Edi Rama… Mu shfaq në kujtesë, vite të shkuara kur refuzoi një çmim të rëndësishëm, akorduar nga juria e konkursit kombëtar Onufri. Nuk desha ta krahasoj as me Sartrin e as me Pastërnakun. Por sidoqoftë ishte, si edhe ata, pavarësisht shumëçkaje, refuzues i një çmimi. Nuk qe as i vetmi në rastin konkret, qe njëri prej të treve, por sepse desha të besoj se qe nxitësi. Jo për natyrën protagoniste, sepse protagonizmin mund ta bësh duke e merituar një çmim, as për prirjen narciziste, sepse besoj të jetë tipar artistësh ndaj s’mund ta diferencojë. Më shumë se kaq, e interpretova me natyrën e tij rebele e sidomos, me prirjen e theksuar drejt lirisë, që kushedi se sa herë me parë e kish shfaqur e tashmë të gjithë ia njihnin. Më dolën nga plasat e kujtesës, ekspozitat e tij, me titujt provokues si “Vagina diskrete” apo “Pedikyr” që pat dekoruar muret e një galerie të vogël, me një këmbë elegante femërore… Mu shfaq në kujtesë, ekstravagant, kur pasi la Parisin u rikthye në Tiranë, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Kulturës. Jo thjesht ekstravaganca e jashtme, veshja atipike, një vath në vesh (që,- siç do të lexoja në një poezi të Mimoza Ahmetit kushtuar tij- “diç ia nxit kotësisë kuptimin”), unaza e madhe dhe e argjendtë të gisht… e jo pak detaje të tjera të pamjes së jashtme, që diç ia theksonte shtatëlartësia e pazakontë, që qysh në lindje, perëndia a natyra ia kish dhënë për ta bërë edhe më të dallohet… Konceptet e tij të pakrahasueshme asokohe, mënyra e guximshme e të shprehurit të gjërave, që ndonjëherë dikë edhe e lëndonin (!?), idetë dhe vizioni e diferencuan, siç jo vetëm unë gjykova. E panevojshme të gërmoj në kujtesë për ta parë në ecejaket e tij aktuale, ndërkohë që të gjithë u mësuan ta shohin si politikan dhe lider, ndryshe nga më parë, mirëfilli një artist i pakënaqur deri në fund. Por ç’ka përtej kësaj? Cila është jeta e Edi Ramës, me të njohurat dhe të panjohurat e tij nga fëmijëria e deri më tash? Ai vetë rrëfen duke shpjeguar shumëçka… mbi protagonizmin dhe narcizizmin, mbi lirinë dhe rebelizmin, për nënën dhe gratë e tjera, për babanë dhe vëllanë e vetëm, për Gregorin, padyshim… për artin dhe politikën, për stacionet në të cilat është ndalur dhe të nesërmen…
Krijohet përshtypja se për t’u bërë lider është e nevojshme një prirje e individit për protagonizëm. Sa natyrë protagoniste jeni ju?
Më duket një përshtypje e drejtë. S’shoh se mund të ekzistojë një lider, në çfarëdo fushe e i çfarëdo përmase, pa një prirje të caktuar protagonizmi. As unë s’bëj përjashtim. S’mund të rri rehat në asnjë rrethanë kur ka vend për të marrë pozicion ndërmjet këndvështrimesh të ndryshme, qoftë edhe në një bisedë krejt e relaksuar miqsh. Kam qenë gjithnjë kështu.
Sakaq një artist ka prirjen narciziste. Në rastin tuaj, sado që nuk keni artin aktivitet thelbësor të jetës suaj (së paku tani për tani) sidoqoftë s’mund të shpërfillet artisti që keni brenda vetes: A jeni në fakt narcizist?
S’e di, mbase gjithkush është ngapak. Por ndryshe nga ç’mund të shihet së largu apo edhe të duket së afërmi, unë nuk e kam të lehtë me veten. Nuk e teproj po të them se nuk njoh kritik më të pakënaqur ndaj meje sesa vetvetja.
A ju mungon jeta prej artisti? A ju mungon studioja e piktorit? Ekspozitat?
