FB

October 15, 2024 | 1:15

Edlira Çepani: Sekrete të suksesit të qëndrueshëm nga Zvicra!

 

Nëse pyet një turist, do të thotë menjëherë disa karakteristika përmes së cilave Zvicra është bërë brand botëror, që nga orat zvicerane për të cilat kemi dëgjuar ndër breza, djathin zviceran, çokollatat e famshme, alpet dhe natyra e mbrojtur me shumë kujdes, pamjet e fshatrave që duken si piktura, patjetër edhe sistemi bankar, ndër më të njohurit në botë.

edlira-cepani

Në fakt, gjatë një shkolle verore të para shumë viteve në Gjenevë, ku po vendosja në vend premtimin dhënë gjyshes sime për të mësuar siç duhej Frëngjishten, atëherë kur qëndrova më tepër kohë se çdo qëndronte një turist, kuptova arsyet pse Zvicra ishte modeli të cilin e merrnim për bazë sa herë që mendonim si duhej zhvilluar Shqipëria në tranzicion dhe si duhej arritur suksesi. Në atë kohë në çdo bisedë krahasimore, thuhej se i kishim të gjitha potencialet me të cilat mund të bëheshim “si një Zvicër e vogël”.

Në fakt Zvicra është e vogël në kilometra katrorë, por ka brenda saj një oaz zhvillimi e bashkëjetese që rrallë e gjen në vende të tjera të botës. Arsyet e suksesit të qëndrueshëm të Zvicrës si shtet, sipas eksperiencës sime atje, mund të jenë të shumta, por gjëja e parë që më bëri përshtypje kur mbërrita, ishte fakti se mund të udhëtoje fare pak distancë nëpër 26 kantonet e ndryshme dhe të dëgjoje se flitet një gjuhë krejtësisht tjetër. 4 gjuhët që fliten në territorin e Zvicrës, respekti ndaj diversitetit dhe kulturave të ndryshme, bashkëjetesa shembullore dhe investimi serioz i banorëve për ta mbajtur të tillë ketë oaz, ishin mbresëlënëse.

Serioziteti me të cilin e merrnin vetë zviceranët, por edhe institucionet, jetën në komunitet dhe respektin për hapësirën, kohën dhe qetësinë e njëri-tjetrit, besoj ishte një nga arsyet pse çdo gjë shkonte aq mirë dhe bashkëjetesa funksiononte në mënyrën e duhur! E dyta ishte patjetër përpikëria, e cila është shpesh një çelës suksesi. Të mësuar në vende pak më të rrëmujshme, ishte krejtësisht e çuditshme që transporti publik të kishte orare të tipit 8:03 ose 8:32, por në fakt, ashtu siç na ndodhte shpesh, vetëm pak sekonda më pas e gjenim veten duke vrapuar pas autobusit (duke treguar me çdo kusht se nuk ishim vendas dhe se ishim krejtësisht të pamësuar me “përpikërinë karakteristike zvicerane”).

Demokracia, njëra prej arsyeve thelbësore pse Zvicra është model i zhvillimit, është një mësim gjithëpërfshirjeje dhe mbi të gjitha serioziteti në funksionin e saj përfaqësues. Në Zvicër nuk votohet një herë në dy vite, siç mund të ndodhë normalisht në Shqipëri apo në vende të tjera, por rreth 4 herë në vit. Zvicra është një nga vendet që e përdor më shumë konceptin e demokracisë direkte dhe përfshirjes reale së qytetarëve në vendimmarrje. Institucionet e larta të shtetit, si për shembull Këshilli Federal, funksionojnë me rotacion dhe kryesisht në mënyrë kolegjiale, nga ana tjetër pushteti vendor ka shumë zë dhe fuqi vendimmarrëse. Ndërkohë që politika gjithëpërfshirëse dhe demokracia direkte janë kryefjalë të sistemit, edhe qytetarët e ushtrojnë me seriozitet të drejtën dhe detyrën e tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes.

Jo më kot, në indeksin e vendeve më të lumtura në botë, Zvicra qëndron ndër të parat, pasi parametrat me të cilat kjo matet, kanë lidhje me vëmendjen ndaj qytetarëve dhe investimin që bëhet për ta. Zvicra është sot një prej ekonomive më të forta të Europës, një nga vendet me papunësinë më të ulët dhe e para përsa i përket inovacionit, sepse ka ditur të investojë në mënyrën e duhur edhe tek sektori i shërbimeve dhe sipërmarrja, duke gërshetuar tradicionalen me inovacionin, si dhe mbështetjen e formave të reja për të shfrytëzuar potencialin natyror, përmes formave të reja, gjithmonë në mbrojtje vlerave.

Sa më shumë e njeh Zvicrën si vend dhe hapat që ka bërë drejt zhvillimit, aq më shumë e kupton që suksesi nuk është aspak i rastësishëm, por fryt i një vizioni dhe investimi serioz të njerëzve, institucioneve përfaqësuese të ngritura prej tyre, si dhe mbi të gjitha dashurisë me vepra konkrete për vendin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top