*Edlina Bano Losha, CEO Çerdhe dhe Kopsht “Princi i Lumtur”
Dashuria është një nga fjalët më të përdorura në edukim, por edhe një nga më të paqartat. Nëse i pyet fëmijët se ç’kuptojnë ata me fjalën “dashuri”, thonë shprehje nga më të ndryshmet por gjithnjë dhe shpesh zënë vend parësor kryesor prindërit, motrat, vëllezërit, gjyshërit apo dhe mësueset. Shpesh thuhet se fëmijët kanë nevojë për dashuri, se mësuesi duhet të edukojë me dashuri, se pa dashuri nuk ka arsim. Por lind natyrshëm pyetja: a transmetohet dashuria sipas etikës profesionale, apo jo? Dhe kur dhe si e kuptojnë fëmijët vërtet këtë?

Po prindi, i cili është përçues dashurie, çfarë pjese zë?
Prindi është nyja lidhëse mes dashurisë personale dhe dashurisë etike në edukim. Roli i tij është themelor, është i pazëvendësueshëm sepse ai vendos bazën mbi të cilën ndërtohet çdo marrëdhënie tjetër edukative. Në kontekstin arsimor, dashuria nuk mund dhe nuk duhet të kuptohet si ndjenjë personale apo afeksion intim. Nuk ka aspak lidhje me këtë. Etika profesionale vendos kufij të qartë: mësuesi nuk është prind, as mik, as figurë emocionale të cilën mund ta posedosh. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dashuria mungon nga procesi edukativ. Përkundrazi, ajo transformohet. Dashuria etike në edukim shfaqet si kujdes, respekt dhe përgjegjësi. Ajo shprehet përmes vëmendjes së qëndrueshme, drejtësisë në trajtim, krijimit të një mjedisi të sigurt emocional dhe vendosjes së kufijve të shëndetshëm. Nuk është një dashuri që thuhet, por një dashuri që bëhet. Fëmija nuk ka nevojë të dëgjojë se është i dashur nga mësuesi; ai ka nevojë të ndihet i parë, i pranuar dhe i respektuar. Në rast se ai e kupton këtë, atëherë u bë e përjetshme lidhja. Por që të kuptohet, duhet të ekzistojë njëherë.
Kuptimi i dashurisë nuk është i njëjtë në çdo moshë. Në fëmijërinë e hershme, dashuria përjetohet si siguri dhe prani. Fëmija nuk e koncepton dashurinë në mënyrë abstrakte, por e ndien atë në mënyrën se si i përgjigjen nevojave të tij, si e dëgjojnë dhe si e mbrojnë. Më vonë, kur rritet, dashuria lidhet me drejtësinë dhe besimin. Fëmija fillon të dallojë trajtimin e sinqertë nga formaliteti dhe të kuptojë nëse një i rritur është vërtet aty për të. Në adoleshencë, dashuria merr formën e respektit dhe mosgjykimit. Këtu, të rinjtë shpesh sfidojnë autoritetin, por në thelb kërkojnë ende figura të qëndrueshme që i pranojnë pa i etiketuar. Shumë herë, pikërisht në këtë fazë, dashuria edukative keqkuptohet si dobësi, ndërkohë që në të vërtetë kërkon forcë, maturi dhe etikë të lartë profesionale. Interesant është fakti se kuptimi i plotë i dashurisë së marrë në shkollë shpesh vjen shumë më vonë. Të rriturit rikthehen me mendje dhe zemër te mësuesit që i kanë respektuar, që nuk i kanë poshtëruar, që kanë besuar tek ata edhe kur vetë nuk besonin. Atëherë kuptohet se çfarë është dhënë vërtetë: jo ndjenja personale, por një prani njerëzore me vlerë të qëndrueshme.
Në fund, dashuria në edukim nuk është shkelje e etikës, por përmbushje e saj më e lartë, kur shprehet drejt. Ajo nuk kërkon afërsi të paqartë, por qartësi, dinjitet dhe përgjegjësi. Sepse një fëmijë nuk ka nevojë të dashurohet nga mësuesi, por të rritet në një hapësirë ku dashuria humane është e pranishme, e rregulluar dhe e sigurt. Prindi si nyja lidhëse nuk ka pse të pajtohet gjithmonë me mësuesin, por ka përgjegjësi si e shpreh këtë përpara fëmijës. Nëse mësuesi e shpreh dashurinë përmes etikës, prindi e përkthen atë në siguri emocionale. Pa këtë bashkëpunim, edhe përkushtimi më i madh pedagogjik mbetet i cunguar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