Është e vërtetë se kam ndërruar jetë kur kam kapërcyer pragun e politikës aktive. Por është po kaq e vërtetë se arti ka vijuar të mbetet pjesë e mënyrës sime të të parit e të të përjetuarit të gjërave, qoftë edhe të atyre më të shëmtuarave që jeta politike shqiptare t’i vë përpara pa asnjë kursim. Të vizatuarit, të ngjyrosurit, të krijuarit e formave e të hapësirave nuk ka ndalur së qeni pjesë e përditshmërisë sime. Mbi letrat e tavolinës së zyrës, ku ka lindur edhe një libër në bashkëpunim me Anri Salën. Megjithatë përgjigja e drejtpërdrejtë për pyetjen tuaj është: po, ndodh shpesh të më mungojë jeta mirëfilli me artin, studion, ngjarjet artistike. Por le të themi se më mungon, njëlloj siç na mungojnë pushimet në det e diell gjatë dimrit, e dimë që do të vijnë me të ndërruar stinët. Politika për mua s’është karriera që do të më çojë drejt pensionit, po vetëm një stinë e jetës sime. Të cilën më pëlqen ta parashoh të këmbehet përsëri me artin, krijimtarinë, letrat e ngjyrosura a të shkruara a ku di unë me se tjetër, në botën e pafundme të parafytyrimeve e akteve krijuese…
Rasti juaj është një prej rasteve jo të pakta kur politikani vjen nga fusha e artit. Çfarë paraleleje hiqni me të tjerë “sivëllezër”? A gjeni pika kontakti, pavarësisht thënies se “çdo krahasim çalon”?
Nuk janë në fakt raste të shumta. As përfundime të njëjta. Ka pasur histori suksesi e histori dështimesh. Nuk besoj se mund të bëhet ndonjë përgjithësim. E imja është hëpërhë një histori që vazhdon.
“Unë s’kam paraardhës”, keni thënë vite më parë kur latë Parisin dhe studion e piktorit që kishit atje për t’u bërë numri një i Ministrisë së Kulturës në Shqipëri. I qëndroni ende një komenti të tillë? A mund të hyni në detaje lidhur me këtë thënie, qoftë kjo edhe një koncept që i takon së shkuarës...
Duhet të kem pasur parasysh ndryshimin radikal mes çka gjeta e çka dëshiroja të sillja përmes rolit që m’u kërkua asokohe. Dhe nuk besoj se i bie në qafë të vërtetës nëse them se, parë nga distanca e duzinës së viteve që kanë kaluar, munda t’i jap Ministrisë së Kulturës një pamje e peshë që kurrë më parë s’e kishte pasur. Edhe pse largimi im i shpejtë prej aty, për të nisur sfidën e jashtëzakonshme të transformimit të kryeqytetit, nuk e ndihmoi çuarjen përpara të reformave radikale që piketuam për institucionet e kulturës shqiptare e në tërësi mirëqeverisjen e saj. Prapëseprapë ajo ministri ruajti edhe për disa vite një profil që gjithsesi s’e kishte pasur më parë. Të tjerat i takojnë një bisede tjetër…
Arti – sporti – politika: Për të zgjedhur një duhet braktisur tjetra? (Kujtoj sakaq ekspozitën tuaj të jo shumë viteve më parë në Galerinë Kombëtare, kur ishit kryetar bashkie – sidoqoftë e vetmja dalje publike si artist gjatë gjithë këtyre viteve, e lidhur edhe pse jo thellësisht me tryezën tuaj të punës së kryebashkiakut).
