë vetes: “Stop – mjafton me kaq”? Çfarë fshihej pas atij çasti?

Kurrë ndonjëherë. Mund t’i kem thënë “stop” përkohësisht, për të marrë energji, për t’u furnizuar me ide, me plane, frymëzim, dhe më pas për të vijuar. Nëse diçka nuk ka funksionuar siç duhet, kam pushuar për pakëz të kuptoj se ku ka qenë “kleçka”, kam analizuar situatat, kam programuar plane të reja, kam kërkuar shtigje të tjera.

 

Cilat kanë qenë momentet kur keni ndier më fort peshën e të qenit grua në një botë profesionale që shpesh nuk është krijuar për ne?

E kam ndierë edhe unë, ndoshta si çdo grua në këtë botë që duket sikur është krijuar enkas për meshkujt. Kur fillimisht punoja si inxhiniere ndërtimi, situata ishte shumë e zymtë për mua. Burrat që më rrethonin nuk pretendonin të merrnin mendime nga një inxhiniere e sapodalë nga bankat e shkollës, por edhe më pas kam ndeshur paragjykime, teksa bëja këtë profesion, që nga veshja në radhë të parë (të kuptohemi veshja ime nga ana e etikës s’kishte asgjë për të dëshiruar) – paragjykime të bëra madje edhe nga vetë  femrat.

 

Në ç’mënyrë ka ndryshuar perceptimi juaj për suksesin gjatë këtyre viteve? A ka ndryshuar edhe raporti me vetveten?

Nuk jam tip që i ndryshoj shpesh mendimet dhe perceptimet si për veten, ashtu edhe për konceptet bazë. Në këtë këndvështrim, vijoj të mendoj njëjtë siç kam pas menduar përherë edhe mbi “suksesin”. Për mua të jesh i suksesshëm do të thotë të jesh i rrethuar nga njerëzit e dashur të familjes, të duash punën tënde, të respektosh kohën tënde të lirë, të ushqehesh dhe jetosh shëndetshëm, të kesh miq të mirë, pavarësisht sa shpesh i takon. Të jesh i lumtur mbi të gjitha. A ka sukses më të madh se ky?

 

Kur ndiheni e suksesshme, në zyrë, në shtëpi apo në qetësinë e një mëngjesi të zakonshëm?

Në të tëra rastet e sipërpërmendura: në zyrë kam oazin tim të qetësisë e intimitetit. Në shtëpi jam e rrethuar nga gjithë familjarët e çmuar për mua, për shëndetin dhe mirëqenien e të cilëve falenderoj Zotin çdo ditë. Mëngjeset janë një tjetër moment i dëshiruar,  janë momentet më të bukura e të gëzuara që kur isha ende e vogël.

 

A ka pasur ndonjëherë një moment kur keni dashur të dorëzoheni? Çfarë ju ka ndaluar?

Unë nuk dorëzohem lehtë, për të thënë që nuk dorëzohem kurrë, por më çastet kur vërtet më është dashur të dorëzohem sepse s’ka pasur rrugë tjetër, ka qenë bashkëshorti im që më ka ndihmuar të ma bëjë më të lehtë këtë, dhe me vete e kam falenderuar më pas sepse më ka ndihmuar ta realizoj  këtë gjë, pra të realizoj “dorëzimin.” Duhet të dorëzohemi ndonjëherë! Dhe kur këtë nuk e bëjmë dot vetë, duhet të na e kujtojë dikush.

e-brendshme1

Si e ruani integritetin dhe ndjeshmërinë në një ambient që shpesh shpërblen ambicien mbi ndjeshmërinë?

E ruaj me vetëmenaxhim. Në një kohë kur ambienti të servir ambicie në vend të vlerësimit, atëherë thjesht i kam bërë autoterapi vetes për t’i rezistuar kësaj. Dhe funksionon.

 

NËNË DHE BASHKËSHORTE

Në përpjekjen për të qenë gjithçka për të tjerët, nënë, bashkëshorte, profesioniste, kur dhe si arrini të jeni thjesht vetvetja?

