Dashuria ime për Alaskën ka qenë një joshje me një “shikim të parë”- teksa në aeroportin e Los Angelesit kaloja dhe lexoja me radhë emrat e “gejteve” një për një, në një cep aty në një qoshe të aeroportit ishte edhe “gejt” me emrin “Alaska”. Hodha sytë gjithë kuriozitet nga të paktët njerëz që ishin mbledhur aty.
Njerëz të çuditshëm, burra me flokë të gjatë, të verdhë, kapur gërshet apo bishta të çfarëdoshëm, me veshje dukshëm të njerëzve “bredhacakë” – bukur, por tipike nga ata lloj njerëzish që duket ashiqare që vetëm ecin, udhëtojnë dhe fjala “aventurë” u lexohet në kokërr të syrit! Edhe gra të tilla gjithashtu! Më tërhoqi e gjithë pamja, qetësia që mbizotëronte tek ta dhe gjithçka tjetër; ishte nga ato momentet vetmitare që ti ndjen shtrëngime në stomak! Që në atë çast isha gati të braktisja gjithçka dhe të shkoja drejt asaj enigme me emrin “Alaska” të shkruar në ekran. Nëse do kisha pasur mundësi ta bëja këtë? S’do hezitoja aspak, por do hidhesha në krahët e saj. E çuditshme ndjesia! S’më kishte ngjarë kurrë më parë!
Të gjitha këto mendime më kapluan mendjen dhe zemrën vetëm për aq pak sekonda sa kalova nëpër hapësirën përkatëse të gejtit në aeroportin e madh! Ama nuk e harrova dot! Atëherë si një urith i vogël, qetësisht dhe ditë për ditë fillova të gërmoja rreth saj – po mblidhja informacione! Iu riktheva fillimisht Xhek Londonit me “Enigma e madhe”, librave bashkëkohorë dhe sigurisht, internetit. Sa më shumë lexoja, aq më e bukur dhe e egër më shfaqej Alaska. Unë doja ta afroja, por ajo më largohej. Dhe unë, si ata dashnorët e përjetshëm, të duruar e ngulmues prisja momentin e duhur! Asgjë s’më pengonte t’i afrohesha “dashurisë” sime përveç përfundimit të pandemisë dhe ardhjes domosdoshmërisht të verës – stinë kur Alaska bëhet më miqësore dhe tregon anën e saj më të mirë! Durova qetësisht në emër të kësaj dashurie “platonike”. Durova me vetëmohim dhe sakrificë.
Ndërsa po më afrohej momenti i shumëpritur, thashë: – “Mirë Alaska, po ku?” Alaska është shteti më i madh i SHBA-ve, dhe të ndërmarrësh një udhëtim në të – dhe që ai të shndërrohet në udhëtimin e jetës, duhet të planifikosh dhe këtë ta bësh mirë madje! Duhet dikush që të bëjë me dije se aty duhet të vishesh “si qepë” – me shtresa d.m.th, që duhet të kesh me vete mushama për shiun, i cili mund t’ia behë befas e në çdo kohë si edhe çizme “waterproof”; që s’duhet të të mungojë ilaçi për mushkonjat, syzet e diellit, kremi mbrojtës ndaj diellit, bateri për aparatin, karta memories për foto (“bli edhe një tjetër” – porosia ekstra), kapelja dhe këmishat me mëngë të gjata; dylbitë, dorashka, si edhe përherë në çantën e shpinës të ketë ushqim edhe ujë për ditën “se nuk i dihet”. Dikush që të të thotë që stuhitë e erës janë tipike apo se shiu të vjen edhe kur s’e pret, dikush që të ta theksojë atë faktin që në Alaskë shkohet për “Alaskën vetë”, për malet, fjordet, luginat, pyjet, liqenet, lumenjtë, akullnajat, të gjitha bukuritë natyrore që ajo i ka me shumicë… dhe jo për qytetet e saj. Të armatosesh me guidat rraskapitëse që zgjasin mbi 8-9 madje edhe 15 orë në ditë, të hipësh nëpër trena, hidroplane, anije dhe barka – sepse shpesh në Alaskë jo çdo gjë arrihet me makinë apo rrugë tokësore – kështu që hidroplanet dhe transporti ujor janë të zakonshme për alaskianët (dhe ne turistët gjithashtu). Dikush që të të thotë që njerëzit në Alaskë janë shumë “friendly” dhe “mos hezito të pyesësh këdo aty”…
Dhe pasi t’i bësh të gjitha këto, je i lirë të udhëtosh drejt saj! Që me thënë të drejtën është aq larg… Epooo kot nuk i thonë “që është fundi i Botës!”, nëse kjo e fundit ka një të tillë, kjo po që është pa frikë Alaska!
“The last frontier”.
By: dreamtravel.world
Eda Bano Losha | (instagram) dreamtravel.world
Guida u organizua nga agjencia alaskiane “The Polar Travel Company”
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.170 GUSHT
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.