Faleminderit që e kujtoni, më jep shije të mirë. Sportin e kam lënë në një moment kur si sportist sapo nisa të krijoj vlerë, pas shumë viteve stërvitje e përkushtim. Ika nga fusha e basketbollit mu në mes të vitit 1989, pas ndeshjeve në një grup eliminator për Kampionatin Evropian në Gjermani, ku pata fatin të jem edhe unë me ekipin kombëtar, mes lojtarësh të mëdhenj për Shqipërinë e miqsh të dashur, që i kujtoj me shumë nostalgji e i takoj gjithnjë me një mall të posaçëm – qoftë ata që jetojnë edhe sot në Tiranë, qoftë ata që kanë zgjedhur të jetojnë nëpër botë. E lashë sportin i mbërthyer nga një ndjesi e fortë faji për kohën e madhe që i merrja artit, për shkakun e angazhimit të përditshëm me topin ngjyrë portokalli. Por edhe me një parandjenjë shumë ndikuese tek unë, që lidhej me çka do të ndodhte më pas në Institutin e Lartë të Arteve. E kam fjalën për fillimin e atyre turbullirave që i paraprinë ndryshimeve demokratike të një viti e ca më vonë, në të cilat një grup tek artet u përshi me shumë guxim e dëshirë qysh në krye të herës. Nejse, po u jap këtu edhe një lajm që s’ka mbërritur ende në Shqipëri. Përveç ekspozitës që ju përmendët, kam bërë edhe një tjetër së fundmi. Në Berlin, korrikun e saposhkuar, në kuadrin e Bienales së Berlinit. Një tjetër aventurë e përbashkët me Anri Salën. Përsëri me vizatimet e ngjyrat e ditëve të mia të punës. Por këtë herë edhe me përfshirjen e disa të tjerëve në një sërë dialogësh mbi artin, historinë e tij, filozofinë e politikën. Siç e shihni korsia e emergjencës për artin është e pandarë nga rruga ime e politikës.
Çfarë ka joshëse politika që e bën një artist të heqë dorë nga të qenit mirëfilli artist? A është joshja e politikës më e madhe se joshja e artit?
Përgjithësimet e përkufizimet e kësaj natyre më duken krejtësisht të pamundura. Unë mund të flas thjesht për eksperiencën time, por s’besoj se mund të gjendet dikush që t’i përcaktojë këto gjëra në formën e përgjigjeve të prera. Ajo që josh me format, shfaqjet, momentet e saj të paparashikueshme, është jeta. E cila për mua, ashtu si për shumë shqiptarë që jetuan kohën e ndryshimit të mahnitshëm të sistemeve, u ndërthur në të atillë mënyrë që i ndërkalli bashkë gjëra që normalisht puqen fort rrallë me njëra-tjetrën. Në një kohë tjetër e kam të pamundur ta parafytyroj se mund të lija artin për t’u angazhuar tërësisht me politikën. Ashtu siç nuk besoj se do të mund të joshesha nga një angazhim si kryetar bashkie në një qytet normal evropian, që nuk e ka magnetin e sfidës së transformimit të Tiranës së vitit 2000. Apo nuk ma ha mendja se do të kuturisesha të jepesha i tëri pas drejtimit e reformimit të një partie, në kushtet kur gjërat në tërësi do të qenë ndryshe në vendin ku jetoj dhe kështu me radhë. Me pak fjalë s’është arti apo politika në vetvete që e përcaktojnë një zgjedhje a një tjetër, për t’u marrë me njërën a me tjetrën, por është mënyra sesi jeta e ka vendosur përpara meje këtë dilemë, apo joshje po të doni ta quani, mes njërës e tjetrës.
Lider në politikë (nënkupto lider në një hapësirë të konsiderueshme) a përkthehet automatikisht në lider edhe në një marrëdhënie?
Absolutisht jo. Dhe lejomëni t’ju them se për këto historia ka plot raste që provojnë se jo vetëm s’është kështu, po mbase, përkundrazi, të kërkuarit e lidershipit në një marrëdhënie, është mungesë e mundësisë për të qenë lider në çfarëdoqoftë jashtë saj!
Më konkretisht, cili jeni ju në një marrëdhënie në çift? A jeni lideri edhe aty apo preferoni që së paku në këtë rast t’ia dorëzoni çelësat partneres?
Më duket se një pjesë të përgjigjes sapo e dhashë. Ndërsa në çift më tërheq përputhshmëria, e kuptuar si kompatibilitet mes të ndryshmish jo si ngjashmëri mes të njëjtësh. Dhe më mban kompliciteti, në një kuptim të bukur që në shqip s’jam i zoti t’ia gjej kësaj fjale, një lloj shkalle e posaçme ndërveprimi sa racional aq edhe misterioz me një grua.
Ç’është për ju gruaja (seksi i dytë)? Si duhet të jetë një grua që të tërheqë vëmendjen tuaj?
