Meksika është një ndër vendet ku ka lindur kultura dhe nga ku historia botërore ka marrë shpesh kthesa të rëndësishme. Kur përmendim Meksikën na vjen ndërmend patjetër kulinaria e njohur, historia e lashtë dhe kontributi i jashtëzakonshëm në zhvillimin e botës, i fiseve maja dhe i aztekëve, kultura e pasur, muzika e bukur, kurse mua në fakt, më vjen ndërmend kujtimi i bukur i vendlindjes sime.
Një kështjellë e fortë paqeje dhe mirësie brenda shpirtit, në të gjithë vorbullat e jetës së shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Njeriu ka një dashuri të veçantë për vendlindjen, ka një lidhje të fortë që lidhet vetvetiu me qenien, edhe pse jeta mund të vendosë që shpesh të mos jetosh aty ku lind. Fillimisht njeriu e do vendlindjen natyralisht, pastaj kur fillon ta njohë, e kupton se dashuria për vendlindjen shkon përtej vendit fizik. Kush e njeh Meksikën e di se vlera e saj më e madhe janë njerëzit, meksikanët që kanë shpirtin e artë! Nga njerëzit që kam njohur, janë ata që përçojnë më shumë paqe dhe energji të mira. Nuk u mungon kurrë mirësjellja, fjala e mirë dhe pozitiviteti, ama as shpirti revolucionar.
Në anën tonë të botës dihet relativisht pak për Meksikën, por nëse fillon ta njohësh, gjen një vend që është një thesar për t’u zbuluar dhe nga i cili mund të mësosh shumë. Turistët në përgjithësi njohin plazhet me famë, njohin Mexico City si një nga kryeqytetet më të mëdha të botës, si një gërshetim i mrekullueshëm i trashëgimisë dhe modernes, i ndërtuar mbi vendbanime aztekë, me investime, si historike ashtu edhe bashkëkohore në arkitekturë, por edhe qendër arti e kulture, me disa nga muzetë e artit dhe historisë me famë botërore. Por në fakt, disa nga kuriozitetet e lidhura me Meksikën kanë të bëjnë me historinë dhe trashëgiminë. Mayat, nga të cilët bota ka trashëguar studime të rëndësishme mbi astronominë, matematikën, arkitekturën, apo Aztekët, luftëtarët e shqiponjës, mjeshtrat e arkitekturës, të teknikave inovative bujqësore, por edhe të artit.
Çdokush mendon se piramidat më të mëdha në botë ndodhen në Egjipt, por në fakt, piramida më e madhe në botë ndodhet në Meksikë dhe është trashëgimi nga aztekët. Meksika është vendi më i madh spanjishtfolës në botë, me 129 milionë banorë nga të cilët rreth 90% flasin spanjisht, por ka ditur të ruajë me shumë respekt edhe 62 gjuhë të paraardhësve të cilat fliten sot në disa fise dhe komunitete të banorëve autoktonë.
Në zhvillimin e saj ekonomik, Meksika, ose më saktë 31 Shtetet e Bashkuara të Meksikës, zënë vendin e 15-të në botë duke u bërë kështu një nga superfuqitë botërore të ekonomisë, por edhe e kulturës, si një ndër vendet që ka impaktuar dhe frymëzuar botën. Nga emrat e mëdhenj të artit si Frida Kahlo e Diego Rivera, muzikës me famë botërore, sidomos folklori dhe serenatat romantike të Mariachi, tek revolucionarët si Zapata, tek nobelistët për shkencën e artin, si Octavio Paz, Mario Jose Molina, Alfonso Garcia Robles, etj, janë ambasadorët përmes së cilëve njihet Meksika. Nga ana tjetër, tradita kulinare e ruajtur me shumë kujdes dhe e njohur në të gjithë botën, ka dhe një kuriozitet interesant, që ka të bëjë me faktin se Meksika është vendi i origjinës së çokollatës, rreth 4000 mijë vite më parë, pra shumë më përpara se ta njihte pjesa tjetër e botës.
Një nga simbolet më të panjohura, por më frymëzuese të Meksikës, që ka të bëjë me burimet dhe pasuritë e panumërta natyrore që ka ky vend, është “Mariposa Monarca” – flutura mbretëreshë, e cila udhëton mbi 4 mijë kilometra nga Kanadaja e SHBA për të shkuar në Meksikë dhe ndër studiuesit është simbol i transformimit, i forcës dhe i këmbënguljes. Fluturat zakonisht jetojnë vetëm 1 ditë, kurse ajo jeton rreth 12 muaj dhe ndër këto, pjesën më të madhe të kohës e kalon në udhëtim. Kjo flutur është simbol i një populli që me gjithë problemet që mund të ketë patur dhe mund të ketë, kërkon për më shumë, lufton për më shumë, punon për shumë pa u ndalur, deri në destinacionin e duhur. Mendoj se ky është një nga mesazhet më të bukura që marrim nga Meksika!
Unë mund të shkruaja më orë për Meksikën, sepse ka pafund histori e vlera dhe sepse kam një dashuri të veçantë brenda shpirtit për vendlindjen time, por ajo që i fiton zemrën kujtdo që e viziton dhe e njeh, është kombinimi i mrekullueshëm mes njerëzve me zemër të artë, bukuritë e rralla që i ka falur Zoti e natyra dhe mbi të gjitha dashurisë për t’i ruajtur e për t’i përçuar me mijëra vite ndër breza.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.