Meqë muaji Shtator është muaji kur të gjithë fëmijët rivishen me uniformat e shkollës dhe i rifuten një viti të gjatë akademik, ndoshta është mirë ta rikthejmë edhe njëherë diskutimin për arsimin, ndoshta duke marrë një këndvështrim nga “psikologjia e popujve” të cilët kanë zgjedhur të investojnë në mënyra të ndryshme tek arsimi si baza kryesore e një shteti të shëndetshëm.
Globalizmi dhe rritja e mundësisë së aksesit në informacion, na e bën shumë më të lehtë të marrim eksperiencat më të mira në nivel botëror dhe të mos kemi nevojë të shpikim sisteme të reja, por të përfitojmë lehtë nga eksperiencat e mira të gjithsecilit dhe nga elementë të cilët do të ishin të vlefshëm për Shqipërinë. Ashtu siç dihet tashmë, Finlanda vazhdon të mbajë vendin e parë në botë për arsimin më produktiv dhe më cilësor. Në Finlandë fëmijët e fillojnë shkollën diku në moshën 7-vjeçare dhe një nga elementët e veçantë është investimi tek arsimi i lidhur me argëtimin dhe me mësimdhënien praktike, në mungesë të testeve dhe provimeve të standardizuara, por me ndjekjen e progresit të fëmijëve dhe me filozofinë e mësimit si investim për jetën dhe jo si detyrim për të dalë mirë në një provim.
Një nga vendet që ka investuar në lidhjen e arsimit me teknologjinë, si një nga elementët kryesorë të jetës së sotme, është Holanda. Që në arsimin fillor ka filluar të integrojë një sistem të shkollave inteligjente ku teknologjia është kryefjalë. Gjermania ka një sistem ku secili prej fëmijëve në arsim, ka një rrugëtim individual, me shkolla të niveleve dhe perspektivave të ndryshme të cilat i kanalizojnë nxënësit gradualisht sipas kapacitetit dhe prirjeve të tyre, në shkolla me nivele të ndryshme përgatitje dhe më profile të ndryshme.
Italia në arsimin e mesëm, ka investuar shumë tek shkollat e profilizuara profesionale, thuajse asnjë gjimnaz nuk është tërësisht i përgjithshëm dhe profilet e ndryshme i përgatisin nxënësit për të hyrë në tregun e punës edhe pa nevojën që të vijojnë studimet e larta, veçanërisht në degët më teknike, si ekonomia, informatika, etj.
Kuba, si një nga vendet me sistem arsimor më të mirë në nivel global, ka investuar shumë tek pjesa e mirëqenies së fëmijëve dhe tek mësimi praktik. Një nga shembujt më të mirë të organizimit, është që nxënësit përfundojnë pjesën e orëve të mësimit në mesditë dhe pas ngrënies së drekës, bëjnë detyrat dhe ripërsëritjet e nevojshme për ditën në vijim më një mësues asistent. Rreth orës 4 pasdite kur prindërit i marrin nga shkolla, edhe prindërit, edhe fëmijët e kanë pasditen tërësisht të lirë për t’iu dedikuar aktiviteteve jashtëshkollore apo edhe për të shpenzuar kohë cilësore me njëri-tjetrin. Duke qenë se edhe e kam jetuar në vetë të parë, mendoj se, edhe për fëmijët, edhe për familjet, ky është organizimi më i mirë i ditës së shkollës, i cili nuk i ngarkon më detyra në shtëpi, por u jep mundësinë të jetojnë fëmijërinë pa stresin e një viti të gjatë akademik ku edhe gjatë ditës, por edhe pasdite, duhet të jenë të fokusuar tek mësimi teorik dhe jo tek përjetimi i aspekteve të tjera të mësimit nga lojërat, apo qoftë dhe praktikat e jetës së përditshme.
Shumë vende kanë sisteme të ndryshme, investojnë në mënyra të ndryshme, por kanë disa të përbashkëta të cilat mund të bëhen një mësim edhe për Shqipërinë, ku arsimi nuk është në nivelet e duhura për fatin e keq të fëmijëve dhe familjeve tona. E para është që vendet me nivel më të lartë arsimor, janë ato vende ku shteti investon fort në arsim dhe ku arsimi është kryesisht publik (në Shqipëri ndërkohë arsimi privat ka kohë që ka marrë përparësinë).
Elementi i dytë është një formë arsimi i organizuar në mënyrë të tillë për të kombinuar më së miri edhe integrimin normal të prindërve në tregun e punës, por edhe mirëqenien e fëmijëve duke investuar tek balanca shumë e rëndësishme jetë dhe shkollë. Elementi tjetër, është edhe bashkërendimi i sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës dhe investimi tek mësimi praktik më shumë se sa ai teorik.
Ka shumë eksperienca të mira, por kryesorja që një vend duhet të ketë është vullneti për të investuar tek fëmijët dhe tek arsimi, si elementi kryesor i suksesit të një shteti, jo vetëm në të ardhmen, por edhe në të tashmen.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.