FB

October 1, 2025 | 17:30

Edlina Losha: Ne prindërit, si të menaxhojmë ndarjen nga fëmijët?

 

Një ditë, një film i shkurtër i animuar që po qarkullonte në rrjete sociale më tërhoqi vëmendjen. Dy prindër linin fëmijën e tyre në kopsht dhe fëmija nuk iu shqitej nga krahët, por qante e nuk donte të ikte. Më në fund prindërit e lanë dhe u larguan. Por mendja u rrinte aty, tek fëmija që e lanë duke qarë. Mamaja ishte e shqetësuar. E shqetësuar në makinë, në punë, në shtëpi teksa bënte punët e përditshme, teksa hekuroste apo gatuante… Edhe babai dukej sikur e mbante disi më shumë veten, por sytë e tij të trishtuar flisnin shumë. Të dhimbte shpirti kur i shihje këta prindër!

img-20250924-wa0008

Ndërkohë video vazhdonte, kësaj radhe me një muzikë të gëzuar e ritmike me fëmijën në kopsht: ai luante me shokët, rrëshqiste e kolovitej tek lodrat, vizatonte, këndonte e kërcente tok me fëmijë të tjerë. Dhe gëzonte aq shumë në atë habitatin e vet me moshatarët, sa nuk i ngjante fare “atij tjetrit” që në mëngjes ishte ndarë nga prindërit me ulërima e lot.

 

Më bëri përshtypje vërtetësia e kësaj video!

Prindërit që lënë fëmijën duke qarë në kopsht, mendjengritur dhe mendjeprishur, duke pasur gjithë ditën merakun se “qan”, “ngashërehet”, apo mos po kërkon “atë” (prindin) me mall e lot në sy. Ndërkohë fëmija, që shpesh, menjëherë sapo prindi kthen krahët, fillon të luajë e gëzojë, të harbojë e lodrojë, të kënaqet e shijojë çastin e momentin, ashtu si fëmijët  dinë ta bëjnë mirë këtë. Më kujton veten time vite më parë, kur largohesha ndonjë ditë jashtë shtetit në udhëtimet e mia, lija për merak time më që të më zëvendësonte në kopsht. E pyesja sa herë e telefonoja: “O ma, më kujtojnë fëmijët? Ma përmendin emrin?”. “O ma, a u mungoj fëmijëve në kopsht?”. “Po”, thoshte mami, “të kujtojnë”. Dhe unë përsëri pas dy ditësh, “A më kujtojnë fëmijët e kopshtit o ma?” Dhe kështu bëja shpesh. Por një ditë, mami ia këputi një të vërtete që më ndryshoi gjithë këndvështrimin tim jo vetëm rreth kësaj, por edhe vetë rreth natyrës së fëmijëve: “Por ata harrojnë mamat e tyre mi mam,”- tha ime më, – “e jo më ty. Rri e qetë se ti i mendon ata, e kundërta nuk ndodh”. Ishte e drejtpërdrejtë, dhe pak “e dhimbshme” kjo përgjigje për mua, por ama, e vërtetë. Dhe në mendje më kaloi  atëherë fiks ky filmi që po e shoh sot të realizuar në këtë video. Sepse vërtet që ashtu ndodhte! Natyra ka vendosur rregullat e veta: Ndërsa prindërve ju rri gjithë ditën mendja tek fëmijët, e kundërta nuk ndodh, e nëse ndodh, nuk zgjat shumë.

img-20250924-wa0013

Kur një fëmijë nis kopshtin për herë të parë ai qan shumë. Prindërit ikin të mërzitur në punë. Por e vërteta është që sapo prindërit kthejnë krahët e ikin, fëmijët i harrojnë menjëherë ata dhe hutohen pas lojërave. Shumë prindër përballen me këtë situatë dhe është e natyrshme që ta përjetojnë me emocion madje me dhimbje të madhe. Ka disa strategji që mund t’u mësohen prindërve që të mos mërziten dhe të jenë më të qetë gjatë ditëve të para të përshtatjes.

