Dashuria më e pakufishme në botë është ajo e fëmijëve. Më e pastra, e qarta, e dlira. Fëmijët kanë atë vetinë që askush nuk e ka: të duan pa kushte!
Ata e hedhin dashurinë në shesh, e shpërndajnë, luajnë me të. Për ta është aq e thjeshtë kjo gjë; gëzimi që ndiejnë para një njeriu të dashur, lumturia e brendshme kur kanë pranë nënën, babain, gjyshërit. Ndjenjat e pastra për shokët dhe shoqet, edhe ata të sapozënë, pa e vrarë mendjen gjatë nëse është e duhura apo jo; energjia e shpenzuar për të dhënë dashurinë është e pallogaritshme, por të duhesh pa kushte nga fëmijët është bekim.
Ndër gjithë vitet që punoj me fëmijët, ajo që më ka bërë të ndihem edhe mirë por edhe më ka mallëngjyer së tepërmi, është pikërisht kjo dashuri pa interes. Nëse një fëmije i jep një herë dashuri, ai s’ta harron, ta kthen dhjetëfish atë. Të tillë janë fëmijët. Kur Zoti krijoi fëmijët, ju dha atyre një dashuri të pakufishme, aq të pakufishme sa duket sikur gjithë njerëzimi, gjithë ekzistenca jonë mbahet nga dashuria e ëmbëlsia e tyre.
Edhe vetë Zoti dorëzohet nga dashuria e pamatë e tyre. Të rriturit mund “ta veshin” me lloj-lloj emrash dashurinë, t’i caktojnë data apo ditë të shënuara në kalendar, të veçanta për t’u festuar (a thua se do harrohet); të rriturit në ato ditë “ të caktuara” mund të shkëmbejnë dhurata, të recitojnë poezi apo të këndojnë këngë. Por çfarëdolloj gjëje që të bëjnë, aq të bukur, të pastër e të thjeshtë sa fëmijët s’do mund ta kenë më. Dashuria e pastër ndodh një herë në jetë, ajo ndodh në fëmijëri. Më pas i duhet të kalojë nëpër faza apo filtra të tjera, por që i largohet asaj të vërtetës.
Dhe nëse pyet një fëmijë se çfarë është dashuria për ty, ai thjesht, duke qeshur, do thotë: “është dashuria për mamin”, apo “për babin”… Ndonjë tjetër pa hezituar do thotë :”janë gjyshërit”. Dashuria e tyre shkon për motrën apo vëllain, qenin apo macen, lulen apo zogun. Dikush do përmendë pikërisht atë që përmendi shoku para tij, e kështu me radhë të gjithë pas tij. Sepse duke qenë aq e thjeshtë, ashtu është edhe zgjedhja që bëjnë. Por pa dashuri nuk rrinë. Pa dhënë e pa marrë dashuri. Sepse e tillë është e ndërtuar jeta e tyre. Sepse ndryshe s’do kishte kuptim. E tillë është kjo moshë.
Mosha e dashurisë së pakufishme!
Mosha e dashurisë së vërtetë!
Fund.
*Edlina Losha
CEO kopshti “Princi i Lumtur“
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.