“Seksi i dytë” është titulli i një libri ku Simone de Beauvoir-i e hedh poshtë me plot të drejtë nocionin e seksit të dytë, si një nocion diskriminues. Prandaj lejomëni dashamirësisht të përdorim thjesht nocionin seksi tjetër. Ushtrim i pamundur për mua të përmbledh në hapësirën e kufizuar të kësaj bisede kuptimin tim për gruan, gjithsesi s’do ishte aspak e tepërt të thosha se për mua jeta pa gruan, e kjo jo vetëm në sensin e “seksit tjetër”, s’do kishte as mundësi as kuptim. Por njëkohësisht më ngjan e kotë çdo përpjekje për të përkufizuar gruan që tërheq vëmendjen time, për të njëjtat arsye që s’mund të përkufizojmë se si duhet të jetë njeriu që tërheq vëmendjen tonë.
Lidhjet tuaja sakaq kanë pasur të bëjnë gjithnjë me gra të bukura: Sa e rëndësishme është për ju bukuria tek një femër? Në ç’raport duhet të qëndrojnë tek ajo bukuria dhe inteligjenca? A mund të qëndrojë si vlerë njëra pa pretenduar tjetrën?
Kam pasur fatin e madh që sa kam hapur sytë më kanë pritur në këtë botë dy gra të bukura, nëna e gjyshja ime. Të cilat në rrugën e viteve që ikën më mësuan se bukuria tek gruaja qëndron përtej klisheve që kemi për të, për më tepër në një shoqëri konsumi ku imazhi femëror mbetet ndoshta materiali kryesor. Bukuria femërore tërheq sytë e çdo burri, por inteligjenca dhe mënyra e të sjellurit, bëjnë të bukur çdo grua. Kur u nda nga jeta, përtej të nëntëdhjetave, gjyshja ime ishte ende një grua e bukur.
Cila ka qenë dhe është marrëdhënia me nënën tuaj?
Në thelb ka qenë gjithnjë ajo që është. Në formë është, gjithnjë e më shumë, shprehje e vetëdijes së kohës që ikën, duke shenjuar vitet në qenien e saj dhe duke ma bërë përditë e më të nevojshme shprehjen e dashurisë e të kujdesit, për njeriun që më mësoi t’i dua ata që dua, pa u kursyer e as llogaritur çfarë e sa është ajo që kthehet në këmbim të dashurisë.
Le të flasim pak për marrëdhënien atë-bir, ju në pozicionin e djalit përballë babait tuaj…
Im atë më ka bërë një privilegj që, për shoqërinë e asaj kohe kur unë jam rritur në shtëpinë e përbashkët, ka qenë besoj diçka fort e rrallë. Ai kurrë nuk më është imponuar me autoritetin atëror. Qysh në fëmijërinë e hershme më ka trajtuar si të rritur, duke më dhënë argumente për çdo gjë që më kërkohej të bëja dhe duke dëgjuar me durim çdo kundërshti. Kështu që më shumë sesa djali përballë babait tim, falë babait tim unë jam ndjerë që i vogël një njeri i lirë përballë autoritetit të tim eti. Kjo përcaktoi edhe tiparet e mëvonshme të natyrës sime kundërshtuese ndaj çdo autoriteti e statukuoje, e cila hapi vijimësisht probleme për mjediset e shkollës e të të gjitha punëve të mia më pas, duke më krijuar tërë ato telashet e ëmbla, pa të cilat jeta do më dukej një mërzi e papërballueshme. Por duke folur për tim atë, kam dëshirë të ndaj me ju atë që më vjen gjithnjë e më shpesh si copëza e parë e filmit që lidhet me kujtimin e tij: Dora e madhe që mbështillte dorën time të vogël, teksa kalonim të dielën plot diell mëngjesi urën e “Vasil Shantos”, ku rrinte karroca e akulloreshitësit. Më ishte thënë prej prindërve që kurrë të mos kërkoja gjë, gjëja që kërkoja nuk më jepej. Ajo urë ishte një nga pikat ku sprovohej durimi përballë tundimit për të kërkuar akulloren me gojën lëng. E teksa kafshoja gjuhën duke ngadalësuar qëllimisht hapin, prisja me sy gjysmë të mbyllur që, nga lartësia, të më vinte zëri i tim eti: A ke dëshirë të marrim një akullore? Gjë që sigurisht herë ndodhte e herë jo, duke bërë që në vend të akullores të merrja një mësim, vlerën e të cilit do ta çmoja shumë vite më vonë dhe, në stacione e kushte të tjera të jetës, do t’ia kaloja djalit tim…
