FB

November 2, 2024 | 7:04

Edlina Losha: Përshtatja e prindërve apo e fëmijëve… në kopsht!

 

Prindërit preokupohen shumë kur fëmijët nisin kopshtin apo çerdhen për herë të parë. Aq shumë, sa shpesh mendoj që për përshtatjen e fëmijës në kopsht duhet punuar njësoj si me prindërit edhe me fëmijët. Sepse nuk shkëputen vetëm fëmijët nga prindërit. Por edhe anasjelltas. Dhe shkëputja e prindërve nga fëmijët shpesh më duket më e vështira!

img-20241018-wa0011

Ata, (prindërit), përloten, emocionohen, dridhen dhe nganjëherë qajnë!

Po po, qajnë! Iu duket sikur po i bëjnë ndonjë padrejtësi fëmijës që po e çojnë në kopsht, sikur po e braktisin dhe kjo i bën të ndihen keq. Nga ana tjetër, fëmijët që janë gjithë sy e veshë tek prindi, sigurisht që e ndiejnë këtë pasiguri të tyre dhe ndërkohë toka duket sikur po u shembet nën këmbë! Prindi si më i rritur ka për detyrë t’ua lehtësojë këtë proces fëmijëve dhe jo ta thellojë më shumë. Është e kuptueshme ndenja e pasigurisë së prindit: “Ku po e lë?”, “Si do ma trajtojnë?”, “Si do mësohet?”, “A do mësohet?”, “Si do i ketë marrëdhëniet me shokët?”, “A do ushqehet?”, “A do flejë?”, “A do e ndërrojnë kur të bëhet me djersë?”, “Mos më sëmuret?”… E plot e plot pyetje të tjera të pafundme që zaptojnë të gjitha mendimet kokën e prindërve! Por veçanërisht pasiguria ndaj stafit përgjegjës kujdestar është edhe më e madhja! Në këto kushte shpëtimi është që prindërit të hulumtojnë mirë dhe të sigurohen në radhë të parë se ku po e çojnë fëmijën. Të marrin informacione, të shohin dhe kontrollojnë rreth institucionit, efikasitetit të dokumenteve të subjektit, të bisedojnë nga afër me stafin përgjegjës që do kujdeset për fëmijën, ta njohin atë. Dhe pasi të marrin një vendim, duhet të jenë të qetë. Por edhe nëse vijojnë të jenë të pasigurt, çdo dyshim, pikëpyetje, pasiguri etj., prindërit kurrë nuk duhet t’i shprehin para syve dhe prezencës së fëmijëve. Sepse atyre nuk u bën aspak mirë kjo.

img-20241018-wa0007

Dyshimet e prindit përkthehen në një pikëpyetje akoma më të madhe në mendjen e fëmijës dhe megjithëse të vegjël, ata pyesin veten “ku po më lënë?” dhe frikësohen nga braktisja. Nga ana tjetër, prindi duhet të dijë që trupit të njeriut i duhet 21 ditë kalendarike që t’i bëhet rutinë diçka. P.sh, një dietë, një stërvitje në palestër, etj.. Po kështu edhe fëmijës do i duhet një kohë e tillë. Por me kushtin që të mos ketë ndërprerje. Të dielat (apo edhe të shtunat në shumë kopshte), e prishin rendin, sepse ndërpresin procesin. Por edhe sëmundjet, virozat që i kapin nganjëherë fëmijët kur nisin kopshtin, e shtyjnë procesin. Përveç kësaj? Nganjëherë prindërit “dorëzohen“ përpara fëmijëve: nuk i sjellin më, apo dorëzohen në forma të tjera, duke iu bërë lëshime e tolerime kur ata nuk duan të shkojnë në kopsht. Ky është dorëzimi i parë por që mund të ketë pasoja në sjelljet e mëvonshme të fëmijës: i hap shteg përkëdheljeve apo largimit nga përgjegjësitë. Fëmija si të thuash mat gatishmërinë e prindit, e teston atë, bën prova, dhe si të gjejë, bën. Nganjëherë ju bëjnë shëtitje nëpër qytet, i çojnë në kafene me bindjen se kësisoj do vijnë me qejf në kopsht, por përfundimi i gjithë kësaj nuk është në favor as të prindërve e as të fëmijëve.

Adaptimi kërkon kohë. 21 ditëshi nuk duhet harruar. Edhe që është e pamundur të bëhet rresht, nuk duhet harruar. Pra 21 ditëshi përkthehet në një muaj rresht pa mungesa.

img-20241018-wa0006

Mendimi që i lumturon prindërit në fillim se fëmija iku në kopsht dhe nuk qau, në fakt duhet t’i trembë ata. Ç’kuptim ka të mos e kërkojë prindin kur e ka për herë të parë këtë? Si mundet që ta rritësh fëmijën 2-3 vite rresht, të rrish gjithë kohës me të, t’i përkushtohesh atij dhe kur e çon në kopsht, ai ikën dhe as e kthen kokën mbrapsht?

Nganjëherë kur ndodh kjo, prindi e ndjen “braktisjen”, dhe kur fëmija tregohet indiferent dhe nuk e kërkon, atëherë është prindi që e thërret në emër dhe ia bën me dorë. Ndërkohë fëmija kujtohet, dhe në çast i harron lojërat dhe botën e bukur me ngjyra që po i shpalosej para, por shtrin krahun drejt prindit, (egoja e të cilit u qetësua dhe u vu në vend), dhe fillon e qan me të madhe. Sepse për fat, fëmija shpejt jepet pas lodrave, shokëve, ngjyrave, dhe deri diku e harron prindin. Dhe kjo është normale. (E kundërta nuk konceptohet dot).

Mirë është që të ngrihen marrëdhënie të shëndetshme, secili të jetë i lumtur në ambientin e tij, dhe që të ndodhë kjo, i rëndësishëm është besimi!

img-20241018-wa0005 img-20241018-wa0001

Përshtatja do kohën e vet, trupi i fëmijës do bëjë të vetën, dhe nëse prindi tregon durim e besim, në fund do fitojë një fëmijë social, ndërveprues, i shkathët, mendjehapur, i kalitur, i pavarur, i mësuar, i edukuar… Janë gjithë përfitimet e të shkuarit në kopsht!

img-20241018-wa0003  img-20241018-wa0002  img-20241018-wa0012

img-20241018-wa0013

img-20241018-wa0010 img-20241018-wa0000 img-20241018-wa0004

*Edlina Losha

Mësuese dhe CEO në kopshtin “Princi i Lumtur”, Tiranë

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top