Jam vetvetja, pastaj jam ato të tjerat. Duket egoizëm, por unë jam e mendimit që nuk mund të jesh bashkëshorte e mirë, grua profesioniste, nënë e devotshme, pa pasur raporte të mira me vetveten. Kur jam në harmoni të plotë me veten, jam e realizuar edhe në rolet e tjera që mbaj në shoqëri, në jetë e familje.

 

Cili është një mësim që fëmijët tuaj ju kanë mësuar pa e kuptuar?

Duhet të pyesim ata. Jam munduar të jem vetvetja, t’i mësoj  jo duke i këshilluar se si të bëjnë mirë këtë apo atë, por duke e bërë vetë siç duhet atë gjë në fillim. Fëmijët janë pasqyra jonë. Kot të kërkojmë jashtë kësaj.

 

Si ka ndikuar martesa dhe mëmësia në mënyrën si e kuptoni dashurinë?

“Dashnija mbaje mend është vetëm një varg i një libri me tremijë faqe bosh…”- thotë refreni i një kënge. Unë kam një libër me 3-mijë faqe mbushur me dashuri, ndoshta ndonjë varg tek-tuk është bosh.

 

Çfarë ju ka mësuar koha për kompromisin në një marrëdhënie të gjatë?

Kompromisi duhet bërë padyshim, nëse dëshiron një marrëdhënie të gjatë. Kompromisi im ka qenë të vë re tek tjetri vetëm të mirat. Anët e këqija i anashkaloj apo i harroj. Është bukur të vëresh tek tjetri vetëm anët pozitive. E di që ka efekt? Duket përherë i mirë, i dashur, me vlera, i adhurueshëm.

 

A ka një moment të vogël, por të paharruar, me familjen, që do e mbani gjithmonë në zemër?

Po, kur festonim ditëlindjet e gjyshit. Ishte gëzim shumë i madh në familjen tonë dhe i kthenim në festa të mëdha madje edhe me animatorë. Gjyshi kënaqej përherë dhe i shijonte ato. Gjyshi ishte vjehërri im. E doja shumë dhe më impononte respekt.

kopertine-2

PJESË E DHOMËS EKONOMIKE TË GRUAS SHQIPTARE

 

Çfarë do të thotë për ju të jesh pjesë e një zëri kolektiv që kërkon të rishkruajë vendin e gruas në shoqërinë shqiptare?

Jam prej disa vitesh pjesë e dhomës ekonomike të gruas. Më pëlqen teksa mblidhemi, shkëmbejmë ide, eksperienca, bashkëpunojmë por jo vetëm.

 

A mendoni se gruaja shqiptare sot është më e lirë për të zgjedhur vetveten? Apo është vetëm nën një presion më modern?

Mendoj që është lidere, që është një eksponent i fuqishëm, që ka potencial, aftësi e zgjuarsi. Ndërkohë kam njohur gra e vajza shumë të afta që çdo gjë e kanë arritur me mund, me përpjekje dhe ia kanë dalë.

 

Nëse do të kishit mundësi të flisnit me një brez vajzash të reja që sapo nisin rrugën, cili do ishte mesazhi më i ndershëm që do u jepnit?

Do ju thosha të ishin vetvetja dhe të mos ndikohen shumë nga gënjeshtrat që ofrojnë rrjetet sociale: pa punë nuk arrihet asgjë vajza! Do ju thosha të mundohen të arrijnë pavarësinë ekonomike që të mos ia zgjasin dorën askujt, të jenë në gjendje të rrojnë me krahët e tyre, t’i paguajnë faturat vetë- pavarësia ekonomike do ju sjellë liri dhe lumturi.

 

Si e shihni balancën mes traditës dhe zërit të brendshëm që kërkon të dalë jashtë kufijve të trashëguar?