Ndodh shpesh që të rinjtë janë refuzues ndaj prindërve. Me kohë kjo gjë ndryshon. Ndryshojnë këndvështrimet prej nga shihen prindërit me kalimin e viteve…
Duke më lënë të lirë në zgjedhjet e mia, prindërit, posaçërisht im atë, morën përsipër në fakt belanë e madhe të të pasurit në shtëpi të “shpirtit të kundërshtimit” siç më quante ime më. Të mos harrojmë, flasim për kohën e diktaturës e të një shoqërie shumë të ngrirë brenda kufijsh të ngushtë ku çdo kërcitje, sot e papërfillshme në bisedë, asokohe kishte efektin e një bombe! Dhe ndërkohë unë isha në anën tjetër të së njëjtës fushë ku gjendej edhe im atë, artit, që për të ishte shërbim ndaj kauzës së gabuar ku besoi ndershmërisht, kurse për mua u bë arsyeja për ta neveritur me të gjithë fuqinë e shpirtit diktaturën. Por nuk m’u desh kohë për të kuptuar se kjo dasi e pakapërcyeshme, që madje thellohej me zhytjen time në literaturën e ndaluar e me degradimin në sytë e mi të ngrehinës së shoqërisë së mbyllur ku jetonim të kyçur si në burg, ishte një arsye më shumë për t’i qenë mirënjohës prindërve të mi që kurrë nuk e ushtruan autoritetin e tyre si censurë për ëndrrat e mendimet e mia.
Për të qëndruar në një aspekt të vetëm: A mendoni se zgjedhja juaj për t’u përfshirë në botën e artit (e më pas pse jo edhe në politikë) ka ndodhur edhe falë mjedisit në të cilin jeni rritur? Sa ndikues ose përcaktues për të ardhmen e njeriut është mjedisi ku lind e rritet?
Siç ju thashë më parë, unë jam lindur e rritur në një mjedis familjar shumë stimulues për individualitetin e personalitetin tim. Që sigurisht, bashkë me dhuntitë e natyrës, ka ndikuar shumë ndjeshëm në zgjedhjet e mia, qoftë si ushqim për prirjen e lindur artistike, qoftë si nxitje për t’u rebeluar ndaj statukuosë. Më vonë besoj se kjo ndikoi edhe në përzierjen time me politikën.
Tashmë ju si baba: A gjeni pika përkimi mes mënyrës sesi funksionon marrëdhënia juaj me djalin tuaj, me mënyrën se si ka funksionuar marrëdhënia juaj me babanë?
Ka dallime të qenësishme, duke nisur nga vetë fakti se unë u rrita në një familje tradicionale, me vëllanë më të vogël, prindërit e madje edhe me gjyshërit nën të njëjtën çati, kurse im bir u rrit me prindërit të ndarë dhe në një kohë shoqërore katërcipërisht tjetër nga ajo e shkollës së disiplinuar, e televizorit bardh e zi me zhurmues e me antenë ndënë krevat, librave të ndaluar, qejfeve të kufizuara brenda marrëdhëniesh sociale të stërkontrolluara e me radhë… Por padyshim figura liberale e tim eti dhe marrëdhënia e tij me mua kanë luajtur një rol përcaktues në natyrën e marrëdhënieve që kam krijuar me tim bir. Ndoshta edhe për shkak të rrethanave të veçanta që parathashë. Unë kam zgjedhur të jem babai më liberal në botë. I kam dhënë Gregut të gjithë lirinë për të menduar, vendosur e gabuar, pasi i kam bërë gjithnjë të qartë me durim pikëpamjen time. Këto ditë që bëhet njëzet vjeç, nuk druaj të them se ai sot është djali që kam ëndërruar të jetë në këtë moshë.
A keni pengje lidhur me marrëdhënien me djalin tuaj?
