FB

June 1, 2025 | 9:00

Edlina Losha: Prind…

 

“Në verë kam menduar që vajzën time të madhe ta sjell në institucionin tënd si vullnetare, të jetë ndihmuese në punët për mbajtjen dhe zhvillimin e lojërave me fëmijët, të mësohet me edukatën e punës, të qëndrojë tek ju dhe të paktën të kalojë kohën në mënyrë cilësore,”- më tha një ditë Alda, nënë e 3 vajzave që unë i njihja mirë sepse i kisha rritur e edukuar në institucionin tim, e tashmë janë disi të rritura.

img-20250520-wa0011

Mbeta një hop pa fjalë, ajo e mori si hezitim heshtjen time dhe filloi të tkurrej disi e t’i binte entuziazmi. Nuk e lashë të tërhiqej, para se ta bënte këtë e përgëzova me fjalë falenderuese që kishte këtë qasje ndaj vajzave te saj. Nuk ka më mirë se t’i edukojmë fëmijët me idenë e punës dhe të asaj vullnetare, pse jo.

Të edukosh fëmijët që të vegjël me edukatën e punës i bën shumë nder atyre – ju bën në fakt një dhuratë të cilën do ta gëzojnë gjithë jetën.

Dhe dhuratat më së shumti nga prindërit merren. Veçanërisht në vitet e para të jetës.

Maria Montessori thotë që vitet e para të jetës së njeriut janë ato më vendimtaret. Në këtë kuadër ka shumë rëndësi qasja e prindërve në këtë proçes.

Por çfarë ndodh realisht? A është prindërimi diçka e lehtë për t’u bërë?

-Shumë prindër kanë pritshmëri të tjera tek fëmijët. Ata i duan fëmijët të jenë sipas një modeli që kanë krijuar vetë në mendimet e dëshirat e tyre e jo si fëmija është. Ata fokusohen tek arritjet akademike e jo tek lumturia e tyre. Por kjo i trishton fëmijët e shkakton nënvlerësim të vetes.

-Një lloj tjetër prindërish janë ata që duan të jenë miq apo shokë të fëmijëve. Por e vërteta e jetës është që një prind më shumë se shok duhet të jetë një udhëheqës, e kësisoj e humbet këtë rol. Duke dashur të shmangësh konfliktet me fëmijë nuk mund të bëhesh shoku i tij.

img-20250520-wa0010

-Një tjetër aspekt i ri i shoqërisë moderne që vihet re vitet e fundit është përdorimi i pajisjeve teknologjike si “zëvendësues” të prindërimit: vetë prindërit jo rrallë ua dorëzojnë fëmijëve telefonin apo tabletin si një mënyrë për t’i qetësuar, për të pushuar ata vetë, për të qëndruar disi rehat kur janë me miq në lokale, në shtëpi të lodhur pas pune, pra 100 mijë forma e arsye se përse ndodh kjo, por e sigurt është që ndikon negativisht në zhvillimin e aftësive sociale, emocionale dhe gjuhësore të tyre.

-Një tregues tjetër i mënyrës së prindërimit është mbikujdesja dhe mungesa e kufijve. Prindërit sot shpesh bien në dy ekstreme: ose mbipërkujdesen dhe i ndihmojnë fëmijët në gjithçka, ose i lënë shumë të lirë pa vendosur kufij të qartë. Kjo çon në mungesë autonomie, apo në mungesë sigurie emocionale.

Nuk është e lehtë të jesh prind. Format e prindërimit janë nga më të ndryshmet. Dëshirat dhe mënyrat që ndjekin ata janë të shumëllojshme. Maria Montessori thotë:

“Çdo ndihmë e panevojshme që i jepet një fëmije, është një pengesë për zhvillimin e tij.” Duhet kuptuar qe edhe vetë prindërit kanë nevojë për edukim të vazhdueshëm mbi zhvillimin e fëmijës, ata duhet të pasurohen, të këshillohen me psikologë, të ndajnë përvoja cilësore me prindër të tjerë, apo të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet, shkollat, kopshtet, të rriten dhe të maturohen.

img-20250520-wa0008

Fundja kombinimi nga pak i të gjitha llojeve të prindërimit tek një i vetëm nuk do ishte keq, do ta kompletonte e bënte më të aftë e karizmatik. Nëse prindërit do angazhoheshin vullnetarisht në komunitet, u mësojnë fëmijëve rëndësinë e ndihmës dhe solidaritetit.

Pra duke qenë model i gjallë lëvizës i fëmijës, shembulli parë, apo ndryshe siç quhet “pasqyrë” ku fëmija shihet dhe modeli që vijon të ndjekë gjithë jetën. Për këtë arsye çdo veprim, fjalë, shprehje, veprim i prindit bëhet shembull që vijon edhe më pas tek fëmijët në jetën e tyre.

Jesper Juul, terapist, familjar dhe autor librash thotë: “Fëmijët nuk kanë nevojë për prindër perfektë, por për prindër të vërtetë, që janë të gatshëm të reflektojnë dhe të rriten bashkë me ta.”

Prindër të mirë, të edukuar, të dashur, të hapur, me botë të pasur, pranues, tolerantë e qytetarë do kenë pikërisht fëmijë të tillë.

img-20250520-wa0005 img-20250520-wa0004 img-20250520-wa0003 img-20250520-wa0006 img-20250520-wa0007 img-20250520-wa0001 img-20250520-wa0000 img-20250520-wa0002

*Edlina Losha, CEO, kopshti “Princi i Lumtur”

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top