Në përgjithësi një nga këshillat për suksesin është që të jesh në qendër të vendeve apo grupeve ku ndodhin më së shumti gjërat. Për këtë arsye, njerëzit kanë tendencën të kërkojnë të jetojnë në vendet ku janë të grupuar bizneset, në zona apo takime ku janë të grupuar njerëzit më të njohur, më të pasur, etj. Rrallë në formulat e gatshme të suksesit që jepen shumë së fundmi, gjendet një mënyrë për të qenë, edhe një ishull larg nga të gjithë, edhe një superfuqi dhe shembull suksesi.
Nëse do e shihnim këtë fenomen të lidhur me shtetet, këtë model e ka arritur Australia. Ishulli më i madh, por kontinenti më i vogël, larg nga gjithë vendet e tjera, por model suksesi për t’u ndjekur në shumë gjëra.
Ndonëse larg fizikisht dhe jo pranë qendrave të botës ku ndodh arti, biznesi, politika apo gjithçka tjetër, Australia është një nga modelet se si suksesi arrihet, edhe më i qëndrueshëm kur investohet fort tek ato që kemi dhe jo tek ato që mund të na mungojnë. Ndoshta pikërisht për shkak të largësisë, një nga gjërat më të bukura dhe më të vlefshme të Australisë, është ruajtja e trashëgimisë në vlera, si dhe ruajtja e një prej pasurive më të mëdha, si flora dhe fauna. Në vizitën e parë në Australi, disa gjëra më tërhoqën vëmendjen dhe një ndër to ishte patjetër kujdesi i veçantë për natyrën, për bashkëjetesën e kujdesshme mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës. Australia është në fakt, një prej vendeve që ka ende sot, pasuritë më të mëdha të florës dhe faunës në të gjithë botën. Miliona turistë nga e gjithë bota, vizitojnë Australinë çdo vit, për të parë koalat, kangurët apo qindra specie të tjera tokësore dhe nënujore që kanë mbetur vetëm në Australi dhe nuk gjenden më, në asnjë vend tjetër të botës.
Në kuadrin e humorit, por edhe të së vërtetës, bashkëjetesa ishte aq evidente sa m’u desh ta ndaja ushqimin edhe me disa pulëbardha që me precizion total pa më dëmtuar në asnjë milimetër, më morën ushqimin nga dora dhe nga ana tjetër, 3 a 4 papagaj nga ata shumëngjyrëshit që kemi para veç nëpër filma, erdhën tek tryeza ime dhe ndamë bashkë sanduiçin tim te drekës, ata pa asnjë droje dhe unë e mahnitur nga bukuria e një bashkëjetese ku kafshët nuk kanë frikë nga njerëzit, përkundrazi…
Një nga aspektet e tjera që patjetër më tërhoqën vëmendjen ishte zhvillimi i niveleve më të larta dhe në arkitekturë edhe në urbanistikë. Shpesh mendon se në vendet e largëta nuk do të gjesh zhvillimin me të cilin je mësuar në metropolet e njohura, por në fakt zhvillim ka kudo ku njerëzit e duhur kanë dëshirën dhe vullnetin për ta bërë vendin e tyre. Në Australi, njerëzit ishin të qetë dhe suksesi i tyre dhe i vendit ishte i qëndrueshëm, standardi i lartë i jetesës, shteti social dhe investimi tek mirëqenia e qytetarëve e ka kthyer në një nga shtetet me të mira në botë për të jetuar.
Një nga aspektet e tjera që bënte menjëherë përshtypje, por edhe pas një rrugëtimi të shkurtër historik, ishte se me sa kujdes ishin ruajtur vlerat e trashëgimisë dhe fiset vendase ishin ende të pranishme në shumë zona të vendit. Unë njoha shumë prej tyre në një event të lidhur me trashëgiminë dhe ishte e mrekullueshme të shihje sa bukur i ruanin vlerat, por edhe sa mbështetje të madhe kishin nga shteti për këtë gjë. Australia ishte padyshim një prej eksperiencave më të bukura ndër qindra udhëtime në vende të ndryshme dhe, ndonëse larg, do t’ia këshilloja çdokujt, për të ndjerë një tjetër dimension të konceptit të zhvillimit.
Shpesh e shohim Australinë e largët, si një shembull i një shteti të suksesshëm, por modeli i saj vlen njësoj dhe për njerëzit. Ruajtja e vlerave, ruajtja e marrëdhënies me natyrën dhe burimet, si dhe mbrojtja me çdo kusht e tyre, trashëgimia dhe zhvillimi që nuk përplasen me njëra-tjetrën, por që komplementohen për të krijuar një model zhvillimi të qëndrueshëm, janë disa nga sekretet e suksesit të Australisë. Zhvillimi me një hap të vetin, investimi tek qëndrueshmëria më shumë se sa tek reklama dhe mbi të gjitha, investimi dhe mbrojtja e atyre vlerave dhe burimeve origjinale që e karakterizojnë, pa u konformuar krejtësisht me formulat e gatshme të suksesit, por duke ecur me ritmet e veta. Besoj formula më e qëndrueshme e suksesit, është krijimi i formulës tënde, pa u bazuar shumë tek ajo e të tjerëve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.