Duke e parë sot kështu siç është, si mendon, si shkruan, si reflekton ndaj gjërave që sheh e lexon dhe, mbi të gjitha, si sillet me njerëzit, s’kam asnjë peng. Një jetë më pak e trazuar mbase s’do ta kishte bërë kaq të lirë e as kaq të prirur për të mos qëndruar dot në cektësi. Shpeshherë prindërit i shohin fëmijët si funksione të vetes dhe nuk u japin lirinë e duhur ose u japin një liri të rreme, duke u plotësuar çdo kërkesë deri në ekses, pa qenë në gjendje të kuptojnë se fëmija nesër do t’i duhet në radhë të parë vetes, jo prindit.
Ju përballë vëllait: Në rininë tuaj të parë keni pasur shumë pika përkimi (sporti – arti)… Tashmë distanca gjeografike a përkthehet në një marrëdhënie më të distancuar?
Im vëlla ka të përbashkëta me mua mësimet e paçmueshme që kemi marrë nga të njëjtët prindër e nga e njëjta gjyshe me të cilën jemi rritur dhe është i ndryshëm në gjithçka tjetër. Kjo na bën shumë të afërt me njëritjetrin, pavarësisht se nuk dëgjohemi përditë. Është fat të kesh tim vëlla, siç është problem të jesh vëllai im. Jo vetëm për shkak të natyrës sime krejt jokonvencionale në marrëdhëniet familjare, por edhe sepse për dreq duhet të dëgjosh rëndom sa në televizor e sa në gazeta, abuzime nga më të padëshirueshmet deri edhe për nënën e babanë… Më vjen shumë keq për këtë aspekt kaq të papëlqyeshëm të jetës së përditshme të të gjithë njerëzve të familjes sime.
Në momente të vështira sa e rëndësishme është për ju mbështetja e dikujt? A këshilloheni?
Për arsye që s’i kam kuptuar dot, përshtypja që kam krijuar është se jam një njeri që bëj gjithçka me kokën time, që nuk pyes e nuk dëgjoj njeri! E vërteta është krejt, po krejt e kundërt me këtë përshtypje. Pyes shumë dhe jo vetëm në momentet e vështira. Padyshim këshillohem dhe madje me një rreth njerëzish që janë sa brenda partisë a bashkisë, aq edhe jashtë rrathëve të interesave që shpeshherë mund të kushtëzojnë mendimin a këshillën e atyre që janë brenda. Padyshim pastaj, kur vendos, pasi kam pyetur e dëgjuar sa kam mundur, mbroj me ngulm çka është vendosur.
A keni udhëheqës shpirtëror? A keni modele? A keni një artist, që qoftë edhe për një detaj keni dashur “ta imitoni” apo një politikan tashmë?
Besoj të gjithë kemi heronjtë, modelet, shembujt që na frymëzojnë në rrugën tonë. Mua më duket se jeta e njeriut përcaktohet pikërisht nga takimet e tij, virtuale, përmes veprave të të tjerëve, apo reale, me të tjerët. E kështu them që deri këtu kam qenë njeri me shumë fat, pikërisht sepse jeta më ka sjellë përpara njerëzit e duhur në kohën e duhur. Nuk e harroj për shembull, takimin me Abdurrahim Buzën, në adoleshencën time kur në studion e tij, plaku i mrekullueshëm i pikturës shqiptare, më çeli me duart e bardha plot rrudha librin e impresionistëve, duke më zhytur në një det të panjohur ngjyrash nga ku dola krejt i dehur dhe bëra me vrap gjithë rrugën, nga Medreseja ku jetonte plaku deri në shtëpinë time në anën tjetër të Tiranës së asaj kohe. Apo takimin me Stravinskin, përmes tingujve të “Pranverës së Shenjtë”, ku pllaka e zezë e gramafonit më ngjante si diell që rrotullohej para syve të mi, duke nxjerrë xixa të papërshkrueshme, ose me Kafkën e “Kështjellës” fantazmë që bridhte jastëk më jastëk duke qarkulluar fshehtas mes lexonjësve të gjërave të ndaluara. E plot e plot të tilla për fat, në mediokritetin vrastar të Shqipërisë së mbyllur të asaj kohe, ku megjithatë mund të takoje njerëz të jashtëzakonshëm a ndesheshe me krijime të ndaluara që të çelnin qiej marramendës përtej horizontit të ngrirë të kulturës komuniste, apo në botën e lirë më pas!…
Në fjalimet tuaja të fundit shpesh citoni Nolin apo Konicën… Çfarë lidhjesh gjeni mes koncepteve që huazoni prej tyre e tuajave?
