-“E dini ju çfarë i duhet një bime që të rritet e të lulëzojë?, – pyeti miku i fëmijëve dhe i kopshtit, Premti (ishte ditë e premte dhe ne i vumë atij këtë emër).
-“Toka!” – tha Selen.
-“Uji” – tha Drin.
-“Dielli!”- ia pret Marti.
-“Po tjetër?”- pyet sërish Premti.
Fëmijët heshtën një çast. Po mendoheshin.
-“ I duhet një emër” – tha Dalin.
-“Sepse i duhet dhe dashuria!” – shtoi Premti. -“Pra eja t’i vëmë një emër, – u nxitën fëmijët. – “ T’ia vëmë Lea, se mami do bëjë një motër dhe unë do e quaj Lea”. – Jo, – tha Kliti, – ta quajmë Hekur se lulja do bëhet e fortë si hekuri.
-“ E quajmë Marsi” – se jemi në Mars, – u propozua. Në fund u bë një votim dhe bima e vogël u quajt “Marsi”.
-Ejani ta mbjellim,” – tha miku Premti. Fëmijët dolën shumë të gëzuar në oborr. Morën një bel të vogël dhe e kaluan dorë më dorë, më pas hapën gropë të vogël dhe “Marsi” u vendos në shtëpinë e re të saj. Ishte një moment i bukur! Fëmijët ishin skuqur nga kënaqësia!

Është Mars! Marsi është muaji i lulëzimit dhe i zgjimit. E gjithë natyra zgjohet, jeta gjallërohet, dita zgjatet. Por bashkë me natyrën, zgjohen edhe fëmijët. Teksa shohin që gjithçka ndriçon dhe shpërthen, fëmijët më shumë se kurrë kanë nevojë për natyrën, për të qenë më pranë saj, të bëhen pjesë e saj.
Mbjellja e bimëve, të bëjnë vetë balona, të luajnë në natyrë, të dalin e t’i gëzohen jetës është gjëja më e bukur për ta! Por ky edukim me natyrën tek fëmijët nuk është vetëm një aktivitet sezonal. Është një filozofi rritjeje. Sa shumë mënyra ka për ta realizuar këtë! Por ajo që i kënaq më shumë fëmijët është pikërisht mbjellja e bimëve. Por nëse për fëmijët ky është thjesht një aktivitet i bukur, pse është e rëndësishme mbjellja në moshë të hershme?
Një fëmijë që mbjell një farë nuk merr rezultat menjëherë. Ai mëson të presë. Në një kohë ku gjithçka është “menjëherë”, natyra i mëson kohën e duhur. Fëmijët gjithashtu mësojnë përgjegjësinë. Kur fëmija kujdeset për një bimë, ai kupton se jeta varet nga përkushtimi. “Po nuk e ujita, u vyshk.” – është një mësim i mirë për përgjegjësinë.
-“Një herë në 10 ditë do e ujisni fidanin,”- këshilloi Premti. Fëmijët forcojnë vetëbesimin.
“Unë e mbolla. Unë e rrita.” Ky proces krijon ndjesinë e arritjes dhe të fitores tek ata.

Dhe sa shumë forcohen lidhjet! Mbjellja e bimëve i zhvillon lidhjen emocionale me tokën. Prekja e dheut, aroma e tokës së lagur, struktura e saj, janë përvoja të tilla që aktivizojnë trurin në mënyrë të thellë. Psikologët e zhvillimit si Maria Montessori e konsideronin natyrën si klasën më të mirë për fëmijën. Ndërsa Jean Piaget theksonte se fëmija mëson duke vepruar, jo duke dëgjuar. Nga ana tjetër, sa domethënëse është “t’i prekësh gjërat vetë”!
Një bimë e mbjellë vetë nuk është thjesht pemë. Është histori. Është përvojë. Është kujtim. Nga ky veprim i thjeshtë e argëtues fëmija kuptoi që rritja kërkon “rrënjë”. Që çdo gjë ka kohën e vet. Që drita është e domosdoshme. Që kujdesi prodhon jetë. Që dashuria është vendimtare për jetën.
Në një epokë teknologjie, fëmija ka nevojë për tokë. Ka nevojë të ndjejë realitetin. Ka nevojë të kuptojë se jeta nuk rritet me ekrane smartfonësh dhe televizori, por me përkushtim.
Dhe ndoshta mësimi më i bukur është ky: Çdo farë ka potencial. Por vetëm në tokën e duhur ajo lulëzon.
*Edlina Bano (Losha) CEO Çerdhe dhe Kopsht “Princi i Lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

