FB

November 1, 2025 | 17:30

Edlina Losha: “Faleminderit” dhe fëmijët

-“I the faleminderit…?”
Kjo është një frazë që dëgjohet shpesh nga të rriturit kur u drejtohen fëmijëve të vegjël. Kur fëmijët marrin ndonjë shërbim, dhuratëz nga dikush, apo ju bëhet një favor, prindërit, të afërmit, edukatoret ju kërkojnë fëmijëve të thonë “Faleminderit” sepse shpesh… nuk e bëjnë.

img-20251022-wa0004

Fëmija mërmërit me vete, thotë diçka nëpër dhëmbë, por prindi sërish ngulmon të thuhet “Faleminderit”. Fëmija skuqet, ndihet në siklet e i bezdisur. Më pas vijon biseda mes të rriturve, “Jo ma tha”, “Jo s’ka gjë”…… etj.
Ose kur vijnë në mëngjes në kopsht fëmijët shpesh nuk përshëndesin dhe prindërit ngulmojnë që ata të thonë “Mirëmëngjes”.
Pse ndodh kjo? Pse fëmijët shpesh e kanë të vështirë të thonë “fjalët magjike”, siç quhen shpesh ato?
E vras mendjen.
Zakonisht shkojmë me fëmijët e kopshtit të blejmë akullore në një dyqan aty pranë. I kam mësuar (ndonëse me vështirësi), të mbajnë radhën e të respektojnë njëri-tjetrin, pra të mos i hyjnë shokut para sepse të gjithë do marrin ushqimin e preferuar. I kam mësuar me ndjenjën e masës, pra në rastin e akullores, të porosisin vetëm një kupë e jo më shumë. Edhe këtu kam ndeshur mosbindje në fillim: fëmijë që mërziteshin për shkak se donin më shumë madje edhe fjali të tipit: “Punë e madhe! Mami më blen gjithë dyqanin”. Por rregulli është rregull dhe në fund janë bindur e kënaqur. I kam mësuar që të mos flasin me zë të lartë kur shkojmë në dyqan apo ulemi në lokale.

img-20251022-wa0012

Shpesh fëmijët kanë tendencën të flasin me zë të lartë, ndoshta se duan të dominojnë apo të dëgjohen, të tërheqin vëmendjen dhe për këtë në një ambient ku ka fëmijë të tjerë.
Por nuk munda t’ia dal që të thonë “Faleminderit”. Për hir të së vërtetës në rastin e ritualit të akullores përfundoj duke thënë vetë “Faleminderit” për çdo akullore që fëmijët marrin. Vetëm 1-2 fëmijë në një grup prej 15 fëmijësh mund të thonë “Faleminderit”. Të tjerët e kanë si për turp. Skuqen, nxihen, belbëzojnë nëpër dhëmbë.
Pse ndodh kjo?
Mendoj që fëmijët janë pasqyrë e të rriturve. Për hir të së vërtetës ata po rriten në një ambient ku gjithmonë e më pak po theksohen virtytet njerëzore, edukata, vlerat e vërteta. Vlerat po kthehen në antivlera; fjalët magjike, fjalët e ëmbla, delikatesa dhe butësia po zhduken. Fatkeqësisht fëmijët po rriten në një ambient ku nuk po kultivohet mirësia. Prindërit e kërkojnë që fëmijët të thonë “Faleminderit” apo “Mirëmëngjes”, por që kur dalin nga shtëpia e derisa vijnë tek dera e kopshtit sa veta përshëndetën ata? A i thanë ata personit që u ndeshën në ashensor “Mirëmëngjes”? A kërkuan ndjesë ata për një parakalim të gabuar që bënë? A i përshëndetën ata njerëzit që panë? Kujt i thanë “Faleminderit”? A e bënë për shitësen e brioshit apo kamerierin kur pinë kafe? Apo u mjaftuan me një “Rrofsh”?

img-20251022-wa0010

Ne jemi pasqyra e vërtetë ku fëmijët tanë marrin shembull. Kërkojmë më të mirën dhe maksimalen nga fëmijët por duhet të korrigjojmë veten në radhë të parë.
Më kujtohet njëherë një sekuencë kur për vit të ri isha diku në Zvicër dhe njerëzit uronin njëri-tjetrin pa u njohur fare “Happy new year!” Më uruan edhe mua, dhe komplet dita ime ndryshoi. U bë më e bukur, fillova edhe unë të uroja njerëzit në rrugë dhe e gjithë atmosfera ishte magjike. Normalisht që edhe tek fëmijët ndikoi e gjithë kjo. E ndërsa uroja e urohesha, mendova atëherë, si do dukej kjo situatë në Shqipëri? Me siguri irreale! Nëse do filloja të uroja njerëz të panjohur nëpër rrugë do më merrnin për të çmendur. Ja pra, në një realitet të tillë rriten fëmijët këtu ku një fjalë e mirë, një komplinent apo urim është ende tabu. Ndoshta prej kësaj fëmijët e kanë të vështirë t’i thonë fjalët magjike.

img-20251022-wa0006

Korrigjimi duhet të fillojë nga ne.
Një prind që i thotë fëmijës së tij të thotë  “Faleminderit”, më parë të marrë një letër e laps në dorë e të shënojë sa vetave u foli me perzemërsi dhe edukatë në ditë e sa të tjerë nuk respektoi. Të vetëkorrigjohet. Të vetëkontrollohet. Jam e sigurt që kur fletorja të jetë mbushur me mirësi, do e shohë të reflektuar atë tek fëmija. Dhe s’do ketë kurrë nevojë më t’i kërkojë fëmijës të thotë “Faleminderit“.

Edlina Losha
CEO e Çerdhe dhe Kopsht “Princi i Lumtur”

img-20251022-wa0008

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top