Tek Noli e Konica dhe jo vetëm tek ata, gjen Shqipërinë e sotme të treguar me një mjeshtëri të admirueshme. Kaq e thjeshtë është arsyeja pse unë u kërkoj ndihmë atyre për të treguar më mirë Shqipërinë që jetojmë në një shekull tjetër si në një vendnumëro rrëqethës.
Ç’është fama për ju? E keni kërkuar atë apo rrugët që keni përshkuar në jetë automatikisht ju kanë çuar drejt saj?
Fama është rrjedhojë, jo shkak i rrugës sime, të cilën nuk do ta ndryshoja për t’u bërë më i famshëm. Unë nuk besoj tek fama, por tek kujtimi i mirë.
Supersticionet janë një temë e këtij numri të revistës Psikologji: Do donim të dinim a jeni supersticioz? A ndikoheni prej tyre? A trembeni nga mundësia profetike e ëndrrave të këqija?
Jo, s’jam supersticioz. S’kam asnjë frikë të lidhur me të panjohurën. E jetoj jetën si një dhuratë që më është bërë për të qenë në këtë botë, ku vetëdija e përkohshmërisë, qysh në motet kur isha edhe një lexues i pasionuar i librave të shenjtë, më ka çliruar shumë në lidhje me të mirat materiale dhe më ysht papushim drejt realizimeve që mbeten pas edhe për të tjerët. Qofshin copa letrash të ngjyrosura, qofshin projekte të mëdha për qytetin a krejt vendin.
A “guxoni” ju t’i pranoni hapur dobësitë apo një njeri publik, për më shumë një lider politik, duhet t’i mbajë ato vetëm për vete?
Nuk është një prirje e pakushtëzuar e njeriut t’i pranojë dobësitë e veta, por përgjithësisht unë nuk jam i prirur t’i fsheh ato kur në një rrethanë të caktuar arsyeja thotë se duhen pranuar.
Dhe për t’u kthyer në një argument politik: Thuhet se shekulli i XXI është shekulli i grave. Ju si lider i një force politike si e lexoni një thënie të tillë?
I bekuar qoftë ky shekull, nëse është i grave! Dhe s’ka dyshim se nëse çka thoni do të vlente edhe për Shqipërinë, ky vend do të përfitonte më shumë se nga çdo shekull tjetër!
Në të vërtetë ju keni promovuar shumë gra, qoftë në bashki, qoftë në forumet drejtuese të PS. Po sa vendimmarrëse janë ato derisa kritikët tuaj hedhin hipotezën se i keni promovuar pikërisht për të shmangur konkurrencën e fortë mashkullore… (që teorikisht duhet të jetë më e fortë se ajo femërore). Cila është e vërteta juaj?
Këta kritikë janë të sigurt se konkurrenca është një çështje burrash, madje edhe ju, një grua jo e zakonshme, thoni se teorikisht ata paskan të drejtë. Ndërsa mua në promovimin e grave nuk më shtyn ndonjë droje nga konkurrenca e burrave, të cilën, modestisht, e kam përballuar gjer më sot duke ia dalë gjithnjë mbanë, por më udhëheq bindja e thellë se arsyeja themelore e prapambetjes sonë të madhe si shoqëri, në të gjitha aspektet, përfshirë edhe prapambetjen ekonomike, është mungesa e çdo ekuilibri gjinor në pjesëmarrje e vendimmarrje. Sukseset në punët e mia janë të lidhura ngushtë me skuadrën dhe qoftë në bashki, ku ka një ekuilibër të plotë gjinor, e qoftë në parti, ku sot ka më shumë gra në vendimmarrje sesa kurrë më parë, cilësia e punës është rritur ndjeshëm falë këtij ekuilibri. Unë prej kohësh besoj që gratë shqiptare janë më të zonjat se burrat. Vënia e tyre në vendin që u takon do ta bënte shumë më shpejt Shqipërinë vendin që u takon kalamajve të këtij atdheu të abuzuar prej shumë e shumë kohësh nga burra provincialë e dallkaukë.
Intervistoi: Arta Marku
Botuar në revistën Psikologji, shtator 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.