Shiko, balancat po prishen sot. E trishtueshme, por e vërtetë. Të ruash trashëgiminë duhet punuar fort nga të gjithë. Që nga shteti në radhë të parë. Uroj të shtohen edhe individët që promovojnë vlerat e kombit dhe traditën.

 

Cili është realisht vendi i gruas shqiptare sot në tryezat ku merren vendime? Dhe si mund të zgjerohet ky vend?

Nuk mendoj se nuk ka vend gruaja shqiptare në tryeza ku merren vendime. Ajo që do dëshiroja do ishte të mos ndryshonin karakterin, të mos dilnin nga të qenët grua. Është bukur të jesh grua edhe më tryezat vendimmarrëse!

 

Çfarë do të thotë për ju të rritesh më tej, kur tashmë ke ndërtuar një emër dhe një rrugë të qëndrueshme? A ka gjithmonë një majë tjetër për t’u ngjitur, apo edhe në ndalesë ka bukuri?

Rritja duhet të vijojë. Është proces. Leximi, studimi, ngritja profesionale s’duhen ndalur kurrë. Kjo quhet “vetërealizim dhe vetëpërsosje.”

e-brendshme2

PYETJE MË PERSONALE

 

Kur ndiheni më shumë grua? Në arritje, në dështim, apo në përqafim?

Në arritje ndihem si një sportist që ka fituar një garë. Në dështim kujtoj që duhen edhe dështimet për të kuptuar dhe shijuar më pas fitoret. Në një përqafim ndihem njeri. Njeri i lumtur madje! Përqafimet të ngrenë në nivele të tjera psikologjike, mendimi, ndjenja, dëshirimi, adhurimi, perceptimi. Dhe kur them përqafim e kam fjalën për çdo përqafim. E di çfarë? Po, duhet të përqafohemi përditë! Na bën mirë për shëndetin.

 

A është ndonjëherë vetmia një aleate e nevojshme për të dëgjuar zërin tuaj të brendshëm?

Unë jam aleate e ngushtë e pandashme me vetminë. Jemi “shoqe të ngushta”. Shoqërohemi në lokale, në shëtitje, udhëtime, në dreka, orare leximi, studimi, meditimi. Duke qenë fëmijë i vetëm jam mësuar me vetminë që e vogël dhe kjo më është kthyer mënyrë e mirë reflektimi dhe qëndrimi.

 

Çfarë keni humbur për të fituar këtë që jeni sot? Dhe a do e zgjidhnit sërish të njëjtën rrugë?

Asgjë. Nuk kam bërë asgjë në jetën time që në emër të fitimit të diçkaje (një shkolle, një vendi pune, etj), të sakrifikoja apo të humbja diçka nga vetja. Padyshim që do zgjidhja pikë për pikë të njëjtën rrugë. Do e nisja nga bashkëshorti.

 

Në një botë që ju kërkon të jeni gjithmonë e fortë, ku e ruani butësinë tuaj?

Duke mos qenë përherë e fortë. Jam njeri, jam e dobët. Duke e pranuar që nuk jam “Herkuli”. Duke zgjatur dorën për të kërkuar ndihmë, duke i pranuar dobësitë e mia, por duke i mëshuar fort pikave të forta.

 

Nëse do të mund të takonit veten si vajzë e re, çfarë do t’i thoshit me dashuri dhe pa mëdyshje?

Do t’i thosha: -“Je shumë e bukur! Të dua!” Dhe do i jepja një buzëqeshje diellore e një përqafim.

 

Si e shihni këtë verë në raport me fazën në të cilën ndodheni? Pushim, rikuperim, apo një hap i heshtur drejt diçkaje të re? Si do të donit të ndiheshit realisht?

Kam shumë plane të bukura për këtë verë. Aq të bukura sa s’më besohet as vetë. Por gjendja aktuale në botë sot i ngjan një kazani që vlon dhe asgjë nuk po është më e sigurt. Të shpresojmë që paqja të mbizotërojë kudo! Ky do ishte urimi më i mirë që mund të jepej për këtë verë.

img-20250624-wa0058ok

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top