Të kërkosh “borën”, vitet e fundit është bërë sfiduese. Duke piketuar në lartësitë e alpeve zviceriane, aty ku në hartë vendet janë gjithmonë “me ngjyrë të bardhë” dhe nga aeroplani njeriu i sheh ato male përherë mbuluar nga bora qoftë dimër apo verë, arrita në malësitë e Veles (Valais), një kanton në jugun e Zvicrës. Isha e emocionuar sepse më në fund borën do e kisha të garantuar! Pista e skive ishte “dy hapa larg hotelit” – siç e kanë zakon të shkruajnë në këto raste sitet kur bëhen prenotimet. Ajo që më eksitonte më shumë ishte fakti që do isha gati “ngjitur” me akullnajën Altesch.
E kush nuk ka tërheqje për akullnajat? Ato masive të mëdha me ngjyrë gurkali, ku lexohen gjurmët e kohës si rrudhat në fytyrën e një plaku, dhe ku pranë tyre ndihet qetësia shekullore?
Me këto mendime isha përhumbur teksa një pasdite janari, pasi kisha rrugëtuar bashkë me familjen përgjatë gjithë ditës nën një mot të mjegullt, të ftohtë e me shi në veriun e Italisë, më në fund kishim mbërritur në Zvicër dhe pas një pushimi të shkurtër në një autogrillë, pasi dolëm nga autostrada komode, morëm një rrugë malore që përreth 60 km do na shpinte në fshatin tonë “të thellë” midis Alpeve ku do bujtnim ca ditë që mezi i kisha pritur. Rruga ishte mbuluar nga bora dhe anash saj, nga dritat e makinës dallohej pylli që dukej i shkelur tek- tuk nga gjurmë kafshësh. Mundet të shihej ndonjë hotel apo lokal por ishin shumë të paktë. Kur befas, si me magji, hasim në një tra dhe që na la të kuptonim që s’mundej të vijonim më në atë drejtim. Kjo ishte një surprizë shumë e keqe, në ayë orë të natës ku mbizotëronte errësira mu në mes të malit. Kthehemi mbrapsht dhe hyra në hotelin më të afërt, ku ca njerëz hanin në tavolina të rregulluara bukur dhe pranë zjarrit bubulak. Pronari i bujtinës, një djalë i gjatë dhe shumë ndihmues, çuditërisht mezi u ftillua për fshatin ku ne do shkonim. Por më pas, vetëm pasi bisedoi me hotelin tonë, ai po tundte kokën si me mëdyshje.
– “Ju paskëtaj duhet të bëni rreth 3 orë rrugë”,- na tha ai. Në banak kishte një bllok me fletë të bardha A4. Mori një fletë dhe vizatoi një skicë: -“Do kalosh tunelin e Gotthardit, që është 17 km i gjatë. Më pas do shkosh në Realp ku do i hipësh trenit.” E pashë syhabitur. Deri tek treni nuk e kisha imagjinuar!
– “Vetëm,- shtoi djali, – duhet të nxitosh sepse në orën 9 pm treni ka udhëtimin e fundit.”
– “Pse nuk mund të shkojmë me makinë?”, – pyes. – “Përse duhet ky tren?”
– “Ky është tren ku hipin makinat dhe është ekologjik. Kësisoj, gazrat e makinave nuk dëmtojnë dot malet e Alpeve dhe pyjet”, – tha ai dhe qeshi. Qesha edhe unë. Por nga ana tjetër u kujtova se si e mbrojnë natyrën të pastër “bota”, sa kujdesen për të. Kështu, me mendimin qartazi të arrij në destinacion atë natë, pasi përshkruam skemën e djalit, arritëm në stacionin e trenit. Makinat ishin në radhë dhe ca të rinj luanin përjashta me njëri-tjetrin. Një tabelë e vogël elektronike tregonte se kur pritej të vinte treni (ishte i fundit për atë natë). Nuk më besohej që arritëm t’i hipnim, përndryshe do e gdhinim natën atje! Dhe të udhëtoje brenda makinës futur në tren, po më dukej absurde. Më ngjante si “treni i ferrit” pasi ecte me shpejtësi dhe më së shumti nëpër tunele. Më gëzonte fakti teksa mendoja që do hipja përsëri këtu në kthim.
Fshati ynë, në mes të alpeve, megjithëse rruga për të arritur deri aty ishte e bllokuar nga bora dhe ne kaluam shumë peripeci për të mbërritur në destinacion, nuk kishte pikë bore! U mërzita dhe po më dukej e çuditshme e gjithë kjo!
E nesëmja erdhi e bukur dhe me diell, dhe nga dritarja e hotelit antik që kishim zënë, shihja njerëzit e veshur me pajime skish që ecnin drejt teleferikut. Kishte dy teleferike, por destinacioni im i ëndërruar ishte akullnaja Aletsch. Për të parë atë akullnajë vijnë njerëz nga ana e anës, dimër-verë.
Mora infot e zakonshme se si të mbërrija deri atje nga personeli i hotelit, dhe rruga gjeri në akullnajë kërkoi të hipja në dy teleferikë 2200 metra dhe më pas duhej të merrje tjetrin në 2900 metra.
Adrenalina që mora pasi era e fortë po më ngrinte fytyrën (një ndjesi e rrallë vitet e fundit), dhe i ftohti u bë shumë dominues, para pamjes së mrekullueshme, të paanë e si lumë i ngrirë që të ofronte akullnaja, gjithë lodhja, rraskapitja, ankthi dhe dyshimet, u tretën e u bënë hi përpara madhështisë së saj.
Në fund të këtij udhëtimi mbresëlënës, treni malor (të cilin medoemos e përshkrova edhe në kthim), akullnaja e madhërishme, rruga e gjatë dhe tuneli Gotthard 17 km, janë gjërat që nuk do i harroj dot asnjëherë!
By: dreamtravel.world
Eda Bano Losha
(instagram) dreamtravel.world
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.