FB

August 1, 2025 | 9:00

Edlina Losha: Gushti me fëmijët, pushimet e ëndërruara!

 

Një ditë po shihja një video shumë të bukur që po qarkullonte në mediat sociale: një mësuese e cila më në fund ikën me pushime dhe prindërit që duhej t’i mbajnë vetë fëmijët një muaj në gusht! Të qeshej teksa shihje një baba vetullngrysur që numëronte ditët derisa të vinte shtatori, që ta shpinte fëmijën sërish në shkollë. Video ishte thjesht një shaka e këndshme, por që nuk kalonte dot pa të vënë në mendime.

img-20250717-wa0011

Në gusht, prindërit bëhen sërish prindër me kohë të plotë! Është koha më e bukur për të qëndruar me fëmijët, jo për të kaluar thjesht kohë me ta, por për të luajtur, për t’i parë më gjatë, për të shijuar çdo minutë me ta, për të kuptuar sa shpejt rriten, për të çmuar të tashmen që s’kthehet më. Prindërit në pushime marrin me vete jo vetëm lodrat dhe kremin e diellit, por edhe shumë durim, vëmendje dhe një pjesë të zemrës. Kjo konsiderohet një dhuratë për ta, prandaj pushimet janë aq të çmuara.

-“_Ku të shkojmë që të pushojmë, por edhe të ndihemi komod me fëmijët tanë?_”- është një pyetje që shumë prindër me plot të drejtë ia bëjnë vetes, veçanërisht kur fëmijët i kanë të vegjël.

img-20250717-wa0009

Pushimet me fëmijët nganjëherë kthehen në sfidë për prindërit. Pasi ato nuk janë thjesht një ndryshim vendi, por një balancim midis qetësisë së dëshiruar e “të papriturave” që duhen mbështetur.

– Pushimet në det janë ato më të parapëlqyerat për të gjithë familjen, veçanërisht për fëmijët! Uji, rëra, koha në natyrë, ritmi i vrullshëm i ditës janë ekzaltuese për të tërë, si edhe me shumë përfitime në drejtim të shëndetit. Në këto raste prindërit duhet të jenë të përgatitur për ndryshimet e rutinës së ditës, për më shumë hapësirë e liri ndaj fëmijëve, por njëkohësisht bashkë me zgjedhjen e plazhit duhet të tregojnë shumë kujdes që të ketë infrastrukturë të mirë, kushte lehtësuese, të mos ketë mbipopullim e mundësisht të ketë afër qendër shëndetësore.

– Pushimet në mal kanë epërsi për ajrin e pastër, të freskët, mundësi për kontakt shumë të madh me natyrën, me kafshët, me ushqimin e freskët. Ka shumë familje me fëmijë që preferojnë malin. Pavarësisht se nganjëherë këto pushime mund të shoqërohen me mot të ndryshueshëm, apo disa vende mund të jenë të lodhshme për fëmijët e vegjël, por nëse zgjedhja do ishte e duhura dhe pranë zonave urbane (për çdo rast), do ktheheshin vërtet në zgjedhjen e volitshme për pushime ideale.

img-20250717-wa0008

– Pushimet jashtë shtetit, në resorte (familjare), në fakt janë pushime shumë të këndshme të cilat i lejojnë edhe prindërve pak më shumë “relaks” për shkak të kushteve optimale në këto vende që sigurojnë edhe kujdes për fëmijët. Janë vërtet mbresëlënëse paketat “all inclusive”, por nganjëherë kostoja e tyre është shumë e lartë, udhëtimi me avion apo ndryshimi i klimës i lodhin fëmijët, dhe veçanërisht prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm teksa i zgjedhin resortet të cilat duhet të jenë “family friendly”.

img-20250717-wa0012

– Ka edhe një palë tjetër pushimesh: Në fshat te gjyshërit! Janë pushime më ekonomike e përpos kësaj krijon lidhje të forta me rrënjët; fëmijëve ju bën mirë dashuria e ngrohtësia e gjyshërve. Vërtet që gjyshërit mund të mos ofrojnë kushte moderne, aktivitete stimuluese, madje për fëmijët e mëdhenj mund të kthehen në ditë të mërzitshme, por nëse do menaxhohej koha me rituale të përditshme e eksplorime, ato do ktheheshin në pushime të paharrueshme, njëjtë si te filmi “Beni ecën vetë”.

img-20250717-wa0010

Si përfundim? Nuk ka një vend “ideal” për pushime të paharrueshme veçanërisht kur je me fëmijë. Sepse nganjëherë mjafton edhe diçka shumë e thjeshtë, si një javë në një fshat me lojëra, top, ecje e ushqim të thjeshtë mund të jetë shumë më bukur sesa një udhëtim luksoz e i shtrenjtë. E rëndësishme është koha cilësore, dashuria e mirësia, lumturia që të fal qetësia për kohën e kaluar pranë njerëzve të dashur.

img-20250717-wa0007

*Edlina Bano Losha

Ceo, kopshti “Princi i Lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top