 

Normaliteti i lotëve – Prindërit duhet ta kuptojnë se qarja është një mënyrë e fëmijës për të shprehur ndarjen, jo për të treguar se nuk ndihet mirë në kopsht. Duhet të jenë të sigurt se shumica e fëmijëve qetësohen brenda pak minutash.

Të bëhet një ritual i shkurtër ndarjeje – Përshëndetja është mirë që të jetë e shkurtër, një përqafim me ndoshta ndonjë fjali të qartë: “Të dua, shihemi pasdite”. Zgjatja e lamtumirës e bën më të vështirë ndarjen për fëmijën. Por shpesh prindërit nuk e kuptojnë këtë dhe duke zgjatur këtë proces me puthje ledhatime, xhiro përreth kopshtit, nganjëherë edhe rreth qytetit, e bëjnë shumë të vështirë, gati të pamundur ndarjen.

Besimi tek edukatoret – Kjo konsiderohet si pika më kyçe dhe e rëndësishme e gjithë procesit. Prindërit duhen “kujtuar” se edukatoret kanë përvojë dhe dinë si ta kalojnë fëmijën nga lotët te loja. Sa më shumë besim të kenë tek edukatoret, aq më qetë do të ndihen. Por edhe fëmijët e kuptojnë kur prindërit kanë apo nuk kanë besim tek edukatoret. Marrëdhënia e mirë midis tyre i rrit besimin dhe sigurinë fëmijës.

Prindër: Mos u ktheni pas – Prindërit shpesh kthejnë kokën pas ose thërrasin fëmijën dhe sigurisht që fëmija nis përsëri lotët. Më e mira është të ikin të vendosur, por me buzëqeshje. Gabimi më i madh është kur dorëzohen. Fëmija qan, prindi e merr mbrapsht me vete në shtëpi. Prindi në këtë rast humbi një betejë dhe fëmija fitoi një ves që në të ardhmen mund t’i paraqesë probleme si i rritur.

img-20250924-wa0009

Fokusimi te gjërat pozitive – Është bukur që pas kopshtit prindërit të fokusohen tek gjërat pozitive. Në vend të “A u mërzite?” apo “A qave”, duhet thënë “A u kënaqe” dhe “A u gëzove”. Mund të pyeten edhe edukatoret për ndonjë detaj të bukur të ditës, p.sh. një lojë që ka bërë, një shok të ri. Këto i ndihmojnë prindërit të ndihen krenarë dhe më të qetë.

Kultivimi i luftës me ndjenjën e fajit – Ta lësh fëmijën në kopsht nuk është braktisje, por një dhuratë për rritjen e tij. Ta lësh fëmijën në kopsht po i jep mundësinë të bëhet më i pavarur dhe social. Përfitimet e kopshtit shtrihen në 360 gradë. Mrekullitë ndodh midis fëmijëve! I duhet dhënë çdo fëmije kjo mundësi dhe është e pafalshme e kundërta.

Thuaj jo krahasimeve – Shpesh prindërit kanë zakonin e keq të vendosin në peshore krahasimi fëmijën e tyre me të tjerë, madje edhe ne vëllezër apo motra të tij. Secili fëmijë është unik, secili ka ritmin e tij. Është shumë normale që disa përshtaten shpejt e disa kërkojnë ditë më shumë.

img-20250924-wa0011

Një fjali që mund t’u themi prindërve për t’i qetësuar:

“Lotët e mëngjesit janë si re të vogla, ikin shpejt sapo fëmija nis lojën. Ju mund të shkoni të qetë në punë, sepse këtu ai është i sigurt, i dashur dhe i përfshirë.”

Sa më të ndërgjegjësuar prindërit, sa më të informuar e trajnuar me njohuri aq më të lehta e të bukura do jenë të gjitha etapat e jetës së fëmijëve të tyre!

 

*Edlina Losha

Ceo, “Kopshti Princi i Lumtur”

img-20250924-wa0007 img-20250924-wa0012 img-20250924-wa0010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top