FB

December 2, 2024 | 7:09

Edlina Losha: Magjia me emrin “Babagjysh”

 

“A ekziston Babagjyshi i Vitit të Ri?”

Fëmijët e sotëm janë  tepër të zgjuar për ta ditur të vërtetën e gjyshit topolak me mjekër e flokë të bardhë, veshur me të kuqe e që mban thesin me dhurata në kurriz.

eda-1

Kur unë u tregoj fëmijëve të kopshtit për Babagjyshin, shumë syresh më thonë: -“Jo, jo, kot e ke! Babagjyshi nuk ekziston!”

Ata duket tashmë që janë “të pjekur” shumë dhe nuk besojnë më në përralla, as në magji.

-“Po“,- ju them. -“ E vërtetë, ai nuk ekziston.

Por a ekziston Zana e Mirë që kur bie dhëmbi ju e fusni atë poshtë jastëkut? Dhe të nesërmen në mëngjes mrekulloheni se si në vend të një dhëmbi të vockël shihni ca karamele apo një kartëmonedhë? Po personazhet tuaj fantastikë, superheronjtë, princeshat, personazhet dhe heroinat e magjishme me të cilët mbushni ditën duke i parë, për të cilët mendoni aq shumë, flisni aq shumë, madje edhe porosisni prindërit për t’ju gjetur veshjet si të tyre, a ekzistojnë? Ju e dini shumë mirë që po bëni “gjoja”, po luani, po fantazoni sikur jeni si ata!

eda-3

Ç’ju paska bërë një plak i shkretë me mjekër të bardhë që hipën në një slitë me drerë e vjen që nga Poli i Veriut enkas për t’ju sjellë dhurata? Madje kalon edhe nga oxhaku, bën gjithë atë sakrificë dhe natën, kur ju jeni në gjumë, ju sjell dhuratat dhe i vendos ato poshtë bredhit!

Sa e bukur është kur e mendon!

Fundja, më mirë që e dini që Babagjyshi nuk ekziston, dhe mirë bëni që e keni kuptuar këtë gjë. Sepse sa jeni të vegjël për hir të së vërtetës nuk ka aspak problem e çdo gjë shkon mirë, por me rritjen, nuk mund të pranohet dot që një fëmijë 6-7 vjeç mos ta dijë këtë punën e Babagjyshit!

Por ajo që dua të them është që asnjëherë s’duhet hequr dorë nga magjia që të fal përralla! Nga kënaqësia që merr kur e mendon, kur e përfytyron!

Unë për vete, s’do hiqja kurrë dorë nga fakti i besimit të ëmbël të përrallës me Babagjysh!

Për këtë kam shkuar deri në vendin e mrekullueshëm lart në veri, aty ku ka zyrën Babagjyshi zyrtar që njihet në të gjithë botën!

eda-4Madje e kam takuar atë! I kam prekur mjekrën, më ka qeshur, kemi bërë foto dhe më ka pyetur se si quhem. Sa shumë jam emocionuar! S’do i harroj kurrë ato momente!

Në vendin që njihet zyrtarisht si shtëpia dhe puna e tij, ishte vërtet një botë e magjishme!Aty ndodhet edhe kutia postare me numrin 1 në botë nga ku mundet të postosh letrat me dëshira, aty “elfët” e bukur hedhin valle dhe japin shfaqje çdo një orë, aty ka edhe një shkollë për t’u bërë elf i babagjyshit dhe ku ti kalon ditë të paharrueshme, sepse mund t’i hipësh slitës me drerë të Babagjyshit e të kalosh rrethin artik me to. Rrugës ndeshesh me slita të tjera që i tërheqin haskit, qentë e stërvitur. Ky vendi magjik quhet “Santa Claus Village“ dhe është shumë lart në Finlandë.

Ka me mijëra turistë që mezi presin ta bëjnë këtë udhëtim ku këto mundësi të arta i ke vetëm një herë në vit.

Pra fëmijë, kënaquni dhe shijoni të gjithë atmosferën e ëmbël që të dhurojnë festat e fundvitit. Dritat, bredhin, zbukurimet, lodrat, dhuratat, koncertet, harenë e gjithë atmosferën që krijohet. Dhe si për t’i kurorëzuar  bukur dhe ëmbël të gjitha këto të marra së bashku, ja tek shfaqet edhe imazhi i Babagjyshit hipur mbi slitë që e tërheqin drerët, duke hipur mbi oxhak, apo i ulur pranë zjarrit bubulak me thesin plot dhurata tek këmbët!

Unë çdo gjëje nuk do i besoja, por s’do mund t’i hiqja kënaqësinë vetes duke hequr dorë nga ai vegim i dashur e i ëmbël që më vjen që nga fëmijëria, dhe që është  figura e Babagjyshit topolak!

Atëherë pse duhet të jemi të ftohtë e të ngurtë kur vjen puna për të pranuar magjinë?

Pra, sa bukur kur edhe të vërtetat fëmijët i dinë, por nga ana tjetër edhe tek e bukura dhe fantastikja besojnë! Sepse tek magjikja duhet besuar!

Nëse e bëjmë këtë, do jemi përherë të lumtur edhe kur të rritemi, madje edhe kur të moshohemi!

 

Edlina Losha

Ceo e kopshtit “Princi i Lumtur”

 

eda-5  eda-10  eda-11 eda-13  6 eda-8 eda-7 eda-9 eda-12 eda-14

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top